Rrugët e Ekuadorit kundërmojnë erë kufomash
Rrugët e qytetit Guajakil (Guayaquil) në Ekuador janë shkretuar për shkak të koronavirusit. Përveç atyre që janë mbyllur në shtëpi, trupat e pajetë të personave që kanë humbur jetën kanë mbetur në mes të rrugës, pasi askush nuk shkon t’i marrë.
Në videot e siguruara nga CNN dhe fotot e “Reuters”-it, pamjet janë tepër të rënda. Pandemia e koronavirusit ka mbingarkuar sistemin shëndetësor në qytetin me më shumë banorë të Ekuadorit, duke e çuar drejt kolapsit.
Spitalet nuk kanë më vend për t’i shtruar pacientët e sëmurë, ndërsa në morg dhe shtëpitë funerale ka filluar të ndihet presioni. E duke qenë se nuk kanë ku t’i mbajnë të vdekurit, njerëzit po i lënë ata jashtë shtëpive, në mes të rrugës.
Zyrtarisht, sipas Universitetit “John Hopkins”, deri më 4 prill numri i viktimave në të gjithë vendin nuk i kalon 150, por mbetet e paqartë se sa vetë po vdesin atje për shkak të COVID 19.
Shumë familje thonë se njerëzit e tyre të afërt kanë shfaqur simptoma të koronavirusit, ndërsa të tjerë thonë se nuk kanë mundur as të futen në spital për shkak të mbipopullimit.
Sido që të jetë e vërteta, trupat e pajetë nëpër arkivole, ose më keq akoma, të mbështjellë në plastmasë, kanë mbetur rrugëve prej ditësh, ndërsa era kundërmuese ndihet ngado.
Të dhënat e autoriteteve kombëtare tregojnë se në qytetin me thuajse 3 milionë banorë janë tërhequr deri tani 300 trupa të pajetë nga banesat private, vetëm në periudhën 23-30 mars 2020, ndërsa një oficer i ushtrisë tha se kapacitetet ishin për të mbledhur deri në 150 trupa të pajetë në ditë. Megjithatë, provat në rrugë janë të pakundërshtueshme dhe sistemi është vënë në dyshim.
E ndërsa ekspertët e shëndetësisë kanë deklaruar se presin që vetëm në Guajakil numri i të vdekurve të arrijë nga 2500 deri në 3500, javët e muajt e ardhshëm parashikohen edhe më të zymtë.