Rruga e telegrafit (poezia dhe kënga)
Nga: Mark Knopfler (kënga “Telegraph Road”, nga albumi “Love over Gold” i grupit Dire Straits, 1982)
Përktheu nga anglishtja, për revistën “Akademia”: Aziz Mustafa
Shumë kohë më parë erdhi një njeri nëpër një shteg
Duke ecur tridhjetë milje e në shpinë barte një thes,
E lëshoi në tokë ngarkesën, diku në një breg,
Aty vuri pikën të ndërtojë një shtëpi
Aty ku iu duk më mirë, në atë egërsi.
Dhe ndërtoi një kasolle dhe një depo dimërore,
Dhe lëvroi tokën e ftohtë në breg të një liqeni,
Pastaj udhëtarë të tjerë atij shtegu kalëruan,
As u kthyen prapa, as më tutje s’shkuan,
Pastaj erdhën kishat, edhe shkollat pas tyre,
Erdhën avokatët, mësuesit dhe rregullat,
Pastaj erdhën trena e kamionë me ngarkesa,
Erdhi gjithkushi nga gjithçkaja e gjithçkafit,
Dhe rruga e pistë e vjetër u bë Rruga e Telegrafi…
Pastaj erdhën minierat e nxorën minerale,
Dhe erdhën kohët e vështira, nevoja për metale,
Se ishte kohë krize, lufta po fillonte,
Telegrafi këndonte një këngë për botën e madhe,
Rruga e Telegrafi u thellua e u zgjerua,
U bë lumë rrëmbyes, nuk ishte më përrua…
Dhe radio po tregon motin si sonte do të jetë,
Ngrica dhe acar në të gjitha pikat,
Do të ngrijnë punëtorët duke u kthyer nga fabrikat,
Trafik të dendur sonte pritet të ketë,
Gjashtë vija në një drejtim, kjo rrugë e fatit,
Tri vija të ngadalshme, Rruga e Telegrafi.
Isha mësuar të shkoja, sikur po shkoja në punë,
Kisha të drejtë për punë, por nuk po gjeja kund,
Na thanë se do të na paguanin çka kishim fituar,
Do ta korrnim atë që kishim mbjellë me mund,
Dhe zogjtë larg në telat e shtyllave të telegrafi,
Mund të fluturojnë të lirë hapësirave pafund,
Larg nga ky ftohtë, larg nga ky shi,
Mund t’i dëgjosh si këndojnë këngën e fatit,
Larg kodeve telegrafike, në Rrugën e Telegrafi…
E di se do t’i harroj, por tash i mbaj mirë në mend,
Ato net të paharruara, atje në atë vend,
Kur jeta ishte vetëm një bast mes dritave dhe territ,
Kur kokën ma vure në sup, e dorën mbi flokët e mia,
Tani duket sikur veprimet tua i ka kapur pak ftohtësia,
Por beso në mua e dashur, besomë kur të them,
Do të nxjerr nga terri, në dritë të ditës që vjen,
Do të nxjerr nga lumenjtë e dritave të kokës,
Drita minatorësh të nxirë të nëntokës,
Nga lumenjtë e shiut që të bjerë pa nda vazhdon,
Do të nxjerr nga këto rrugë ku zemërimi jeton,
Sepse kam ikur nga të gjitha dritat e kuqe si zjarr,
Që jetojnë në radhët e kujtimeve me mall,
Kam parë zhgënjimin si eksplodon në flakë,
Por nuk dua ta shoh më, e sheh se jam plakë?
Kam ikur nga të gjitha ato shenja, shenja sa një mal,
Mbishkrime “E mbyllur për sonte, na fal”
Shenja ndalese, shenja, shenja, shenja të fatit,
Prej këtu lart e deri poshtë, te Rruga e Telegrafi.