Rruga deri te pushtimi i majave më të larta të botës
Arineta Mula alpiniste dhe vrapuese ka pushtuar majat më të larta botërore. Si alpiniste kosovare ajo është ballafaquar me sfida nga ma të ndryshmet për t’i vizituar këto vende, duke filluar nga marrja e vizave, e deri te çështjet financiare.
Por, ajo në intervistën dhënë për Radios Evropa e Lirë ka thënë se dëshira e saj për t’i pushtuar këto maja, qoftë edhe Everstin si majën më të lartë në botë, ka bërë që gjitha sfidat t’i tejkalojë, duke u pajisur së fundmi edhe me pasaportë të shtetit shqiptar, që ia lehtëson asaj lëvizjen e lirë.
Radio Evropa e Lirë: Arineta, aktiviteti juaj i fundit ishte arritja në majën më të lartë në Evropë, Elbrus në Rusi, ku edhe ke vendosur flamurin e Kosovës. Çfarë ndjenje ishte për ty, duke e ditur që Rusia nuk na ka pranuar si shtet?
Arineta Mula: Aktiviteti im i fundit ishte ngjitja në majën më të lartë në Evropë Elbrus në Rusi më 5 gusht, 2018. Por, vështirësitë i kisha me pasaportën e Kosovës, pasi shteti rus nuk na ka pranuar si shtet. Pasi bëra një shkresë tek ambasadori i Shqipërisë dhe pas procedurave të gjata unë u pajisa me pasaportën e Shqipërisë. Mora vizën ruse dhe pas dy javësh bëra planifikimin dhe e organizova ikjen atje.
Duhet cekur se flamurin e Kosovës e mora nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj para nisjes. Pata sukses në ngjitje. Problemin e kisha se nuk kisha përcjellës dhe nuk kishte kush të më fotografojë me flamur lartë në majë. E pyeta njërin nga pesë personat që ishim bashkë. Nuk e dija nacionalitetin e tij. Ai më ndihmoi shumë dhe më pas e filluam temën e Kosovës. Ai ishte rus, dhe ishte shumë i kënaqur që Kosova po e ngrit flamurin dhe më fotografoi.
Ndonëse njerëzit më kishin folur lidhur me atë se mund të jetë i rrezikshëm udhëtimi, pasi kishte shumë pak anglishtfolës, e që është e vërtetë, dhe më thanë se duhet pasur kujdes pasi je nga Kosova, dhe mund të ndikojë keq, pasi Rusia ende nuk e ka pranuar shtetin e Kosovës. Por, unë mund të them se i kam pasur ditët më të mira nga kjo ekspeditë me persona lokalë, pra rusë, pasi kanë pasur mirëkuptim që po vi nga Kosova, kam marrë pasaportën nga Shqipëria. Pra, e kam bërë zgjidhjen dhe po e realizoj ngjitjen në Elbrus. Ata mund të them se kishin respekt për neve.
Në Elbrus nuk kisha përcjellës, por kisha informata të bollshme në internet për rrugën që duhet ta përshkruaja, dhe mendova që nuk ishte shumë e rrezikshme, pasi unë kam përgjegjësi që të jem e sigurt për familjen, rrethin, shoqërinë. Por, ja dola dhe tash po ndihem shumë më e fortë që arrita të ngjitem në shtatë majat më të larta në shtatë kontinentet e botës në Elbrus, si udhëtimi im i fundit.
Rrugëtimi zakonisht zgjatë tetë ditë, por unë jam duke e sfiduar vetën kohëve të fundit, dhe unë arrita që ta përfundojë për dy ditë e gjysmë gjithë këtë aventurë.
Radio Evropa e Lirë: Cilat kanë qenë majat më të larta që ju i keni pushtuar?
Arineta Mula: Maja më e lartë në botë është Everesti, dhe jemi tre persona nga Kosova që e kemi arritur këtë majë dhe kemi ngritur flamurin e Kosovës atje. Dua ta potencoj faktin se Kosova ka qenë i vetmi shtet në Evropë që nuk e ka ngritur flamurin në këtë majë, dhe ne e realizuam.
Ne patëm fatin që të na ndihmojnë edhe financiarisht, sepse Everesti është ekspedita më e shtrenjtë që e kemi bërë. Ajo zgjatë dy muaj për shkak të klimatizimit , përshtatjes së trupit me mungesë së oksigjenit. Je e obligueshme të marrësh udhëheqës që të drejton, ku përfshihen kuzhina, kampet dhe gjithçka ka shkuar mirë.
Unë gjithashtu kam arritur të shkoj edhe në Nepal në majën Amadabllam e që është ngjitje teknike dhe është më e vështirë se Everesti. Aty kam qenë në nëntor të vitit të kaluar. Ajo zgjatë zakonisht katër javë, por unë e kam përfunduar për tetë ditë. Isha në fokus të lajmeve, pasi për tetë ditë ka qenë arritje e madhe. Por, trupi im është përshtatur me klimatizim dhe nuk kam pasur arsye të zgjasë ecjen.
Materhorni në Zvicër ka qenë maja tjetër që e kam arrit, dhe më e vështirë se kjo ka qenë në 2017, Ajger poa shtu në Zvicër, mal ky që shumë alpinist e kanë ëndërr që ta arrijnë. Alpinizmi nuk është luks, por është përgjegjësi dhe është kulturë dhe edukim. Nëse në Zvicër je alpinist, ke respekt të veçantë. Këtë e kam kuptuar atje.
Radio Evropa e Lirë: Sa është i kushtueshëm ky sport?
Arineta Mula: Është mjaft i kushtueshëm. Unë kam filluar me malet e Kosovës dhe ajo nuk ka ndonjë kosto. Por, ekspedita jashtë Kosovës, duke filluar prej kostos së vizës, orarit të udhëtimeve, udhëheqësve është shumë i kushtueshëm. Pastaj, ekstra janë pajisjet. Nëse ke pajisje të mira, ngjitja është shumë më e lehtë. Unë me këtë sport merrem qe katër vjet dhe me secilën ekspeditë kam arritur. Ndryshe nga shumë alpinistë të shteteve të ndryshme që i kanë të gjitha të gatshme, pasi merren njerëzit me gjitha obligimet si me financa, orarin e udhëtimeve e me të gjitha, për dallim nga ne që me të gjitha gjërat merremi vetë. Unë kam mbështetje si nga shteti, por edhe nga kompani private, e që jam shumë falënderuese, por jo të gjithë alpinistët e kanë këtë lehtësim.
Radio Evropa e Lirë: Sa alpinistë i ka Kosova?
Arineta Mula: Statistika nuk ka. Problem është se kur po bëhet një ngjitje ne nuk po e dimë a ka qenë dikush para nesh në atë vend. Po i përdorim rrjetet sociale për t’u informuar, por informatat janë të mangëta.
Shoqata e Bjeshkatarëve të Kosovës nuk kanë informata të sakta edhe për alpinistët. Nuk është numër i madh, por kemi shumë alpinistë që kanë qenë të mirë para rreth 30 vjetësh, e që janë nga gjitha vendet e Kosovës, e që kanë qenë në Nepal , Kilimanxharo, por po e kemi problem që t’iu qasemi informatave të sakta. I vetmi libër i Aleksandër Bojagjiu, e që është alpinist nga Shqipëria dhe shkrimtar, i cili ka mbledhur informata dhe i shkruan ato. Ai më tha një ditë se unë po i bëj dëm alpinizmit shqiptar, sepse nuk po shkruaj. Do duhej të shkruajmë secili dhe të kemi informata më pas për alpinizmin. Shpresoj që do ta bëj një gjë të tillë.
Radio Evropa e Lirë: A ka pasur ndikim jeta në Pejë, pra origjina jote?
Arineta Mula: Sigurisht se Peja njihet si vend ku tashmë sporti zhvillohet shumë, por nuk kam dëshirë që të jem lokaliste dhe të them se vetëm Peja ka ndikuar tek unë që të jem kjo që jam. Unë mendoj se në përgjithësi në Kosovë kush ka synim, ia arrin. Kemi rastin e Majlinda Kelmendit, që ka arritir shumë. Ne po kemi sukses sepse qasjen po e kemi më të vështirë për të arritir, dhe pastaj pjesa e garës po na duket më e lehtë. Si karakter jemi shumë të fortë përgjithësisht në Kosovë, dhe mburrem nga vendi prej nga vijë.
Radio Evropa e Lirë: Çka do ju thuash atyre që duan të jenë si ju?
Arineta Mula: Ju rekomandoj njerëzve që të merren me një aktivitet fizik. Ndoshta jo domosdoshmërisht me alpinizëm. Mendoj se jeta është shumë e mërzitshme nëse nuk merresh me një sport, qoftë ajo ecje, vrapim , basketboll, futboll, alpinizëm.
Me ecje nëpër male unë e shoh vendin tim më ndryshe. Sepse kemi vende shumë të mira dhe të bukura, dhe jeta është më interesante që ta kalosh kohën e lirë, dhe jo vetëm të ulemi në ndonjë kafeteri dhe të pimë ndonjë kafe apo çkado tjetër.