Rruga e fshatit Topillë në Shtime do të emërtohet “Rruga e Gjergj Kastriotit”
Një delegacion nga fshati Topillë i Komunës së Shtimes, në përbërje nga veprimtari Sali Bislimi, Berat Fazlija dhe Musli Haziri, kanë takuar ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, të cilit i kanë shprehur shqetësimin e banorëve të këtij fshati për rregullimin e rrugës, në të cilën kishin filluar punimet por që pastaj është anashkaluar si projekt infrastrukturor.
Sali Bislimi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka treguar se ministri Lekaj dhe zëvendësministri Rexhep Kadriu janë zotuar se kjo rrugë do të përfundojë shumë shpejt. “Urojmë që mos të harrohemi, sepse fshati ynë ishte i veshur nga çdo shtëpi me nga një ushtar lirie, të veshur me petkun e atdhedashurisë dhe vlerave kastriotike, dhe për këtë arsye nuk duhet të neglizhohemi. Mikpritja me një çik raki sikur na relaksoj dhe shkëmbyem biseda vëllazërore që shqiptarët kanë traditë”, ka shkruar Bislimi, i cili është edhe kryetar i OJQ-së “Zëri Perëndimor i Kosovës”.
Bislimi ka bërë me dije se kjo rrugë e fshatit Topillë do të emërtohet “Rruga e Gjergj Kastriotit”. Kjo rrugë është e gjatë 10 kilometra.
/Epoka e re/