RRUGA E KUVENDIT TË LLUKËS
Arif Molliqi
1.
Te Verrat e Llukës
këtë të diel nuk mbahet Kuvendi i Pajtimit
do të mbahen gara të qenve…
“Ngjarje e rëndësishme
Të argëtohet populli…”*
mos harroni se rruga deri aty
tashmë ka ndryshuar
është një rrugë tjetër
që të çon në “Kuvendin e Qenve”
që lehin gjithë ditën
pas eshtrave
që i ka hedhur kasapi
e pyeta Komisionin për Emërtimin e Rrugëve
pse ka ndodhur kjo
më thanë
pyet anëtarët e Komisionit
që janë historianë
intelektualë
pyet Shoqatën e Qenve…
sepse është kohë
kur shoqëria mbarësohet me analfabetë
e askush nuk e di
kush i shumëzon gënjeshtrat
e kush i shton mashtrimet
2.
Verrat e Llukës nuk e harrojnë vitin 1990
kur atë ditë erdhi fillimi i guximit
e fundi i heshtjes
kur në një lendinë mes dy brigjeve
vdiq frika…
atë ditë dikush u lut
tjetri dha kushtrimin
duke e trembur kohën e fjetur
___________________
* Rrahman Dedaj