Rrjeti i Grave të Kosovës i bashkohet thirrjes për tërheqjen e çmimit Nobel për Handke
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) i është bashkuar zërave vendorë dhe atyre ndërkombëtarë duke dënuar ashpër ndarjen e çmimit Nobel për letërsi për vitin 2019 për shkrimtarin austriak, Peter Handke.
“Handke, i njohur si përkrahës i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, haptazi mohoi masakrat që ndodhën në Ballkan, duke u deklaruar edhe kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë. Ai publikisht sugjeroi se myslimanët e Sarajevës masakruan vetveten, si dhe mori pjesë në varrimin e kriminelit të luftës, Millosheviq. RrGK-ja sjell ndër mend se gjatë regjimit të Millosheviqit në Kosovë janë dhunuar seksualisht 20 mijë persona, si dhe sot 20 vjet pas përfundimit të luftës, mbi 1600 persona janë akoma të zhdukur. Duke kujtuar aktivizmin dhe përpjekjet që RrGK-ja ka bërë për më shumë se dy dekada në emër të kërkimit të barazisë, lirisë dhe vlerave demokratike, RrGK konsideron se ndarja e këtij çmimi për Handke është fyerje e madhe për secilën viktimë të shovinizmit serb”, është thënë në reagimin e RrGK-së
RrGK-ja ka vlerësuar se kritika ndaj këtij vendimi të Akademisë Suedeze merr fuqi edhe më të madhe “kur kujtojmë skandalin me abuzime seksuale që ndodhi vitin e kaluar në këtë institucion, si dhe kur përmendim se në 120 vite punë laureate të çmimit Nobel janë vetëm 15 gra”, theksohet në këtë reagim.
“Në shenjë solidariteti me të gjithë botën që lufton për liri dhe barazi si vlera thelbësore demokratike, RrGK kërkon tërheqjen e këtij vendimi të Akademisë Suedeze”, është thënë ndër të tjera në reagimin e RrGK-së.
/Epoka e re/