Rruga e humbur e dialogut
Ilir Ibrahimi
Se politika kosovare nuk ka pasur asnjëherë një qëndrim unik ndaj dialogut, nuk është ndonjë risi të thuhet.
Nuk është i ri as fakti që dialogu shumë më tepër është shfrytëzuar për luftë të brendshme ndërpartiake për më tepër pushtet se sa për ta shtyrë përpara një çështje të rëndësisë kombëtare.
E gjithë kjo po vazhdon edhe sot, por në një situatë dhe rrethana tjera, shumë më pak të favorshme për Kosovën, e edhe me ma shumë sfida për klasën politike e cila vazhdon ti qaset kësaj çështjeje si struci.
Sot kur fushata zgjedhore në SHBA po futet në finalen e saj, është vështirë të pritet një interes çfarë e kemi parë në dy vitet e fundit. Ky interes, do të shkojë duke rënë sa më tepër që i afrohemi ditës së zgjedhjeve në nëntor.
Brukseli në anën tjetër, tani kur e arriti atë që gjithmonë synon: një zvenitje të rolit të Washingtonit, por jo edhe ofrimin e një zgjidhjeje të qartë, tani duket se do ti kthehet asaj që e bën më së miri – asgjë.
Ndërkohë, partitë politike i kthehen avazit të vjetër, kritikat ndaj njëri tjetrit rreth dialogut. Por këtë si gjithmonë nuk e bëjnë për një qëndrim më parimor në dialog por për më tepër pushtet.
Në këtë rrugë të humbur, vështirë që të gjendet drejtimi më i mirë. Mund të bëhen inskenime dhe aktrime por përveç se për konsum të brendshëm, vështirë se do të mund të kenë ndonjë rol tjetër.
E shoqëria jonë fejsbukiane, e cila po përballet me një krizë pandemike dhe ekonomike të paparë në këtë shekull, do të vazhdojë të jap mendime të mëdha gjeopolitike dhe gjeostrategjike.
Vazhdoj të shpresoj (më shumë pak besim) se momentumi dhe shansi që e kemi pasur në 2-3 vitet e fundit për ta arritur një marrëveshje me Serbinë nuk është humbur tërësisht dhe ai shans do të kthehet prapë pas zgjedhjeve në SHBA. Por edhe më pak besoj se klasa politike kosovare do të jetë ndryshe nga ajo që e kemi parë në dy dekadat e fundit dhe do të di e do ta shfrytëzojë atë shans ( nëse kthehet).