RRUGA E MOÇME
CHARLES BUKOWSKI
1920-1994
Charles Bukowski ka lindur në Andrenach (Gjermani). Dy vjet pas lindjes së tij e gjithë familja emigroi në Amerikë. Vendoset në Los Anxhelos. Aty Bukowski qëndroi gjithë jetën. Dhe, e gjithë jeta e tij është e shkruar në libra. Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë e thërrisnin Henk. Ka vdekur nga leukemia në San Pedro. Është autor i rreth librave, kryesisht poetikë. Bukowski njihet si një ndër themeluesit e rrymës “Underground” të shkrimit artistik. Shumë vepra të tij, nga përkthyes dhe botues të ndryshëm, janë botuar edhe në gjuhën shqipe.
RRUGA E MOÇME
ishte flokëzezë
nga ato që të shkallojnë fare
e që s’pushtohej lehtë
dhe për besë mbase edhe pata luajtur mendsh
por për çudi disi më priu fati dhe ajo vetë më pushtoi
në shtrat ishte vërtet mbretëreshë kënaqësie
megjithëqë ato punë nuk i bënim sall në shtrat
dhe kur ikte edhe kësaj i thosha si të tjerave
qafën e thefsh e kurrë mos u kthefsh
por rodi i tyre zakonisht kthehet
qoftë tek unë qoftë te ndonjë tjetër më i mbrapshtë se unë
bile më shpesh te çorodat se te unë
bukur moti s’e kisha parë
e kur isha në hall
dhe i kisha punët pisk
më binin ndërmend
fjalët e saj dhe qeshja vetë me vete
…kur rehatohej thoshte
kurrë nuk do të zbrisja nga kjo majë…
(i pëlqenin do këngë të përçudëta: ‘sytë e kaltër në të zbehtë’
dhe në ‘shenjtëri’, i thosha si mund të durosh këtë hallakamë…
trus! ma kthente…)
i pëshpëritja oj shtrigë flokëkuqe rri sa të rrihet
kënaqe shpirtin loçkë e shijoje kënaqësinë sa je aty…
sado që
edhe vetë e dinte se aty s’mund të rrinte
as tërë ditën as tërë natën
shkaku i motit të lig
shkaku i motit të bukur
shkaku i shkollës
dhe pasi që shijonte kënaqësinë
zbriste nga maja
e më thoshte
o teveqel
kot e ke
kurrë s’ke për të shkuar në parajsë
pse moj shtrigë flokëkuqe (vërtet donte t’i ngjyroste flokët
në të kuqe ngase ishte flokëzezë)
ke bërë shumë mëkate
po çfarë mëkatesh o jogurti im
dëgjo këndej dhe mbaje mend mirë kurrë më
mos gabo të më quash jogurt
unë jam ajkë more dështak ma kthente
derisa i binte
një hije trishtimi
e unë e quaja jogurt ngaqë njëherë ia pata lyer trupin
me jogurt në vend se me mjaltë dhe ia pata lëpirë
atë siç lëpin qeni mutin
…dhe tash së voni kur e takova
e pyeta për atë vakinë e moçme
‘pse më thoshe kurrë s’do të shkosh në parajsë…
ngase s’më ke martuar more dështak i përbetuar
por si të të martoj moj shtriga ime kur unë
i shkreti s’mund ta mbaj as veten gjallë e lëre më ty…’
u ndamë
unë vazhdova rrugës sime të moçme
e ajo
ajo si gjithnjë ktheu diku
te ndonjë çorod.
(Përktheu: Fadil Bajraj. Marrë nga numri i tretë i revistës “Akademia”)