“Rruga e vdekjeve”, banorët kërkojnë ndihmën e komunës dhe të Qeverisë
Rruga e fshatit Gumnasellë dhe Qallapek e Komunës së Lipjanit, e cila bashkohet me magjistralen Prishtinë – Shkup, është e rrezikshme shumë.
Në këtë vend, duke kaluar magjistralen Prishtinë – Shkup, kanë humbur jetën disa persona.
Prej tyre, shumica ishin nxënës të shkollës fillore dhe të mesme të dy fshatrave të lartpërmendura. Madje numri i aksidenteve të veturave, traktorëve e qerreve me kuaj është pothuajse i përditshëm.
Në çdo ditë mësimi nxënësve të ciklit të lartë të shkollës fillore të mesme të ulët, të fshatit Qallapek, u bie ta kalojnë magjistralen Prishtinë – Shkup për të shkuar në shkollën e fshatit Banullë e Gumnasellë. Ata, si gjatë vajtjes, po ashtu edhe kthimit nga shkolla, janë të rrezikuar deri në skajshmëri nga qarkullimi i shpejtë dhe i shumtë i automjeteve, shkruan “Epoka e re”.
Ka dekada që banorët e Qallapekut kanë kërkuar ndihmë nga institucionet kompetente, pra jo vetëm nga komuna, por edhe ministritë kompetente për të bërë një zgjidhje që është e domosdoshme, në të kundërtën pasojat me fatalitet për banorët do të vazhdojnë edhe më tutje. Jo vetëm nxënësit e shkollës fillore, por ngjashëm janë të rrezikuar edhe studentët, punëtorët, me një fjalë i gjithë fshati Gumnasellë, banorët e të cilit duhet ta kalojnë magjistralen për të hipur në autobusin që shkon për Prishtinë dhe Lipjan.
Ndërsa qallapekasit janë të rrezikuar ngjashëm, pasi dalin për ta pritur autobusin që shkon për Ferizaj. Kështu, të shpeshta janë edhe rastet kur u ikën autobusi, sepse nuk mund për një kohë ta kalojnë magjistralen për shkak të automjeteve të shumta që janë në trafik.
Shoferët nuk i presin derisa ta kalojnë magjistralen sepse atyre u bie të presin bukur shumë.
“Nga fshati ynë ka pasur disa persona që kanë humbur jetën pasi janë goditur nga veturat. Numri më i madh i tyre kanë qenë nxënës të shkollës fillore. Për ditë këtu rreziku është i njëjtë, e sidomos në kohën kur punojnë shkollat. Edhe nxënësve të shkollave të mesme, studentëve, punëtorëve etj. u paraqitet rreziku i madh të cilët kthehen nga Prishtina për të hyrë në fshatin Qallapek, sepse duhet kaluar mbi magjistralen Prishtinë – Shkup. I vetmi shpëtim në këtë drejtim është ndërtimi i një nënkalimi për këmbësorë. Këtu duhet një ndërhyrje e menjëhershme”, ka thënë për gazetën “Epoka e re” Nysret Podrimqaku nga fshati Qallapek.
Po një shqetësim të tillë e ka paraqitur edhe banori i fshatit Gumnasellë, Ismet Emini, i cili ka thënë se ky rrugëkryq për të gjithë është “rrugë e vdekjes”.
“Nuk ka ditë që këtu nuk aksidentohet dikush nga fshati ynë”, ka pohuar ky banor i fshatit Gumnasellë, i cili ka bërë apel tek organet komunale dhe qendrore që sa më parë ta vënë nënkalimin në këtë rrugëkryq.
Rreziqe në kalimin e magjistrales Prishtinë – Shkup ka edhe në fshatin Llugaxhi dhe Babush i Muhaxherëve si dhe në Banullë e Konjuh, mirëpo dalja e këtyre banorëve në magjistralen në fjalë është më e vogël, sepse aty shumë rrallë kyçen banorët e një fshati.
/Epoka e re/