Rrogat e larta Haradinajt dhe qeveritarëve tjerë do t’u derdhen në konto nga janari
Kryeministri i Kosovës, përmes një vendimi, të cilin e ka marrë javën e kaluar, ia ka dyfishuar pagën vetes dhe ministrave të kabinetit të tij.
Deri më tash, paga e kryeministrit ka qenë rreth 1500 euro, ndërsa tash e tutje ajo do të jetë 2950 euro.
Mirëpo, rritjen e pagave ende nuk e kanë shijuar askush nga Qeveria e Kosovës, edhe pse vendimi për rritjen e tyre ka hyrë në fuqi nga 1 dhjetori i këtij viti.
Pagat me rritje kryeministrit, ministrave e zëvendësministrave do t’u dalin tek në muajin janar të vitit 2018.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Ekonomisë, Bedri Hamza, ka treguar se ekzekutimi i pagave me rritje nuk është bërë në muajin dhjetor.
“Vendimi ka hyrë në fuqi këtë muaj, mirëpo ekzekutimi i pagave me rritje do të bëhet tek nga janari i vitit 2018. Nuk mund të bëhet ekzekutimi i pagave në moment që merret vendimi, pagat me rritje merren veç pasi të kalojë muaji kur është marrë ky vendim, në këtë rast ekzekutimi bëhet në janar”, ka treguar ai për “Express”.
Pas vendimit të kryeministrit Ramush Haradinaj për rritjen e pagës së kabinetit të tij qeverisës dhe vetes, ishte zbuluar se sa do të jetë edhe paga e zëvendësave të tij.
Zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Dalibor Jevtiç do të marrin 2500 euro pagë mujore.
Po ashtu, me vendim të tij, paga e ministrave tash e tutje do të jetë nga 2000 euro.
Vendimi për rritjen e pagave është kritikuar ashpër nga shoqëria civile, qytetarët dhe njohës të ekonomisë.
Kurse, vetë Kryeministri vendimin për këtë rritje e ka arsyetuar duke thënë se kanë nevojë për kravata e këmisha.
“S’mundem gjithqysh me dal, obligohna për një kravatë, një këmishë”, pat thënë Haradinaj.