Rruga e Kosovës drejt NATO-s do të jetë e sigurt

05 maj 2019 | 12:51

Koordinatori Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO, Burim Ramadani, ka deklaruar se Kosova është plotësisht e gatshme të kontribuojë për paqen dhe sigurinë globale.

Ai ka treguar se me funksionalizimin e Komitetit Ndërministror për Anëtarësim dhe Integrim në NATO, Kosova ka institucionalizuar aspiratat e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për anëtarësim në NATO.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ramadani ka thënë se kontributi i Kosovës do të jetë krah për krah me NATO-n, kudo që mund të kërkohet.

“Shteti dhe populli ynë ka marrë mbështetje në kohën e vështirë për ne. Tashmë 20 vjet më pas, Kosova është plotësisht e gatshme të kontribuojë për paqen dhe sigurinë në cilëndo zonë të globit. Kosova është shembulli më i mirë i suksesit në epokën tonë. Kontributi i Kosovës do të jetë krah përkrah me NATO-n kudo që mund të na kërkohet”, ka thënë Ramadani.

Në bazë të kapaciteteve të specializuara të institucioneve të sigurisë, ai ka thënë se Kosova mund të marrë përgjegjësinë për t’i ndihmuar popujt e tjerë për stabilizim, paqe dhe siguri.

Ramadani, i cili është edhe zëvendësministër i Mbrojtjes, ka thënë se komiteti është një mekanizëm koordinues i politikave, angazhimeve, komunikimit strategjik dhe qasjes nacionale në raportet me NATO-n.

“Në aspektin politik dhe diplomatik, Komiteti Ndërministror synon të analizojë dhe rekomandojë për qeverinë rrugëzgjidhjet më të përshtatshme për avancimin e pozitës së Kosovës në raportet me NATO-n. Duke qenë se deri më tash Kosova ka marrëdhënie korrekte me NATO-n, ne sigurisht se synojmë të avancojmë këtë marrëdhënie në një fazë të fillimit të procesit të anëtarësimit”, është shprehur ai.

Ramadani ka thënë se, pavarësisht kohës që merr, rruga e Kosovës drejt NATO-s do të jetë e sigurt.

“Në aspektin teknik dhe institucional Kosova ka përparësi të dukshme. Përparësia kryesore është fakti se Kosova edhe me kapacitetet ekzistuese është e ndërveprueshme me NATO-n, ndërsa të gjitha planifikimet për të ardhmen janë në përputhje me standardet e NATO-s”, është shprehur ai.

“Epoka e re”: Z. Ramadani, kryeministri Haradinaj ka njoftuar për funksionalizimin e Komitetit Ndërministror për Anëtarësim dhe Integrim në NATO. Cili do të jetë roli i këtij komiteti dhe kush do ta përbëjë atë?
Ramadani: Aspirata e popullit dhe institucioneve të Kosovës për anëtarësim në NATO është institucionalizuar. Ky është hapi i parë zyrtar përmes themelimit të Komitetit Ndërministror për Integrim dhe Anëtarësim në NATO. Është një mekanizëm koordinues i politikave, angazhimeve, komunikimit strategjik dhe qasjes nacionale në raportet me NATO-n. Kosova nuk është shtet neutral ushtarakisht. Ne duam të anëtarësohemi në NATO si pjesë e familjes euroatlantike për ta ndihmuar dhe mbështetur paqen, sigurinë dhe demokracinë në rajon dhe kudo nëpër botë. Shteti dhe populli ynë kanë marrë mbështetje në kohën e vështirë për ne. Tashmë 20 vjet më pas, Kosova është plotësisht e gatshme të kontribuojë për paqen dhe sigurinë në cilëndo zonë të globit. Kosova është shembulli më i mirë i suksesit në epokën tonë. Kontributi i Kosovës do të jetë krah përkrah me NATO-n kudo që mund të na kërkohet. Në bazë të kapaciteteve të specializuara të institucioneve të sigurisë, në rend të parë të FSK-së, Kosova mund të marrë përgjegjësinë për të ndihmuar popujt e tjerë në stabilizim, paqe dhe siguri. Në aspektin politik dhe diplomatik, Komiteti Ndërministror synon ta analizojë dhe rekomandojë për qeverinë rrugëzgjidhjet më të përshtatshme për avancimin e pozitës së Kosovës në raportet me NATO-n. Duke qenë se deri më tash Kosova ka marrëdhënie korrekte me NATO-n, ne sigurisht se synojmë të avancojmë këtë marrëdhënie në një fazë të fillimit të procesit të anëtarësimit.

“Epoka e re”: Më herët ju nga kryeministri jeni emëruar edhe Koordinator Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO. Cilat do të jenë përgjegjësitë e juaja?
Ramadani: Komiteti Ndërministror për NATO është konstituuar me takimin e parë që është mbajtur të enjten. Fakti që kryeministri Haradinaj ka udhëhequr vetë takimin e parë dëshmon për përkushtimin dhe vendosmërinë e tij për ta avancuar punën në këtë Komitet dhe për ta avancuar rrugën e Kosovës drejt NATO-s. Më tutje, kërkohet puna në koordinimin e institucioneve të përfshira në këtë fushë dhe ky është roli i përgjithshëm i Koordinatorit Nacional. Përgjegjësitë e kësaj detyre janë të përcaktuara në vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 18 prill 2019. Sipas këtij vendimi, përgjegjësitë kryesore ndërlidhem me punën për hartimin e platformës nacionale të politikave të integrimit në NATO, udhëheqjen dhe ndjekjen e ecurisë së këtij procesi, paraqitjen para Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratim të dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit në baza periodike. Po ashtu, përfshihet edhe komunikimi në emër të Republikës së Kosovës, sipas koordinimit me kryeministrin e Kosovës, në raport me NATO-n dhe faktorin ndërkombëtar të pranishëm në Kosovë që ndërlidhet me NATO-n apo shtetet anëtare të NATO-s.

“Epoka e re”: Emërimi juaj në këtë pozitë është kritikuar nga shoqëria civile, duke u parë si përzierje e kompetencave me Ministrinë e Mbrojtjes?
Ramadani: Kosova ka marrë shembuj të praktikave të suksesshme të shteteve të tjera, sidomos nga rajoni ynë. Ministria e Mbrojtjes është anëtare aktive e këtij Komiteti Ndërministror, duke u përfaqësuar në dy nivele lidershipi, pra edhe me Ministrin e Mbrojtjes, edhe me komandantin e FSK-së. Porse, avancimi i politikave drejt NATO-s është fushë që përfshin shumë institucione, mekanizma dhe nivele. Anëtarësimi në NATO është proces gjithëpërfshirës. Kërkon angazhim të shumë institucioneve dhe, si të tilla, koordinimi i politikave dhe institucioneve në këtë fushë është i domosdoshëm. Shtetet në rajon kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë zyra të posaçme për të koordinuar. Qeveria e Kosovës ka vendosur që ta funksionalizojë koordinimin për NATO përmes kapaciteteve ekzistuese në qeveri, prandaj në të vërtetë është shmangie e rritjes së zyrave të veçanta. Ndërsa në fushën qeverisëse të mbrojtjes, angazhimi ynë është i përbashkët në baza të përditshme. Nën udhëheqjen e ministrit Rrustem Berisha, tashmë Ministria e Mbrojtjes ka hyrë në fazë të rëndësishme të riorganizimit dhe vendimmarrjes së politikave për avancimin dhe modernizimin e sistemit të mbrojtjes në përgjithësi. Gjithçka sipas planifikimeve afatgjata, porse të koordinuara mirë me partnerët strategjikë dhe me institucionet e Kosovës.

“Epoka e re”: Sa e gjatë do të jetë rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO?
Ramadani: Kosova beson në politikën e dyerve të hapura që ka NATO-ja, edhe bazuar në Nenin 10 të Paktit Verio-Atlantik. Jam i bindur se vazhdimi i zgjerimit të NATO-s në rajonin tonë është garanci për paqen dhe sigurinë, si dhe konsolidimin e demokratizimit të shteteve. Ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin që kemi në bërjen e Kosovës të sigurt dhe të mbrojtur, sikurse edhe në ndërtimin e kapaciteteve institucionale të Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Nuk është arrogante të pretendojmë që Kosova të jetë shteti i radhës që anëtarësohet në NATO. Sidomos tashmë pas avancimit të procesit deri në hapat e fundit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. Kosova është rreshtuar institucionalisht kah NATO-ja. Në të vërtetë, do të donim që të shohim të gjitha shtetet e rajonit që t’i bashkohen NATO-s, sepse kjo është çështje që duhet ta shohin secili shtet jo vetëm për vete, por edhe për kontributin në sigurinë rajonale. Në aspektin politik e diplomatik, angazhimet e përbashkëta me NATO-n dhe me shtetet veç e veç do të jenë fokusi kryesor. Në aspektin teknik dhe institucional, Kosova ka përparësi të dukshme. Përparësia kryesore është fakti se Kosova edhe me kapacitetet ekzistuese është e ndërveprueshme me NATO-n, ndërsa të gjitha planifikimet për të ardhmen janë në përputhje me standardet e NATO-s. Pavarësisht kohës që merr, rruga e Kosovës drejt NATO-s do të jetë e sigurt.

“Epoka e re”: Kosova është duke kaluar në procese të ndryshme politike, ku jo rrallë po ndodhin kushtëzime të ndryshme. Afrimi i Kosovës me NATO-n, a mund të ndërlidhet me procese të tjera?
Ramadani: Ne jemi në fazën fillestare të procesit. Më e rëndësishmja në këtë pjesë është që Kosova kupton procesin në tërësi, rrethanat, implikimet, procedurat dhe vullnetin e deklaruar tashmë institucional. Kosova edhe sot punon me NATO-n, përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT), sikurse edhe në programin që kemi “Ndërveprimi i zgjeruar”. Bashkëpunojmë edhe me misionin e KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, për ta zhvilluar dhe mirëmbajtur sigurinë në Kosovë. Shteti ynë, në tërësi, do të kalojë nëpër disa faza drejt NATO-s. Të gjitha këto do të bëhen në koordinim të plotë.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është anuluar minimaratona 5km e cila ishte paraparë që të…