Rritja enorme e çmimeve, Molliqaj ia propozon qeverisë tetë masa

10 mars 2022 | 17:10

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ia ka paraqitur Qeverisë së Kosovës tetë masa të cilat sipas tij janë urgjente që të ndërmerren, pas rritjes enorme të çmimeve.

Ai ka thënë se ngritja e çmimeve është duke ndodhur nga frika e luftës.

“Qeveria e Kosovës po e përdorë luftën në Ukrainë për t’i futur njerëzit në ethe të luftës. Një ditë bën vetë politikë të frikës, të nesërmen kërkon prej njerëzve përmbajtje nga paniku sepse kështu po rriten çmimet. Kryeministri Kurti, kryetari i Kuvendit, Konjufca dhe presidentja Osmani kanë deklaruar ditë me parë për rrezikun direkt të një agresioni serb. Kanë krijuar fond filantropik për mbrojtje, përkundër vërejtjeve të NATO-s, kurse tash na thonë mos u frikësoni. Kjo qeveri është koprrace dhe dorështrënguar sepse është pa besim tek njerëzit. Qeveria i do shifrat më shumë se njerëzit. Ose më saktë, i do njerëzit si shifra”, ka thënë Molliqaj në një konferencë për media.

Këto janë tetë masat e propozuara nga Mollqaj:

1. Rritja e pagës minimale në 350 euro

2. Heqja e akcizës dhe TVSh-së në naftë për bujqit, industrinë prodhuese dhe transportin urban e ndër-urban

3. Përgjysmimi i TVSh-së në derivate për konsumatorët e zakonshëm

4. Dyfishimi i pensionit për këto kategori: pensionet e moshës, pensionet për personat me aftësi të kufizuara, pensioni familjar, pensioni invalidor i punës (nga 100 në 200 euro)

5. Heqja e tatimit në të ardhurat personale deri në 350 euro

6. Vënia në funksion e mekanizmave për t’i ndaluar spekulimet në treg

7. Dyfishimi i Rezervës Shtetërore në mënyrë që të kemi stabilitet të çmimeve

8. Heqja e TVSh-së për produktet bazë siç janë mielli, vaji, sheqeri, kripa, qumështi dhe vezët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
David Alaba ka hyrë në histori edhe pse nuk ishte…