Rrugët e fshatrave në Shqipëri të bllokuar nga bora
Reshjet e borës kanë vazhduar edhe gjatë natës së mbrëmshme dhe mëngjesit të sotëm duke zbritur deri në zonat e ulta.
5-10 cm borë ka rënë në Lezhë, por superstrada Lezhë-Fushë-Krujë, që dje ishte me probleme, sot kalohet lirisht nga automjetet.
E rënduar është situata në Bulqizë, ku reshjet e dendura të dëborës kanë bërë që rruga Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Burrel të kalohen me shumë vështirësi me zinxhirë.
Të bllokuara janë rrugët Bulqizë-Krastë, Qafë e Buallit-Zona D si dhe Ura e Çerenecit-Stëblevë.
Të izoluar janë dhe njësitë administrative Trebisht, Ostren, Martanesh dhe shumë fshatra të njësive Fushë-Bulqizë, Zerqan dhe Shupenzë. Trashësia e dëborës në qytet është 30 cm, ndërsa në njësitë adminstrative varjon nga 50 deri në 80 cm.
Ka vazhduar edhe sot bllokimi i punës në minierat e Zonës D dhe të Martaneshit.
Po ashtu, ka edhe ndërprerje të mësimit.
I bllokuar është ndërkohë aksi Librazhd-Stëblevë. Rruga Elbasan-Gjinar kalohet vetëm me zinxhirë.
Mësimi nuk zhvillohet në Labinot-Mal dhe fshatrat e tij dhe në Gracen.