Rrugët e Drenasit të kalueshme, vështirësi në disa zona malore
Komuna e Drenasit ka njoftuar se për shkak të reshjeve të pandërprera të borës të shoqëruara edhe me erëra, është vështirësuar qarkullimi në rrugët e kësaj komune.
Megjithatë, dy kompanitë e kontraktuara nga komuna e Drenasit së bashku me organin mbikëqyrës, janë në terren që nga dita e djeshme dhe janë duke punuar vazhdimisht që rrugët të jenë të hapura.
“Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, qysh në orët e hershme ka angazhuar kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve. Fillimisht është intervenuar në fshatrat më të thella, si Abri, Gradicë, dhe Nekoc dhe në rrugët kryesore te të gjitha fshatrave. Të gjitha rrugët janë të kalueshme, në zonat e thella malore ka disa vështirësi, por përgjithësisht rrugët janë të kalueshme dhe dy kompanitë janë duke vazhduar me pastrimin e rrugëve dhe janë të gatshme përgjatë 24 orëve të jenë në shërbim”, është thënë në njoftimin e komunës së Drenasit.