
Rrugëtimi i gjatë i Ismail Qemalit nëpër Myzeqe dhe Mitingu i Fierit më 25 nëntor 1912
Ismail Qemali
(1844-1919)
Myzeqeja i priti me çetat e saj burrat e ndritur të Pavarësisë së Shqipërisë.
Kur Perandoria Osmane po numëronte ditët e saj të fundit nëpër Gadishullin Ilirik dhe po tërhiqej e mundur dhe e turpëruar prej këtij rajoni, më 14 tetor 1912-të në shtëpinë e atdhetarit tonë Sali Gjuka në Shkup, u mbajt një kuvend i jashtëzakonshëm i “Komitetit të Shpëtimit Kombëtar “ dhe i shoqatës “Shoqëria e Zezë për Shpëtim Kombëtar”. Në këtë tubim morën pjesë patriot të mëdhenj si Sali Gjuka, Bedri Peja, Mit’hat Frashëri, Rexhep Mitrovica, Nexhip Draga e shumë veprimtar të tjerë. Kjo mbledhje formuloi edhe një shpallje (proklamacion) për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi i shteteve shoviniste ballkanike fqinje. Më 16 tetor 1912-të, ky dokument ju dërgua edhe “Fuqive të Mëdha” evropiane dhe konsullatave austro-hungareze, gjermane, ruse, franceze dhe asaj italiane. Në fund të këtij takimi u morë dhe një vendim, në të cilin thuhej se, shqiptarët nuk do ti njohin kurrë krijesat “Stara Sërbija “, apo ”Epirin Grek”, që pretendonin shovinistët e Athinës dhe ata të Beogradit. Kuvendi i Shkupit dërgoi pa vonesë edhe një delegacion që udhëtoi për në Tiranë, Durrës e Elbasan, të cilit ju bashkuan edhe patriot të tjerë si Dom Nikoll Kaçorri, Mustafa Kruja dhe Abdi bej Toptani. Këta atdhetar formuan edhe “Komitetin e Përkohshëm të Shqipërisë”, që të përgatiste Kuvendin për shpalljen e Pavarësisë.
Në këto momente, burri i lavdishëm i Popullit Shqiptar, Ismail Qemali, i cili gjithë jetën ja kushtoi kombit të vet dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke qenë gjithmonë në lëvizje e udhëtime për realizimin e këtij misioni, ai pasi kreu edhe punimet e Kuvendit të Dytë në qytetin e Fierit, u nis përsëri për në Stamboll. Lufta e parë ballkanike që kishte filluar pothuajse qysh në tetor të vitit 1912-të me krijimin e “Aleancës Ballkanike” të shteteve ortodokse e përshpejtoi edhe më tepër veprimtarinë e plakut të Vlorës, për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kështu Ismail beu, më 3 nëntor 1912-të e la Stambollin dhe shkoi në Bukuresht, për të biseduar me shoqatat e zjarrta të komunitetit shqiptar të Rumanisë. Patriotët tanë të Bukureshtit organizuan një mbledhje me Ismail Qemalin në hotelin “Kontinental” dhe aty me insistimin e tyre u vendos unanimisht njëzëri, që Ismail Qemali të kërkonte shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe jo Autonominë e saj, nën vartësinë e Shtetit Turk. Kjo mbledhje e ngarkoi gjithashtu diplomatin tonë, që të niset sa më parë për në Vjenë me delegacionin e tij dhe të siguronte atje përkrahjen e Fuqive të Mëdha perëndimore, për ta shpallur Shqipërinë të pavarur. Me mbështetjen pa rezerva të Kryeministrit të Rumanisë Taqe Junesku dhe ndihmën (dhuratën) e tij financiare prej 500 mijë franga ari, Ismail Qemali u nis për në Hungari dhe Austri.
Gjatë vizitës së tij në Budapest, më datën 8-të dhe 9-të nëntor 1912-të, burri ynë i ndritur lab mori takime të rëndësishme me kontin, zotin Hadik nënsekretar i shtetit dhe Ministrin e Jashtëm Austro-Hungarez zotin Graf Bertholf, të cilēt me miratimin edhe të diplomacisë Italo-Gjermane, i dhanë atij një mbështetje të fuqishme, për të kryer sa më parë shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë. Delegacioni ynë me në krye Ismail Vlorën, pasi u largua nga Budapesti shkoi për në Vjenë, ku bisedoi edhe me diplomatët e lartë italian e anglez, duke marë edhe pëlqimin e tyre për Pavarësinë, pastaj e la Austrinë dhe më 18 nëntor 1912-të arriti në Trieste. Nga ky qytet, mjekërbardhi ynë kaniniot, i dërgoi urgjent një telegram “Komitetit Përgatitor për Shpalljen e Pavarsisë”, ku kërkonte sigurimin e pjesëmarrjes së përfaqësueseve të popullit në “Mbledhjen e Kuvendit Kombëtar” , që mund të mbahej në Durrës, apo edhe në Vlorë.
Shumë atdhetar që ishin dëshmitar të këtyre ngjarjeve të mëdha e të vrullshme, kanë thënë, se me orientim të Ismail Qemalit “Kryetar i Organizimit të Mitingut të Kuvendit për Shpalljen e Pavarësisë, në rast se ajo do të dështonte në Durrës dhe do të bëhej në Vlorë”, u caktua kolosi i zjarrtë i atdhetarizmit, oratori, politikani i guximshëm, diplomati i zgjuar, luftëtari trim dhe profesori ynë i ndritur nga Shën Pjetra e Fierit Jani Kostandin Minga dhe jo nipi i tradhtarit Esat Pashë Toptani, apo Xhemil bej Vlora.
Në mbrëmjen e datës 19-të nëntor 1912-të, kolosët e mëdhenj të kombit tonë u larguan nga Triesta me vaporin austriak “Baron Bruce”, që u kishin vënë në dispozicion autoritetet e larta shtetërore të Qeverisë së Vjenës. Pas disa orësh udhëtimi nëpër valët e egërsuara të Adriatikut, ata së bashku me Ismail Qemalin në krye, zbarkuan në Durrës.
Llazar Mihal Bozo
(1882 – 1956 Ardenicë Lushnje)
Patriot, luftëtar, mësonjës, pavarësisht, komandant i çetës së Ardenicës, priti në Durrës, shoqëroi gjatë udhëtimit nëpër Myzeqe e Vlorë dhe mbrojti fizikisht Ismail Qemalin kur shpalli Pavarsinë më 28 nëntor 1912-të. Fotografia është marrë në internet.
Patrioti Jani Minga, që i ndiqte me kujdes këto ngjarje nga Vlora, kishte siguruar informanta të sakta dhe tepër të besueshme, se Ismail Qemalin nuk do ta lejonin forcat turke, klerikët islamik, Kisha Greke dhe mercenarët e tyre shqipfolës, që të shpallte Pavarësinë në Durrës. Me të marrë këto njoftime, ai patë biseduar me luftëtarin e shquar të “Komitetit të Fshehtë të Fierit” Llazar Bozo nga Kolonja e Ardenicës, që të nisej urgjent në Durrës dhe të merrte masa për pritjen dhe mbrojtjen fizike të Ismail Qemalit, detyrë të cilën trimi myzeqar me dy kobure në brez e filloi menjëherë, sapo plaku vlonjat zbriti nga vapori austriak dhe i shkeli këmba në portin e Durrësit.
Këtë natë diplomati ynë i ndritur me suitën e vet që e shoqëronte, u strehua në hotelin “Kostandinopoja” të mikut të tij Aziz Pashë Vrioni, që ndodhej në buzë të detit, nën masat e rrepta të sigurisë, që ishin marrë qysh më parë nga luftëtari trim i Ardenicës Llazar Bozo, por edhe prej patriotëve Dom Nikoll Kaçorri, Abdi Toptani e të tjerë.
Më datën 22 nëntor 1912-të, Ismail Qemali mbajti edhe një fjalim me përfaqësuesit e Durrësit, duke folur para tyre për vuajtjet e mëdha të popullit tonë gjatë pesë shekujve nën pushtimin e egër osman dhe qëllimin e ardhjes se tij, për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më datën 28-të të vjeshtës së tretë.
Forcat turke, dhespoti grek Jakov së bashku me Myftiun, të cilët mbronin interesat e Stambollit e të Athinës dhe zbatonin urdhrat e Qeverisë Osmane, nuk e lejuan kurrë mbledhjen e një kuvendi të tillë në qytetin e Durrësit, ku mbizotëronte edhe një situatë tejet e trazuar e gati në gjendje lufte.
Delegacioni ynë, megjithëse u përpoq mjaft, që Pavarësia të shpallej patjetër në këtë qytet të lashtë e me histori të ndritur, por duke parë edhe përgatitjet e pamjaftueshme për kryerjen e këtij kuvendi, si dhe mësymjen e ushtrisë serbe nga veriu, që i ishte afruar Krujës, Ismail Qemali vendosi të marrë shpejt rrugën dhe të udhëtonte sa më parë drejtë Vlorës, për realizimin këtij misioni të shenjtë. Për këtë qëllim thuhet se, në këto momente kaq të rënda e të pafavorshme në Durrës, arkitekti ynë i Mëvetësisë, si diplomat i një rangu të lartë që ishte, me shpejtësi hodhi në veprim planin e dytë të tij, atë të Vlorës, duke aktivizuar menjëherë shokun e vet besnik të idealit, myzeqarin trim erudit Jani Minga, që të fillonte sa më parë përgatitjet e nevojshme për organizimin e Mitingut të Shpalljes së Mëvetësisë, të cilin e kishte caktuar qysh më parë si përgjegjës kryesor i kësaj feste të madhe e mbarëkombētare.
Ditën e shtunë, më datën 23 nëntor 1912, para hotel “Kostandinopoja”, ku ishte strehuar arkitekti ynë i Mëvetësisë me shpurën e tij, qysh herët në mëngjes ishin grumbulluar mjaft njerëz e sehirxhinj, një grup xhandarësh që mbronin rendin, disa kuaj të shaluar dhe një qerre e mbuluar me rrogoz sipër rrapinave, para së cilës qëndronin dy buaj të mëryer, të cilët ishin bërë gati për të marrë rrugën e gjatë drejtë Myzeqesë.
Jani Kostandin Minga
(1872-1947 Shën Pjetër Fier).
Patriot, mësonjës, luftëtar, Kryetar i Komisionit të Organizimit të Mitingut për Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë, firmētar i Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Jani Minga, pasi mësoi se në Durrës ngjarjet nuk po shkonin mirë, ai qysh më datës 21 nëntor 1912-të dërgoi menjëherë një lajmëtar në fshatin Shën Pjetër të Fierit dhe thirri urgjent për takim në Vaun e Mifolit dy nga komandantët e çetave myzeqare, Llazi Spiron dhe mësonjësin at Kozma Dhimën. Profesori urdhëroi dy luftëtarët, që të ngrinin katër çetat e bregdetit të Myzeqesë dhe të shkonin me urgjencë në Shkumbin, për të pritur Ismail Qemalin me shokët e tij dhe ti sillnin ata shëndosh e mirë në Vlorë. Këta dy kapedanë fierak, pasi morën urdhrin nga Kryetari i Komisionit të Organizimit të Mitingut të Vlorës, profesori Jani Minga, ata u kthyen përsëri nxitimthi në Myzeqe dhe pa vonesë filluan kryerjen e detyrës së tyre luftarake në bazë të porosive të marra prej tij.
Llazi Koli Spiro
(1872-1945, Shën Pjetër Fier)
Patriot, luftëtar, këngëtar, poet, komandant i çetës së armatosur të Pojan-Shën Pjetër-Boçovë. Me çetën e tij, ai shoqëroi dhe mbrojti Ismail Qemalin në dy kuvendet e Fierit dhe gjatë udhëtimit të tij nëpër Myzeqe e Vlorë kur shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912-të. Po kështu ai ruajti fizikisht edhe ndërtesën ku zhvilloi punimet Kongresi i Lushnjes më 21-31 janar 1920-të. Ish komandant i batalionit “Myzeqeja” që luftoi me trimëri të rrallë për çlirimin e Vlorës më 1920-të, ku edhe u plagosë gjatë betejave që drejtoi në këtë luftë.
Ja si i përshkruan Andy Apolloni në një nga poemat e tij përpjekjet e profesorit tonë Jani Minga dhe të patriotëve myzeqar me katër çetat e tyre të bregdetit që shkuan në Shkumbin dhe morën në mbrojtje flamurtarin e lirisë, duke e prurë atë në Vlorë dhe ruajtur fizikisht deri sa shpalli edhe Pavarësinë.
Llazi Spiro e shaloi kalin.
Shkoi të pres Ismail Qemalin.
1.
Kishte javë të tëra, shi rridhte nga qielli
Dymbëdhjetë seneja, vjeshtë e tretë po dilte
Për çdo ditë pritej, që të hapte dielli
Bënin zjarr rrufetë, kudo shkreptinte
2.
Që nga Skelë e Vlorës, lajmëtari erdhi
Anës së Lumit të Vdekur dhe një kartë po sillte
Shumë i rëndësishëm, na kish qenë haberi
Te Kishë e Shën Pjetrës, u pa që po vinte
3.
Llazi Spiro trimi, se çi hipi kalit
Nëpër shi e breshër edhe vetëtima
Fluturoi shpejt, si shqiponjë e malit
Në Kolkondas shkoi, për te Kozma Dhima
4.
Të dy bashkë i ranë, mësipërmes gjolit
Dyfekët në krah, qeset plot me plumba
Bënë larg tutje, nga Vau i Mifolit
Se atje i priste, urgjent Jani Minga
5.
Profesori foli dhe dha porositë
Duan të na ndajnë, o ju toskë dhe geg
Mëmëdheu është, në rrezik këto ditë
Kërkojnë të na copëtojnë, serb, turq e grek
6.
Por ne do ti mbrojmë, trojet nga hordhitë
Dhe po qe nevoja, do të bëjmë dyfek
Ti tregojmë tërë botës, prap trimëritë
Se asnjë i huaj, ato s’mund ti prek
7.
Në Pojan e Seman, sapo që të vini
Ngrini të gjithë burrat, në tërë Myzeqenë
Me të katër çetat, në Shkumbin të dilni
Dhe te Vau i Kishës, prisni Ismail beun
8.
Ndaj jeni të lutur, shumë mos u mbodhisni
Se me Llazar Bozon, nga Durrësi po vjen
Dhe shëndosh vëllezërit, në Vlorë të mi sillni
Që ta shpëtojmë bashkë, sot mëmëdhenë
9.
Në Shën Pjetër prap, si rrufeja mbriti
Dhe shkoi e takoi, papa Iraklinë
Pastaj të dy çetat, në këmbë se çi ngriti
Fluturim u nis, drejt për në Shkumbin
10.
Në Çiflig ndali, kalit se çi zbriti
Dhe e poq me mall, vet Ismailnë
Retheqark tij, rojet se çja qiti
Me dyfek në dorë, kobure e martinë
11.
Ja mirë se na erdhe, se çi the o burrë
A të lodhi rruga e gjatë nëpër dete
Ty të ruajtë Zoti, ç’lajm që na ke prurë
Shqipërinë tonë, për ta bërë më vete
12.
Edhe myzeqarët, s’të harrojnë ty kurrë
Se ke hequr shumë, halle edhe derte
Për të na mbrojtur nderin, komb edhe flamur
Brodhe tërë Europën, luftë me dyzet shtete
13.
Urove të parin, Spiro Saqellarin
Dhe pastaj me rradhë, tërë burrat e tjerë
Erdhi koha jonë the, vakti për shqiptarin
Vendin errësira, dritës do t’ja lerë
14.
Sot është ditë e madhe dhe për myzeqarin
Që luftoi pesë shekuj, me turq e asqer
Ardenicë e Shenjtë po pret flamurtarin
Prandaj le të shkojmë sa më shpejt në Fier
15.
Në Fier Tonç Kilica, bashkë me njerëzit doli
Dhe të gjithë vëllezërit, po i përshëndet
I gëzuar shumë para tyre foli
Ismail Qemali, të paçim për jetë
16.
Na e morë të keqen, për jetë Anadolli
Asqerët e fundit, i mbytëm në det
Bashkë me të e thyeu, qafën dhe Stambolli
Tani punët tona, do ti bejmë vet
17.
Nga çdo anë trimat, takijet si borë
Priftërinjtë me Plakun, se çi vunë në mes
Të gjithë gati rrinin, me armë në dorë
Sepse tradhtisë, nuk i vihej besë
18.
Llazi Spiro trimi, e priu këtë tabor
Por askush s’guxoi rrugën që t’ja pres
Dhe shëndoshë, vëllezërit i pruri në Vlorë
Një nder shumë të madh, i la Myzeqesë
Kështu, karvani i pavarsistëve, i pērbërë nga 20-30-të burra trima, me plakun tonë legjendar në krye, e lanë Durrësin herët dhe nisën udhëtimin e tyre të lavdishëm e historik drejt jugut, për ta shpallur Shqipërinë më vete dhe krijuar Shtetin Shqiptar, pas pesë shekujsh të okupuar nga Perandoria Osmane. Thuhet se gjatë rrugës, duke kaluar nëpër Kavajë, tabori i shpresës tonë të madhe, u sulmua nga disa ekstremist islamik të paguar, të cilët kanë qëlluar edhe me gur në drejtim të tij, por ndërhyrja energjike e patriotit dhe e luftëtarit tonë të shquar nga Ardenica Llazar Mihal Bozo dhe e Luigj Gurakuqit, bëri të mundur largimin e tyre dhe shmangëjen e një konflikti të armatosur. Duke parë motin e keq të asaj dite, plot me reshje e furtuna shiu, bagazhet e rënda që kishin me vete dhe vështirësitë e mëdha të rrugës, Llazar Bozo takoi disa miq të tij vlleh (çoban) në Kavajë, të cilët ishin mjaft të njohur për veprimtarinë e tyre patriotike. Ai sëbashku me ta shkoi për ndihmë te karrocieri atdhetar Qazim Merhori dhe i ka kërkuar atij, që të vinte në dispozicion të taborit kaloshinën e tij të vogël, kundrejt edhe një pagese deri në lumin Shkumbin. Ky burrë i nderuar e pranoi me kënaqsi një propozim të till dhe me dëshirë të zjarrtë ju bashkua menjēherë karvanit të Mëvehtësisë, duke prirë në ball të tyre drejt Rrogozhinës.
Po këtë ditë, patrioti lushnjar Nebi Sefa, ish anëtar i “Komitetit të Fshehtë të Fierit” i njoftuar nga Llazar Bozo prej Durrësit dhe Jani Minga prej Vlorës, sëbashku me nipat dhe miqët e tij të armatosur Sefer, Mesut dhe Nuri Murrizi nga Shën e Premtja e të tjerë, shkuan urgjent drejt Kavajës dhe te ura e Draçit, në fshatin Gosë u bashkuan me pavarsistët, duke u prirë atyre rrugën drejt Myzeqesë.
Ja si paraqet në poemën ”Pavarsistët Myzeqar” patrioti dge firmëtari i Deklaratës së Pavarsisë, Nebi Sefa, që kontribuoi aq shumë për çështjen tonë kombëtare dhe shkollën Shqipe:
Nebi Sefa
(1861-1942 Lushnje)
Patriot, pavarësisht, firmëtar i Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Fotografia është marë në internet.
63.
Dhe ky Nebi Sefa, na kishte qenë burrë
Trimëri të rrallë, në çdo vend rrëfeu
Nga Lushnja në Kavajë, me kalë çu turrë
Në Çermë Biçak, këtë natë e zbreu
64.
E poqi vet plakun, tonë me flamur
Dhe në kuvend me të, dy fjalë këmbeu
Ne pas i tha, s’do të shkojmë më kurrë
Tashti shpëtohet, nga ne Mëmëdheu
Shumë myzeqar kanë treguar, se pavarsistët tanë, kur i janë afruar Rrogozhinës e cila ishte e mbuluar plot me ujë, ata u ndalën larg saj, zbritën prej kaloshinës dhe ju drejtuan lumit në këmbë, ndërsa karrocieri Qazim Merhori është kthyer përsëri në Kavajë dhe nuk ka udhëtuar me karvanin e tij nëpër Myzeqe. Pavarësisht se në ndonjë shkrim të kohëve të fundit, ku pretendohet, sikur ky karrocier ka rrugëtuar gjer në Vlorë, duke shoqëruar taborin e Pavarësisë, kjo nuk është e vërtetë dhe nuk duhet besuar si e tillë, pasi kaloshina e tij nuk mund të kalonte mbi një lundër të vogël lumin e egërsuar të Shkumbinit, por edhe atë të Semanit e Vjosës së atyre ditëve, që kishin vërshuar dhe dalë prej shtratit të vet.
Ismail Qemali mysafir në odën myzeqare të Dërvish Biçakut.
Dërvish Biçaku
(1874-1952 Çermë Biçak Lushnje).
Patriot, kryeplak, pavarsist.
Fotografia është marë në internet.
Me të mbërritur në Rrogozhinë, tabori i shpëtimit kombëtar e hodhi edhe lumin Shkumbin me sandall(lundër) në Vaun e Kishës. Pasi bënë një copë rruge të shkurtër, të gjithë trimat këtë mbrëmje, më 23 nëntor 1912-të, ranë si mysafir për darkë në Çermë Biçak, te sarajet e Dërvish Biçakut. Një pjesë e pavarsistëve tanë gjatë kësaj nate u strehuan edhe tek shtëpia e patriotit tjetër çermanak Behxhet Hydi. Të dy këta myzeqar fisnik, të përmendur edhe për mikpritje e bujari të rrallë në odat e tyre me zë të asaj kohe, i bënë një respekt të madh diplomatit tonë të shquar Ismail Qemali dhe shokëve të tij, të cilët kishin ardhur nga larg, plot mundime e sakrifica, për të shpëtuar popullin dhe Shqipërinë, që vuanin për pesë shekujsh nën robërinë turke.
Në poemën “Pavarsistët Myzeqar” kanë zënë një vend të nderuar edhe patriotët tanë myzeqar Dërvish Biçaku dhe Behxhet Hydi, që pritën si mysafir, këta dy viganë të popullit tonë, në ato ditë të mëdha nëntori të vitit 1912-të, gjatë udhëtimit të tyre nëpër krahinën e Myzeqesë.
43.
Qe burrë edhe trim, ai Dërvish Biçaku
Fis plot me zë, ky ish në këtë nahije
Të gjithë i priste, mjaft mirë çermanaku
Dhe për çdo natë, kish miq shtëpie
44.
Po lum cilin mik, ai pat tek oxhaku
Ky myzeqar fisnik dhe derë bujarie
Plot me dritë e lezet, ju mbush konaku
Kur na i shërbeu, me zemër këtij zotrie
45.
Mysafir na priti dhe Behxhet Hydi
Për ta të hapur e mbante portën
Brenda në shtëpi, të gjithë miqtë i futi
I mbushi plot, dy konakēt dhe odën
46.
Të tërë pranë vatrës, me rradhë i ungji
Dhe zjarr u ndezi, që na u ngrohën
Pastaj zotërinjtë, të gjithë se çi bujti
Që t’ia begenisnin, pakëz dhe sofrën
Pa përfunduar mirë përshëndetjet midis burrave të shtëpisë dhe miqve të ardhur nga Durrësi, përpara portës së patriotit çermanak, ja behu kaluar edhe kasneci lajmëtar nga Lushnja. Ai i zbriti shpejt kalit të tij dhe i dorëzoi mësonjësit trim Llazar Bozos, shoqëruesit të Ismail Qemalit dhe Nebi Sefës telegramin e ardhur prej Janine, në të cilin ishte shkruar:
“Ismail beun me gjithë shokë, të gjallë, ose të vdekur ta shtini në dorë “.
Kush ta dha këtë telegram i tha lajmëtarit kapedani i Ardenicës?
Kasneci rreth të pesëdhjetave tha se:
“…Këtë kartë mua ma dhanë komandanti i xhandarmërisë së Lushnjes Ibrahim Borshi, së bashku me Emin bej Vokopolën”.
Pasi patrioti myzeqar njoftoi plakun tonë mjekërbardhë Ismail Qemali, ai u shpreh:
“Pa dëgjo, pa dëgjo…unë erdha këtu për një ide, që të shpëtoj Atdheun tonë prej skllavërisë së armiqve…Në qoftë se unë kthehem prej këndej dhe futem në konsullatë, ose iki e shpëtoj jetën time, ideja ime për shpëtimin e Atdheut fluturon dhe ikën bashkë me mua. Në qoftë se ja mbërrijmë Vlorës, dëshira jonë plotësohet. Po qe se do të vritem, le të mbetem dëshmor e theror për Atdheun e dashur. Pra, hajde nisemi tha Ismail beu”.
Kjo gjendje e nderë e krijuar nga ky njoftim, që fliste çartë për futjen në grackë dhe eliminimin fizik të prijësit tonë të kombit, bëri të mundur që karvani i pavarsistëve tanë të ndryshoj drejtim dhe të merrëte rrugën e gjatë, të vështirë dhe plot me rreziqe të Divjakës, për të shkuar në Fier dhe Vlorë. Këtë mbrëmje, gjer në orët e vona të natës, ku qenë prezent edhe patriotët Halit Libohova dhe Teki Halit Libohova, si dhe delegatët e Durrësit e të Krujës, pranë sofrës bujare të odës së Dërvish Biçakut, diplomati ynë i ndritur kaniniot foli gjatë për vuajtjet pafund, mjerimin e madh dhe skllavërinë 500-të vjeçare të popullit tonë, që i shkaktuan atij okupatorët osmanllinj të Anadollit dhe sulltanët vrastar turq. Ai akuzoi rëndë gjithashtu edhe armiqët tanë fqinj sërbo-malazez e greko-bullgar, që nuk e dëshironin kurrë Pavarësinë e Shqipërisë dhe i demaskoi ashpër qëllimet e tyre keqëdashëse, për të na coptuar dhe për tu privuar dëshirën popullit tonë, që të jetonte në liri.
Komandanti i xhandarmërisë së Lushnjes Ibrahim Borshi, i njohur si një oficer tepër besnik i okupatorëve osman dhe organizator i pritave vrastare, filloi operacionin e tij të dyshimtë, për futjen në kurth dhe arrestimin, apo asgjësimin fizik të shenjtorit tonë Ismail Vlora. Nga njera anë, ai dërgoi telegramin për të vërtetuar ardhjen dhe vendndodhjen e diplomatit tonë të shquar, ndërsa nga ana tjetër në fshehtësi të plot e pabesi, ky zabit urdhëroi togerin Mefail Aga dhe dy taborët me asqer e radif, të cilët i vendosi si kusar në katundin Gramsh, që ta fuste në grackë e vënë në pranga plakun tonë të urtë vlonjat. Kjo lojë kriminale e kryexhandarit turkoshak Ibrahim, u zbulua shpejt nga populli ynë vigjilent myzeqar i këtyre katundeve. Kështu këtë mbrëmje plot me shi mbi 40 patriot lushnjar, rrokën armët, shkuan rreth sarajeve të Dërvish Biçakut dhe e ruajtën Ismail Qemalin gjithë natën deri në mëngjes sa zbardhi dita. Thuhet se këta myzeqar atdhetar kishin prurë me vete edhe dy varka druri, të cilat i kishin bashkuar me breza(binar) të gjatë, duke krijuar kështu një platformë monolite lundruese, për kapërcimin e valëve dhe dallgëve të kënetës. Kur plaku ynë i ndritur vlonjat u informua rreth kësaj ngjarje, për të cilën nuk kishte dijeni askush, ai ishte gëzuar aq shumë nga ky akt i lartë heroizmi, saqë i shkuan edhe lot gëzimi përmbi faqe. Ai donte ti takonte e falënderonte të gjithë këta trima myzeqar, por koha e kufizuar nuk e priste, se duhej nisur sa më parë drejtë Divjakës e megjithatë, ky tribun popullor, tepër mirënjohës e la amanet që t’ia kryenin këtë porosi kaq humane, veprim të cilin e bëjnë zakonisht vetëm liderë të mëdhenj dhe me virtyte të larta.
Moti vazhdonte të ishte shumë i keq. Kishte javë të tëra që shiu binte papushim dhe herë herë vērshonte edhe me rrebeshe e shtërngata të furishme. Këneta e Tërbufit atë fund nëntori ishte fryrë shumë nga ujët dhe i ngjasonte një deti pafund, plot me dallgë të harbuara, që shkonin me rrëmbim drejt perëndimit. Dërvish Biçaku, Behxhet Hydi dhe Sefer Murrizi nga Shën e Premtja, i dërguan menjëherë haber patriotit Vasil Lala në Bishçukas, që të vinte urgjent e sa më parë në Çermë Biçak.Të tre këta burra atdhetar të nderuar, që ishin edhe paria e asaj zone, nuk vunë gjumë në sy fare këtë natë vjeshte të shënuar, që pritën mysafirët e tyre kaq të lartë, të kryesuar nga Ismail Qemali i Kaninës dhe Luigj Gurakuqi i Shkodrës. Ata biseduan së bashku deri vonë atë mbrëmje dhe rrahën mendimet midis tyre, për të gjetur mënyrat dhe mjetet e nevojshme, sesi dhe ku mund ta kalonin të nesërmen Tërbufin, duke i prirë vet taborit të pavarsistëve.
Kapedani Vasil Lala nga katundi Bishçukas i Divjakës, një pinjoll i luftëtarit trim Trifon Lala, që drejtoi kryengritjen antiturke të Karatoprakut në Myzeqe më 1840-të, qëndronte vazhdimisht në pritje, që të merrte ndonjë haber nga shokët e tij patriot të Kolkondasit, Ardenicës e Fierit, për të mësuar se si po shkonin punët në Durrës, mbi fatin e Shqipërisë me mbritjen e Ismail Qemalit. Me të marrë njoftimin, ky myzeqar i përmendur për atdhetarizëm, vuri koburen në brez, mbreu dy buajët e tij në qerre, hodhi rrogozin e kashtës mbi rrapina, çau gjithë dallgët e Tërbufit në Vijën e Ngjalës dhe pa zbardhur dita, më 24 nëntor u gjend përpara sarajeve të Dërvish Biçakut, rrëfejnë edhe sot stërniprit e tij, por edhe populli i Biçukës e i Divjakës. Ata përmendnin shpesh edhe fjalët e këtij atdhetari të pashoq në të gjallë të tij, kur u thoshte me modesti dhe shkurt bashkëfshatarëve të vet:
“Afër Çermë Shkumbinit i vajta në ndihmë grupit të patriotëve, duke shtruar edhe lesën për të kaluar qerret me Ismail Qemalin e shokët e tij, ku i rashë disa herë me qerren time edhe Vijës së thellë të Ngjalës…”.
Harta e rrugës ku kaloi Ismail Qemali nëpër Myzeqe nga data 23-25 nëntor 1912-të.
Myzeqarët gjithashtu rrëfenin, se plaku vlonjat, që ishte aq shumë i shqetësuar dhe mendohej vazhdimisht, se qysh do ti hidhte dallgët e kënetës, kur e pa atë mëngjes burrin trim Vasil Lala, nga gëzimi e takoi me mall dhe e falënderoi së tepërmi për korrektësinë, guximin dhe gatishmërinë që tregoi ky myzeqar, duke i shërbyer vatanit të vet në atë kohë të vështirë, të një moti të egër dhe plot me rreziqe të mëdha. Në poemën “Pavarsistët Myzeqar” është përshkruar edhe ky moment, kur diplomati ynë e takoi dhe u përshëndet me këtë myzeqar të dëgjuar, të këtyre anëve të bregdetit, në grykëderdhje të lumit Shkumbin.
85.
Dhe ky Vasil Lala, që prej Bishçukës
Një emër i ndritur, i tërë kēsaj dere
Qe trim, me besë dhe burrë i pushkës
Se çi mbreu të dy buajtë e tij në qerre
86.
E vuri shpejt dhe rrogozn’ë e truskës
Lart mbi dy rrapinat, njësoj si çadere
I çau gjithë dallgët dhe valët e Tërbufës
Në Çermë na u gdhi brenda një ore
89.
Ti rrofshë i tha plaku, o more Vasil Lala
Që këtu më erdhe, mu në mes të flakës
Edhe mua më solle, kaq shumë të fala
Nga të tërë vëllezërit e tanë të Divjakës
90.
A të lodhi more burrë, ty rrugës shumë vala
Kur hodhe kënetën, në vijën e Ngjalēs
Por ty për kuvend, të qenka dhe fjala
Njësoj porsi princat e tuaj të Matrangës
Ndërsa tabori i pavarsistëve tanë me në krye diplomatin tonë Ismail Vlora u nisë drejtë Divjakës, patrioti i shquar Nebi Sefa, pasi i përcolli edhe ata deri në afërsi të Vijës së Ngjalës u kthye me urgjencë për në Lushnje. Me të mbritur në qytetin e tij, i revoltuar së tepërmi nga burgosja e delegatëve të Kosovës, ai i vuri koburen në kokë kapitenit turk Pertev beut dhe i nxori nga burgu vëllezërit tanë Bedri Pejani e Rexhep Mitrovica, me të cilët sëbashku udhëtuan për në Vlorë.
Nisja nga Çerma drejt Shën e Premtes, Divjakës dhe Libofshës.
Pas takimit edhe me patriotin Vasil Lala atë mëngjes të datës 24 nëntor 1912-të, mjekërbardhi ynë vlonjat, i priu vet taborit të tij në krye dhe nëpër atë mot të keq e me reshje shiu të mëdha, u nis nga Çerma në rrugën e vështirë të kënetës së Tërbufit, të mbushur plot me ujë.
Të hipur përmbi rrema dhe lundra të volga, nën drejtimin e patriotëve myzeqar Sefer, Mesut dhe Nuri Murrizi e Vasil Lala, pavarsistët tanë u ndeshën me dallgët e egërsuara të Vijës së Ngjalës dhe pas shumë vuajtjesh e sakrificash, ata i mposhtën valët e harbuara dhe më në fund dolën në fshatin Shën e Premte.
Kisha e “Shën e Premtes” Divjakë.
Këtu doli Ismail Qemali, kur hodhi kënetën e Tërbufit më 24 nëntor 1912. Fotografia është marë në internet.
Stërnipi i kētyre patriotëve, atdhetari dhe ushtaraku shënepremtas Bashkim Murrizi, tregon se Ismail Qemali u ftua edhe për një vizitë në shtëpinë e të parëve të tij me emër të dëgjuar në këtë zonë. Për arsye kohe, plaku i ndritur lab, nuk ka mundur t’ja u realizoj dot dëshirën këtyre myzeqarëve tepër fisnik e bujar dhe ka vazhduar rrugën drejt Divjakës. Me të mbritur në perlën e bukurive të mëdha, me emrin Divjakë, që ato ditë në prag të atij dimri të ashpër ishte zhytur e gjitha nën ujë, diplomati ynë afër kishës së Shën Mërisë së këtij katundi, u prit me gëzim të madh nga myzeqarët e këtyre anëve. Mjaft Myzeqar nga Divjaka e fshatra të tjera si Themi Profi Mali, Ristan Veliu, Bushi Tasi Pope, Pandi Kokoneshi, Llambi Trungu, Lili Rrëza, Nasi Hila, Jorgji Prifti, Pilo Gixho e të tjerë rrëfenin se pavarsistët kanë pushuar për drekë rreth gjysëm ore në hanin e patriotit Tonçi Rrudha, i cili kishte dalë për ti pritur ata me një nga djemtë e fisit Xoxi, qysh në fshatin Shën e Premte. Në këtë katund, Luigj Gurakuqi takoi përzemërsisht edhe dy mësonjësit trima të shkollës shqipe, vëllezërit Simon e Koli Profi Sako. Ai i përgëzoi ata për punën e tyre të ndritur, që po i shërbenin kaq shumê popullit të kësaj treve e gjithë kombit tonë në ato kohëra tepër të vështira dhe i ftoi këta patriot në Kuvendin e Shpalljes së Mëvetësisë. Të dy këta mësonjës u ndanë me nxënësit e tyre, mbyllën dyertë e klasave, dhanë porositë e nevojëshme për ruajtjen e shkollës nga ndonjë akt i dhunëshëm prej elementëve turkofil e grekoman dhe u bashkuan me taborin e pavarsistëve, duke udhëtuar drejt Vlorës.
Kisha e Shën Nikollës Xeng-Divjakë
Në afërsi të saj kaloi Ismail Qemali më 24 nëntor 1912. Fotografia është marë në internet.
Pas disa minutash rrugëtim, në afërsi të kishës së Shën Kollit(Nikollit), në katundin Xeng, taborit të Pavarsisë ju bashkua edhe patrioti ynë i shquar Profi Mali. Ai së bashku me burrat e tij të armatosur nga fshati Mizë, pasi e poqën me mall diplomatin tonë lab dhe u përshëndetën me të, sipas zakonit të kësaj krahine, i priu vet karvanit në krye dhe e udhëhoqi atë, duke ecur anës brigjeve të kënetës së Karavastasë.
Njoftimi se prijësi ynë i kombit Ismail Qemali, ishte larguar nga Durrësi dhe kish marr rrugën nëpër Myzeqesë për të shkuar në Vlorë, që të përmbushte misionin e tij të shenjtë, po përhapej me shpejtësi nga njeri katund në tjetrin dhe në të gjithë nahijen. Ky sihariq tepër i gëzuar, ngrohu zemrat e çdo myzeqari, sepse ata e njihnin mjaft mirë mikun e tyre të madh vlonjat, birin e lavdishëm të Kaninës, që i vlerësonte dhe i donte aq shumë Myzeqenë dhe popullin e saj heroik.
Kasneci kishte shkuar herët edhe në katundin Zharrnec, te patrioti Çaush Malko. Kryeplaku lagunar i këtij fshati, ngriti menjëherë në këmbë djemtë e kësaj zone me tradita të shquara atdhetarizmi dhe u nisë për rrugë. Edhe ky kapedan tjetër i bregdetit, fluturoi shpejt, atje ku e thërriste vatani dhe pa vonesë u gjende në krye të taborit pavarësisht, që po marshonte drejt jugut, në këtë mot të keq me shtërngata shiu, nëpër pyjet e kodrinave të Grabianit e të Spolatës.
Ndërsa karvani vazhdonte të ecte nxituar rrugicave e shpatinave nën drejtimin dhe mbrojtjen e patriotëve myzeqar, atij i shtoheshin gjithmonë e më shumë me dhjetra luftëtar takijebardhë prej kësaj krahine. Nga njeri fshat në tjetrin, vargu i shqiponjave tona të Mëvetësisë, me plakun lab mendjendritur në krye, po zgjatej e rritej vazhdimisht, në çdo orë. Lajmin e patë marrë në kohë edhe kryeplaku i katundit Kryekuq Muç Kacabuni. Edhe ky atdhetar i shquar për trimëritë e tij, në konflikte e luftëra të vazhdueshme me xhandarmërinë turke, ngjeshi koburen në brez dhe në krye të burrave të atij fshati, fluturoi kodër më kodër të priste diplomatin tonë të ndritur, që kishte ardhur për ta bërë Shqipërinë shtet më vete dhe të pa varur nga Stambolli. Pasi e takoi në dorë plakun e urtë mjekërbardhë dhe i uroi atij mirëseardhjen, myzeqari trim kryekuqas i priu vet taborit të Pavarësisë për në drejtim të fshatrave Kamenicë, Gur e Babunjë.
Shumë myzeqar, që morën pjesë në pritjen, shoqërimin dhe ruajtjen e Ismail Qemalit në Libofshë dhe gjatë udhëtimit të tij nëpër Myzeqe, ndër të tjera kanë treguar edhe për kontributin e madh që kanë dhënë çetat e armatosura të Myzeqesë për shpalljen e Pavarsisë.
Tasi Mitro Tushi(Kristiani).
(09 Tetor 1883 – 30 Nëntor 1960 Pojan Fier).
Patriot, luftëtar dhe anëtar i çetës së armatosur të komanduar nga mësonjësi patriot Tuni Gjergji.
Një prej këtyre patriotëve, që fliste shpesh rreth kësaj ngjarje të madhe të kombit tonë, ishte edhe Tasi Mitro Tushi, nga ajo pjesë e fshatit Pojan(që sot quhet padrejtësisht Hoxhë-Arë) në rrethin e Fierit, i dëbuar forcërisht prej vendlindjes së tij me gjithë të vëllan Uanin pas vrasjes së babait të tyre Mitro Kristiani prej xhandarmërisë osmane. Ky luftëtar trim dhe kaçak i armatosur, me ndjenja të theksuara antiturke dhe i mbushur plot urrejtje ndaj regjimit osman, që bënte shpesh dyfek nëpër prita edhe gjatë netëve të vona kundër xhandarëve të Stambollit, së bashku me dhjetra myzeqar të tjerë, e në krye të tyre, mori pjesë edhe në mbrojtën e Ismail Qemalit atë natë kur diplomati ynë bujti në Libofshë. Ai tregonte vazhdimisht se, prifti, luftëtari dhe komandanti i çetës së Kolkondasit At Ikonom Kozma Dhima, sapo kishte ardhur nga një takim me mësonjësin atdhetar Jani Minga në Mifol, më datën 24 nëntor 1912-të, ngriti menjëherë trimat e çetës së tij dhe asaj të Tuni Gjergjit e fluturuan së bashku me kuaj drejtë Divjakës e Shkumbinit, për të pritur plakun tonë me flamur, që po vinte të shpëtonte Shqipërinë.
Kujtime të tilla rreth shpalljes së Pavarsisë, si dëshmitar okular dhe pjesëtar aktiv i saj, u ka treguar fëmijëve të vet edhe patrioti, kryeplaku i katundit Nikas, psalësi dhe lektori i Manastirit të Shën Mërisë Kolkondas, rrobaqepsi i talentuar patriot Thoma Aleksi Ristani. Në rrobaqepësinë e tij famoze në Skelë të Vlorës, ai kishte qepur edhe Flamurin Kuq e Zi, që ngriti Ismail Qemali në Vlorë, më 28 Nëntor 1912-të, kur shpalli Pavarsinë.
Në librin e tij 100 vjet, Blendi Fevziu, në faqen 26-të, duke ju referuar kujtimeve të ish Ministrit të Drejtësisë të Ismail Qemalit, avokatit Petro Vito Poga, pjesëmarrës në kuvendin e Shpalljes së Pavarsisë, botuar në gazetën “Drita” më 03 dhjetor 1936-të, që ruhet në arkivin e shtetit, ndër të tjera thuhet:
“…Flamuri që është ngritur në Vlorë ka qenë një pëlhurë e kuqe, 3 metro e gjatë dhe 2 metra e gjerë, mbi të cilën u shtyp shqiponja me bojë të zezë. Pëlhura e kuqe u ble te një tregtar i quajtur Diamant dhe u qep tek një rrobaqepës i quajtur Thoma…”.
Ky rrobaqepës ishte Thoma Aleks Ristani nga fshati Nikas i Fierit, kryeplak i këtij katundi, arsimuar në vendlindje dhe Ardenicë, zvendësmësonjës në shkollën greke të Manastirit të Kolkondasit, shok i ngusht i patriotëve rilindas myzeqar, Jani Minga, At Irakli Pylli, Llazi Spiro Shën Pjetra, At Kozma Dhima, Jovan Ndreko, Zoji Ndreko, Spiro Saqellari, Tuni Gjergji, Llazar Bozo, Lam Shtëmbari, Pal Kadillari e tjerë. Ai u “shkishërua” nga dhespoti helen në moshën 16-17 vjeçare, për kryerjen e lutjeve fetare në gjuhën shqipe, dëbua dhe përndoqe prej xhandarmërisë turke, i cili pas 3-4 vjetësh i fshehur në emigracion Itali, Korfuz, Janinë, dhe Athinë, kthehet përsëri në Shqipëri dhe hap një rrobaqepësi në Skelë të Vlorës. Ky dyqan (rrobaqepësi) i këtij terziu (ustai) u bë shumë shpejt edhe një bazë kryesore e sigurt, për aktivitetin, strehimin dhe kurimin e patriotëve tanë pavarësisht, që vepronin në krahinën e Myzeqesë, Berat, Elbasan dhe qytetin e Vlorës. Sipas informacioneve gojore të këtyre patriotëve të ndritur myzeqar, e shumë të tjerë që kontribuuan për shpalljen e Mëvetësisë rezulton se, çetat myzeqare janë takuar me diplomatin tonë të shquar dhe taborin e tij në pyjet e Kryekuqit edhe së bashku me ta, kanë vazhduar rrugën për në drejtim të Libofshës. Kapedani at Kozma Dhima dhe mësonjësit tanë at Spiro Saqellari(dëshmor), Kovi Saqellari, Tuni Gjergji e të tjerë, sapo u poqën në dorë me tribunin e vegjëlisë, për shkak të kohës së keqe me shira të furishëm dhe përmbytje masive, i propozuan atij, që atë natë të qëndronte në Libofshë, pasi udhëtimi drejt Fierit ishte i pamundur dhe me rreziqe tepër të mëdha.
Ismail Qemali mysafir në Libofshë.
————————————————————
Nën drejtimin e dy çetave të armatosura myzeqare, Ismail Qemali në mbrëmjen e datës 24 nëntor 1912-të mbriti në Libofshë, në këtë katund heroik të kryengritjeve të mëdha antiosmane, që kishte hapur edhe shkollën e parë shqipe qysh më 25 gusht 1908-të. Ai u strehua në konakët luksoz të Çifligut, ku kishte punuar guvernatori i qeverisë osmane Nebi bej Leskoviku(vdekur në maj 1911-të), të cilët ishin bërë gati nga dy mësonjësit tanë trima libofsharak, dëshmorët e Atdheut Jovan dhe Zoji Ndreko, të shquar për veprimtarinë e tyre patriotike në shërbim të çështjes tonë kombëtare.
At Ikonom Kozma Dhima
(1869-1924 Kolkondas Fier)
Patriot, mësonjës, prift, rilindës, luftëtar, komandant i çetës së Kolkondasit.
Fotografia është marë në internet.
Kudo, nëpër rrugicat, shtigjet dhe kapërcyellit e këtij katundi, që të çonin në qendër të tij, këtë natë si asnjëherë tjetër, kalonin plot njerëz, burra e gra dhe të rijnë, që shkonin e vinin tepër të gëzuar, si në një ditë Krishtlindjesh. Luftëtar dhe grupe të armatosur kishte në çdo qoshe, që ruanin me vigjilencë dhe kontrollonin çdo lëvizje personash të pa njohur e të dyshimtë, që mund të kryenin ndonjë akt të dhunshëm ndaj pavarsistëve tanë të ndritur. E gjithë Libofsha dhe patriotët myzeqar, që nga Shkumbini gjerë në Vjosë. këtë ditë të shënuar ishin ngritur në këmbë, për të mbrojtur burrin e flamurit, arkitektin e Mëvetësisë, themeluesin e shtetit shqiptar dhe shpëtimtarin e kombit tonë.
Ndërsa Kozma Dhima dhe Tuni Gjergji me çetat e tyre u nisën nga Libofsha drejtë Shkumbinit për të pritur Ismail Qemalin, këngëtari, poeti dhe luftëtari, Llazi Spiro (Shën Pjetra), së bashku me mësonjësin, priftin me kobure, rilindasin Irakli Pylli (papa Isaia), i arsimuar në shkollën famoze Zosimea të Janinës, me dy çetat e tyre të Pojan-Shën Pjetrër-Boçovës dhe Topojë-Grykë-Seman, u nisën me urgjencë nga bregu i detit dhe pasi kaluan lumin e Semanit plot me ujë, këtë mbrëmje mbritën në Libofshë. Rrebeli shënpjetarak i Myzeqesë, i njohur edhe për guximin e tij të rrallë, ky burrë i pushkës, i penës, i këngës dhe i shquar për aftësi, njohuri e veprime ushtarake, sapo u takua me diplomatin tonë kaniniot dhe i ka uruar atij mirëseardhjen, thuhet se në bazë të urdhrit të marrë edhe nga Kryetari i Komisionit për Organizimin e Mitingut të Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, profesori Jani Minga, ai pa vonesë ka filluar edhe detyrën e tij të shenjtë luftarake. Luftëtari trim pasi u konsultua edhe me shoqëruesin personal të Ismail Vlorës, mësonjësin me kobure Llazar Bozo nga Ardenica dhe at Ikonom Kozma Dhimën, ai menjëherë ka mbushur maliherin dhe u ka dhënë urdhër luftarak pjestarëve të dy çetave të tij, për të mbrojtur me armë në dorë Çifligun dhe burrin e lavdishëm, deri në mbritjen e taborit në qytetin e Vlorës. Thuhet së atë natë në Libofshë që mbrojtën Ismail Qemalin, kanë qenë edhe pesë luftëtar trima pojanak të çetês së Shën Pjetrës, si Kili Dimo, Taqi Lako, Tasi Doraci, Miti Dimo dhe Uani Shyti, të cilët ishin mjaft të përmendur për aktivitetin e tyre patriotik gjatë asaj periudhe.
At Irakli Pylli
(1872-1944 Shën Pjetër Fier)
Patriot, mësonjës, rilindës, luftëtar, pavarësisht, prifti me kobure, vrarë në burgun nazist të Zemunit në Beograd, dëshmor i kombit.
Kapedani i çetës së Pojan-Shën Pjetrër-Boçovë Llazi Spiro, është padyshim edhe komandanti i parë i Gardës Kombëtare të Shqipërisë, që me forcat e tij të armatosura myzeqare e mbrojti me besnikëri, duke e siguruar fizikisht Kryeministrin tonë, udhëheqësin e madh dhe themeluesin e Shtetit modern Shqiptar Ismail Qemali. Sipas gojëdhënave këtë natë në Libofshë, plaku ynë mjekërbardhë kuvendoi gjatë dhe shtruar me myzeqarët e tij, duke folur me shumë respekt për historinë e lavdishme të Myzeqesë, Apoloninë, kryengritjet e mëdha të viteve 1603, 1832, 1833, 1834, 1835, 1840 dhe luftën e vazhdueshme heroike që ka bërë populli i saj kundër okupatorit turk. Ai nuk la pa përmendur edhe aktin heroik legjendar të shumë trimave myzeqar të shquar, si Mihal Kërraba, Martin Kolashi, Bartol Palesi, Nikoll Lushi, Alush Frrakulla, Filip Zhuka, Gori Myzeqari, Trifon Lala, Papa Jorgji Karavastaja, Jorgji Perriu, Mançe Malko, Sul Sinani, Met Roshe, Mitro Kristiani i Apollonisë, djaloshin trim Thoma ALeks Ristani e shumë të tjerë. Burri i urtë mendjendritur, kish falënderuar edhe mësonjësit e Libofshës Jovan e Zoji Ndreko, për hapjen e shkollës së parë shqipe në verën e vitit 1908-të, si dhe shoqatën patriotike në ilegalitet te plot “Komitetin e Fshehtë të Fierit”. Tribuni vlonjat foli gjithashtu edhe për varfërinë e madhe, ku e kishte lënë vatanin tonë për pesë shekuj me radhë okupatori turk, që po vriste edhe myzeqarët e Karatoprakut. Ai u shpjegoi atyre, se vetëm shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritja e Flamurit tonë Kuq e Zi, do ta ndryshonin gjendjen e rëndë, në të cilën po vuante edhe populli i kësaj krahine mjaft të pasur.
Diplomati ynë i shquar, i lodhur shumë nga rruga e gjatë, moti i keq e me shira të vazhdueshme, si dhe mundimet e mëdha, që po kalonte për çdo ditë, javë, muaj e vite të tëra për të përmbushur detyrën e vet të shenjtë, kur pa mikpritjen, gatishmërinë dhe shpirtin luftarak të myzeqarëve, për të bërë çdo sakrificë e mposhtur çdo vështirësi, këto i dhanë atij edhe më shumë forcë e besim, që ta realizonte me sukses misionin e vet, që i kishte vënë vetes dhe ngarkuar kombi i tij.
Po kështu edhe tre mësonjësit tanë priftërinj myzeqar at Irakli Pylli(papa Isaja), papa Spiro Saqellari dhe at Ikonom Kozma Dhima, këtë mbrëmje të shenjtë veshën veladonët e rinj si në ditë feste, u mblodhën në një konak, ndezën qirinjtë dhe filluan lutjet e tyre para Zotit, që ti bekonte këta zotërinjtë, me në krye Ismail beun, që po i sillnin Popullit e Kombin Shqiptar, një botë të re, pas pesë shekujsh robërie.
Ismail Qemali bëhet kumbar në Libofshë.
Nga mjaft patriot të ndryshëm myzeqar, është folur gjithashtu edhe për gëzimin e madh që patën të pranishmit nga dialogu i plakut tonë lab, kur bisedoi me një djalosh të zgjuar 4-5 vjeçar libofsharak. Atë mëngjes të datës 25 nëntor 1912-të, në dhomën e Çifligut të Libofshës, ku qe strehuar vigani i shqiptarizmës, për ta respektuar edhe më shumë diplomatin tonë, sipas traditës që ka kjo krahinë, atdhetarët tanë i prunë atij edhe një djalë të vogël bukurosh, që thuhej se ka qenë nga fisi patriot “Dhamo”, për ta përshëndetur atë në emër të të gjithë fëmijëve të kombit tonë. I veshur shumë bukur me kostume plot ngjyra të ndezura, të bëra me mjeshtëri nëpër tezgjahe nga duart e arta të nënave tona myzeqare, mbathur një palë opinga me xhufka të kuqe, me takijen e vogël ngjeshur përmbi kokë dhe me një trëndafil në dorë, djaloshi shkoi plot gëzim, duke qeshur drejt plakut hyjnor dhe e takoi atë me mall shumë të madh.
Dy kolosët e kombit midis patriotëve myzeqar.
Fotografia është marrë në internet
I befasuar nga ky event kaq prekës dhe i gëzuar së tepërmi prej bujarisë e dashurisë që i rezervuan myzeqarët, plaku i urtë kaniniot sapo e pa këtë fëmijë simpatik, të shoqëruar edhe nga prindërit e tij, hapi krahët menjëherë, zgjati duart përpara, u përkul pakëz e mori vogëlushin në kraharor dhe duke e përgëzuar i tha atij:
-Gjyshi nuk po të puth, se kam frikë se mos po të shpoj.
-Si e keni emrin more bukurosh?
-Lami – Ju përgjigj vogëlushi.
-Edhe unë Lami e kam pasur more birë, por ata në qitap ma shkruan Islam dhe unë atëherë nga inati e ktheva në Ismail.
-Vogëlushi u shkri së qeshuri, sapo dëgjoi fjalën “inat”.
-Po mbiemrin si e keni – e pyeti djali përsëri.
-Vlora – ia ktheu plaku.
– Po pse ore nga Vlora je ti – e pyeti djali.
-Po iu përgjigj ai dhe si Gjon Pagëzori, me një palë gërshërë që ja zgjati dikush vazhdoi.
-Tani me që u njohëm kaq shumë së bashku, unë do të bëhem kumbari yt. Me këto gërshërë do t’ju pres dy fije floku dhe atëherë, unë do të vij në dasmën tënde e të mbaj kurorën.
-Po unë nuk martohem o gjysh, ia ktheu vogëlushi. -Unë do rri edhe pak, do të shkoj në shkollë te mësues Jovani, do të vij edhe në Vlorë, dhe pastaj do martohem.
-Ke të drejtë more birë ia ktheu plaku. – Puna jote pret, por ne tani jemi me ngut, se duam ti vemë sa më shpejt kurorë Vlorës dhe gjithë Shqipërisë .
Në këto momente kaq të gëzuara, burri i urtë lab, i frymëzuar dhe nga biseda me djaloshin orator, filloi të recitoj edhe disa vargje të bukura me zërin e tij të ëmbël prej aktori, që i krijoi vet aty për aty:
“Ne buzë detit mu në Vlorë
Do ti vemë Shqipërisë kurorë
Këtu do vijnë krushq e dasmor
Me flamuj të kuq në dorë”
Të pranishmit në këtë takim qeshën të gjithë nga gëzimi dhe e duartrokitën me kënaqësi e ovacion labin e shquar erudit, që shkëlqente edhe si krijues në fushën e poezisë.
-Po ju qenkeni edhe mësonjës, i ndërhyri përsëri djali.
-Po, ju përgjigj plaku dhe zgjati dorën tek oxhaku, që kërciste nga flakët e zjarrit, duke marr prej atje një abetare të vendosur aty dhe ja dha djaloshit duke i thënë:
“Urdhëro e mere këtë libër të lutem, këtu brenda ju keni gjithçka, aty ndodhet emri i Vlorës, i Shqipërisë edhe emri juaj …”.
Lam Shtëmbari
(1880-1926 Krutje Lushnje)
Atdhetar, rilindës, luftëtar, komandant i çetës së armatosur Krutje-Bubullimë.
Pa zbardhur mirë dita e 25 nëntorit 1912-të, thuhet se At Kozma Dhima mblodhi të gjithë drejtuesit e çetave të armatosura myzeqare, ndau detyrat dhe u tha kapedanëve:
“… zotërinj, jam i mendimit që zoti Llazi Spiro dhe at Irakli Pylli me dy çetat e tyre të Pojan-Shën Pjetrës dhe Seman-Topojës, duhet të udhëtojnë së bashku me taborin drejtë Fierit e Vlorës, dhe qendrojnë atje deri pas shpalljes së Pavarsisë, për mbrojtjen e Ismail Qemalit…ndërsa unë, Tuni Gjergji dhe Pal Kadillari me çetat tona, do të ruajmë vatë e lumit Seman, që poshtë nga Ndërnenasi e deri lartë në Strum dhe nuk do të lejojmë kurrë asnjë person të dyshimtë, turmë njerëzish, apo koshadhe turke, për të shkuar drejt jugut…, edhe ju zoti Jovan Ndreko, Zoji Ndreko, Simon e Koli Sako, e Elmas Boce, ashtu siç ju tha vet zoti Luigj Gurakuqi, do të niseni me të drejtë Vlorës, për t’ju gjendur në krah edhe vëllait tonë Jani Minga, që gjatë këtyre ditëve është shumë i zënë, duke pritur vëllezërit tanë…me propozim të Llazar Bozos dhe pëlqim të Jani Mingës, luftëtari ynë trim Lam Shtëmbari nga Krutja caktohet menjëherë në detyrën për mbrojtjen fizike të Luigj Gurakuqit..,bëni kujdes gjatë rrugës dhe nxitojeni hapin, që të mbrini sa më parë në vaun e Mifolit, për të kaluar Vjosën pa u errur, ku do t’ju pres Jani Minga me vëllezërit tanë vlonjat…një pjesë e shokëve tanë, si gjithmonë do të gjejnë strehë tek dyqani i mikut tonë bujar e atdhetar Thoma Ristani (Nikasi) në Skelë, që e kemi dhe prej anëve tona, duke rënë si mysafir të tij…”.
Herët në mëngjes, karvani ynë i pavarsistëve, që e prinin katër apostuj, tre priftërinj me një diplomat në krye, e la Libofshën dhe u nis drejtë Fierit, qytetit tonë myzeqar të luleve e trëndafilave, që rrinin gjithmonë çelur deri në prag të dimrit. Për të përcjellë karvanin tonë, doli edhe një grup i vogël djemsh libofsharak, të cilët nga gëzimi ja nisën njëra pas tjetrës edhe këngëve të bukura myzeqare, duke ju uruar burrave të Mëvetësisë rrugë të mbarë dhe suksese në punimet e kuvendit të madh të Vlorës, që do ta bënte atdheun tonë përgjithmonë të lirë e të pavarur, ku u përshëndetën përzemërsisht edhe nga Ismail Qemali. I rrethuar nga qindra myzeqar takije bardhë të armatosur dhe çetat e tyre me maliher nëpër duar, tabori i lirisë ecte me nxitim dhe pa u ndalur fushave të Myzeqesë tërë baltë e kashtë, duke shtuar vazhdimisht radhët e veta, sa nuk po i dukej më as fundi.
Pas një rruge të vështirë prej disa orësh, tabori mbërriti afër Manastirit të Ardenicës, i hyjneshës tonë të shenjtë pellazgo-ilire Artemisë, që disa historian dhe arkeologë të verbër në Tiranë, të molepsur nga leksionet dhe librat fallco të shkollave antishqiptare ruso-helenike mbi historinë, që kanë helmuar tërë botën tash dyqind vjet, na e bëjnë akoma padrejtësisht edhe greke. Kjo Zonjë e Shenjtë, që kishte kurorëzuar e bekuar më 26 prill 1451 edhe heroin tonë legjendar Gjergj Gjon Kastriotin me Andronikën, e uroi shumë Ismail Kaniniotin, që po vinte si një pëllumb i bardhë me flamur ta shpëtonte këtë popull hyjnor nga zgjedha e rëndë Osmane.
Manastiri i Shën Mërisë në Ardenicë.
Ndërtuar në vitin 1282.
Fotografia është marrë në internet.
Kur ju afruan Vaut të Petovës në lumin Seman, pavarsistët tanë përjetuan një gëzim tjetër tepër të veçantë, kur u takuan me vëllezērit tanë, të Elbasanit e të Kosovës, si Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Sali Gjuka, Bedri Pejani e tjerë, që u printe në ball vet patrioti trim lushnjar Nebi Sefa. Delegatët e Kosovës takuan me mall edhe dy kollosët e kombit tonë Ismail Vlorën dhe Luigj Gurakuqin, duke i përgëzuar e falënderuar ata së tepërmi, për punën e tyre të madhe që po bënin në shërbim të çështjes tonë të shenjtë kombëtare. Ndërsa ishin duke shijuar kënaqësitë e mëdha që krijoi ky moment kaq i bukur, dhe i kthyer në një festë mbarëkombëtare, befas nga një kaçube(blacë ferrash) mbi shpatin e kodrës, dolën dy xhandar të armatosur, të cilët morën rrugën dhe po vinin drejtë pavarsistëve tanë. Thuhet se komandanti i çetave Llazi Spiro (Shën Pjetra), i ndodhur para një situate të tillë, të panjohur e mjaft kritike, urdhëroi menjëherë luftëtarët e tij myzeqar të mbushnin maliherët dhe në çast ai dërgoi tek xhandarët edhe disa persona me në krye Lef Nosin e Nebi Sefën, për ti njoftuar ata që të mos i afroheshin taborit, sepse ndryshe do të përdoreshin armët e do t’ju rrezikohej seriozisht edhe jeta. Pasi drejtuesit e taborit panë, se të dërguarit e tyre po vinin duke qeshur e biseduar së bashku me xhandarët, që kishin qenë të dy shqiptar, ata u qetësuan, por shpejt u befasuan nga veprimi i tyre, kur këta djem të mbarë kërkuan leje, për të takuar e nderuar burrin tonë mjekërbardhë, që po i vështronte me kureshtje. Sapo morën miratimin e kapedanit shënpjetarak Llazi Spiro dhe të Llazar Bozos, të dy xhandarët tepër të gëzuar u derdhën nxituar drejtë Ismail Qemalit e takuan atë me mall, i uruan mirëseardhjen dhe i puthën duart plakut tonë të ndritur vlonjat. Para se të largoheshin, duke marrë me vete edhe urimet e përzemërta të diplomati tonë dhe falënderimet e shumta të drejtuesve të karvanit, ata u shprehën:
“…Ty të ruajte Zoti Ismail bej dhe të paçim sa malet, se vetëm ti do ta shpëtoshë popullin tonë nga vuajtjet dhe da ta nxjerrësh në dritë Shqipërinë…”.
Me të kaluar lumin e Semanit me lundër në vaun e fshatit Petovë, Ismail Qemali i takoi të gjithë me radhë drejtuesit e çetave myzeqare, që do të qëndronin në Fier, për të vazhduar kryerjen e detyrave të tyre mbrojtëse dhe duke u ndarë me mësonjësin, priftin dhe luftëtarin tonë të shquar Ikonom Kozma Dhima, Ai ndër të tjera i tha:
“…Tani vëllezër farën e mbollëm, prandaj duhet të kujdesemi të gjithë për të, që të na mbijë”?
E menjëhershme ka qenë edhe përgjigja e komandantit të çetës së armatosur të Kolkondasit, mësonjësit At Kozma Dhima:
“…Do të mbijë që ç’ke me të dhe do të rritet e shëndetshme zoti Ismail bej, sepse edhe toka jonë tani është plot me vlagë …”.
Mitingu i Ismail Qemalit në qytetin e Fierit më 25 nëntor 1912-të.
Haberi i gëzuar, mbi udhëtimin e Ismail Qemalit nëpër Myzeqe dhe vizitën e tij, që ai do të bënte përsëri në qytetin e Fierit, për të tretën herë brenda një viti, kishte mbërritur qysh më datën 23 nëntor, kur diplomati ynë kaloi lumin e Shkumbinit dhe darkoi te myzeqarët. Në këtë qytet të bukur, ndërtuar sipas stilit perëndimor, që shtrihej mes livadhesh pafund, në të dy anët e lumit të Gjanicës, mbizotëronte kudo një ambient tepër festiv, si rrallë ndonjë herë tjetër. Qindra e qindra myzeqar nga e gjithë krahina, por edhe nga Elbasani, Peqini, Skrapari, Berati, Kuçova e Mallakastra ishin mbledhur në Fier, për të përshëndetur dhe nderuar prijsin e kombit Ismail Qemali, që do ti tregonte të gjithë botës se edhe ne stërnipërit e Skënderbeut, që mbrojti të gjithë qytetërimin evropian, kemi të drejtë të jetojmë të lirë e të pavarur, duke pasur edhe flamurin e shtetin tonë.
Ish Katedralja e vjetër e Shën Gjergjit në qytetin e Fierit. Ndërtuar në vitin 1782 dhe prishur më 1967. Fotografia marrë në internet.
Disa patriot nga Pojani tregonin gjithashtu, se në Fier shkoi edhe mësonjësi i shkollës (Mektepes) turke, atdhetari i madh, pionieri i alfabetit e abetares shqipe, bashkëluftëtari i at Irakli Pyllit, hoxha i Radostinës (Ujëmirës) Ymer Sulejman Driza me 30-të e ca trima të armatosur radostinak e pojanak, që kishin ardhur urgjent nga manastiri i Apolonisë me urdhër të Llazi Spiros. Pasi u konsultua edhe me Tonçi Kilicën, ky patriot me forcat e tij mori shpejt nën kontroll Qafën e Koshovicës dhe mbrojti karvanin e pavarsistëve tanë gjatë gjithë udhëtimit nëpër pyjet e dendura të këtyre kodrave, ku strehoheshin edhe kaçak, banda kriminale, por edhe tabor e koshadhe turke.
Sipas dokumenteve dhe tregimeve të Popullit Myzeqar, pavarsistët tanë të kryesuar nga diplomati ynë lab, arritën në qytetin e Fierit aty nga mesdita e datës 25 nëntor 1912-të. Atyre ju bënë nderime të mëdha nga Kryetari i Bashkisë Tonçi Kilica dhe shokët e tij, të cilët kishin disa natë që qëndronin pa gjumë, duke pritur shpëtimtarët e kombit tonë, që do të vinin si miq edhe në qytetin e tyre të vogël. Patriotët fierak, me në krye Tonçi Kilicën, drekuan së bashku me diplomatët e shquar Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi edhe kësaj radhë në sarajet luksoze të Omer Pashë Vrionit, ku u qe rezervuar një pritje e shërbim i veçantë, ashtu si edhe në dy kuvendet e Fierit, të mbledhur këtu disa muaj më parë.
Megjithëse moti ishte i keq e me shira, por Populli Myzeqar i grumbulluar në sheshin kryesor të qytetit dhe pranë katedrales së bukur të Shën Gjergjit, as nuk donte t’ja dinte fare për të ftohtit e këtij fund nëntori. Ai kërkonte me insistim dhe priste me padurim, që miku i tyre i madh vlonjat, të fliste patjetër në miting përpara tij dhe ta hapte qysh në Fier këtë festë të madhe mbarëkombëtare. Edhe grupe të vogla valltarësh e këngëtarësh, të veshur me kostumet e tyre popullore myzeqare e takijet e bardha mbi kokë, kishin dalë mjaft të gëzuar qysh herët në mëngjes dhe vazhdonin koncertet e tyre pa u ndalur. Nga myzeqar të ndryshëm është folur gjithashtu, se valleve të këtyre artistëve popullor, u ishin bashkuar edhe dy rilindësit tanë të mëdhenj, mësonjësit, politikanët dhe patriotët veteran të shquar të kësaj treve, Kostandin Minga i Shën Pjetrës dhe Jorgji Karbunara(Babë Dud Karbunara) i Beratit, të cilët i kishin dhënë kësaj shfaqe më shumë bukuri e ngjura festive.
Një grup i madh patriotësh fierak, zgjodhën edhe disa përfaqësues të tyre, të cilët morën takim me mikun e shtrenjtë të myzeqarëve Ismail Vlora dhe i shprehen atij dëshirën e madhe të njerëzve, që ai të fliste patjetër para popullit, i cili ishte mbledhur në miting, duke qëndruar në pritje për orë të tëra në qendër të qytetit të Fierit.
Tonçi Kilica
(1853-1917 Seman Fier)
Kryetari i I-rë i Bashkisë së qytetit të Fierit, që priti Ismail Qemalin më 25 nëntor 1912-të. Fotografia është marrë në internet.
Duke parë dëshirën e madhe të këtyre njerëzve kaq të dashur e patriot, që e pritën dhe respektuan aq shumë arkitektin tonë të Pavarësisë, Ismail Qemali në dy vizitat e tij të mëparshme historike në qytetin e Fierit, ai nuk mundi të vazhdonte rrugën drejt Vlorës pa i takuar, biseduar dhe pa i përshëndetur miqtë e tij myzeqar. Megjithëse koha ishte mjaft e kufizuar dhe me mot të përkeqësuar, thuhet se tribuni ynë popullor e gjeti edhe mundësinë e tij, që të fliste para tyre në këtë miting, qoftë edhe për pak minuta, së bashku me bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, shkodranin Luigj Gurakuqi. Gjatë këtij takimi kaq të shpejtë, por tepër të gëzuar e të hareshëm, diplomati ynë i shquar, pasi përshëndeti të pranishmit dhe gjithë Popullin e Myzeqesë, ai ndër te tjera ishte shprehur se:
“…Unë mezi po prisja që të vija këtu në Fier, t’ju takoja e të flisja me ju…Ne vëllezër, nuk do ti durojmë më kurrë vargonjtë e robërisë së Perandorisë Osmane, që të na shtyp përsëri me patkonjtë e ushtrive të saj, prandaj këtu do të luftojmë përsëri si fajkonjtë dhe qysh nesër në Vlorë do të ngremë lartë edhe flamurin tonë Kuq e Zi dhe shpallim Shqipërinë tonë më vete…”.
Në këtë tubim patë folur edhe kolosi i madh i kombit tonë, biri i Shkodrës Luigj Gurakuqi, ku midis të tjerash ai kishte thënë:
“…që këtej e tutje vëllezër, në nuk do të pyesim më askënd për vatanin tonë, që dikush i huaj me na ba lodra dhe kurrë trojet tona nuk i shesim dhe për ato, të gjithë jemi gati që të vdesim…”
Disa myzeqar pojanak, që kishin qenë prezent në këtë miting, por edhe shumë të tjerë, që ruanin kujtimet e të parëve të tyre rreth kësaj ngjarje të shënuar historike në Fierin e asaj kohe, të çliruar prej hordhive turke, tregonin se një grumbullim kaq i madh njerëzish dhe entuziazëm i tillë festiv, nuk ishte parë kurrë jo vetëm në Myzeqe, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Ja si përshkruhen në poemën “Pavarsistët Myzeqar” , fjalimet e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në mitingun e Fierit, më 25 Nëntor 1912-të:
249.
Unë mezi po prisja, këto ditë t’ju shoh
Sa shumë mall që kisha, të vija këtu
Sikur të rrija dhe për nja pakëz kohë
Që shtruar të flisnim, bashkë gju më gju
250.
Përsëri Evropa, ne shqiptarët s’na do
Dhe troç na tha, se s’do t’ju njohim ju
Por mua zemra, prap seç mu ngroh
Qysh kur asqerët, ju mi zutë me dru
251.
Ne s’do ti durojmë, më kurrë vargonjtë
Tha gjatë fjalimit, ky burrë i ndritur
As që të na shtypin, përsëri patkonjtë
Të vuajmë me shekuj, ende duke pritur
252.
Dhe kētu do të luftojmë, porsi fajkonjtë
Sepse rreziku, prap nga ne s’ka ikur
Dhe flamurin tonë, me dy zhgabonjtë
Në Vlorë që nesër, kemi për t’a ngritur
253.
Ne këtu në Fier, bashkë e vendosëm
Se do t’a bëjmë, më vete dhe shtetin
Në mars dhe gusht, mirë u llafosëm
Që ta shpëtonim përgjithmonë miletin
254.
Edhe kurrë aspak, nuk u qederosëm
Demek Stambolli, do bënte kiametin
Por sot këtë hall, të madh ne e sosëm
Dhe plot me nder e kryem amanetin
255.
Për vatanin tonë, ne askënd nuk pyesim
Në Fier shkurt foli edhe Luigj Shkodra
Atë në pazar, neve kurrë nuk e qesim
Që dikush i huaj, me na ba kësi lodra
256.
Dhe trojet e shenjëta, aspak nuk i shesim
Të tëra këto male, këto fusha e kodra
Për këto jemi gati, të tanë që të vdesim
Mjerë kush na i prek, ne prap këto vatra
Me të mbaruar ky miting madhështor, apostujt e kombit tanë u ndanë me popullin patriot myzeqar dhe u nisën nxituar drejtë Qafës së Koshovicës, nën masat e rrepta të sigurisë, që kishin marë me kohë çetat e armatosura myzeqare të Llazi Spiros, papa Irakli Pyllit dhe hoxhës së Radistinës Ymer Sulejman Drizës.
Ymer Sulejman Driza
(20.10.1867-1941 Kutë Mallakastër)
Patriot, mësonjës, luftëtar, rilindës, pavarësisht, shok i ngushtë i At Irakli Pyllit, Llazi Spiros e Jani Mingës. Hoxhë në fshatin Radostinë(Ujëmirë) Fier. Me çetën e tij mbrojti Ismail Qemalin gjatë kalimit në Qafën e Koshovicës dhe u bashkua me dy çetat e Llazi Spiros duke shkuar deri në Vlorë, për shpalljen e Pavarësisë. Fotografia është marë në internet.
Pas disa orësh udhëtimi nëpër kodra, tabori i pavarsistëve tanë e kaloi edhe Levanin dhe mbërriti në Vaun e Mifolit pa u bërë ende errësirë. Në bregun jugor të lumit Vjosë, për ta pritur shpëtimtarin e kombit tonë me gjithë trimat e tjerë që e shoqëronin atë, kishte dalë vet edhe Kryetari i Komisionit të Organizimit të Mitingut për Shpalljen e Pavarsisë së Shqipërisë, profesori dhe atdhetari i shquar fierak Jani Kostandin Minga. Ai ishte në ballë të mërgatës së Vlorës, i shoqëruar edhe nga patriotët vlonjat Arshi Halili, major Bilal Nivica, Hamza Isai dhe disa atdhetar të tjerë të armatosur, që ca mësonjës shkollash, duket u hequr edhe si historian, për të kënaqur dëshirat e veta, na e zmadhojnë numrin e tyre, sikur kanë qenë me qindra luftëtar.
Po kështu profesori fierak kishte dërguar dy ditë me parë në Vaun e Mifolit edhe lundërtarin e shquar të portit të Vlorës, novoselarakun Dhimitër Qarri, që të përgatiste sa më shpejt gjeminë(varkën), për të hedhur Ismail Qemalin në lumin e Vjosës, të mbushur plot ujë, që ato ditë kishte dalë edhe nga shtrati i saj. Detari i famshëm myzeqar dhe tepër patriot, me aftësitë e tij të mëdha si një varkëtar i zoti e kreu plot me sukses e trimëri detyrën e tij të lartë në shërbim të Atdheut, mposhti valët e egërsuara të lumit dhe i nxori pavarsistët tanë shëndosh e mirë në fshatin Mifol. Për këtë ngjarje flitet se ka shkruar edhe profesori i njohur korçar Petraq Pepo në vitin e largët 1961, duke e marë vet në intervistë varkëtarin Dhimitër Qarri, por edhe ky shkrim i tij u la në harresë nga historianët dhe pushtetarët e Tiranës, ashtu si kontributi i qindra e qindra myzeqarëve të tjerë, që dhanë ndihmesën e tyre të madhe për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, të cilëve nuk ju përmend kurrë as emri.
Jo vetëm kaq, por profesori ynë Jani Minga, si një dijetar i ndritur, me kulturë të gjerë, i pajisur me mjaft njohuri të thella edhe në fushën e artit, ai e kishte zgjedhur me kohë dhe një djalë nga Novosela, që ta përshëndeste Ismail Qemalin, sapo të mbërrinte në këtë fshat. Ndaj, për të pritur burrat e mëdhenj të kombit kishte dalë edhe ky vogëlush myzeqar, 10-vjeçar me një buqetë lulesh në dorë, i cili në momentin kur Jani Minga dhe patriotët e tjerë vlonjat po takoheshin me pavarsistët tanë të shquar, ai shkoi në drejtim të Ismail Qemalit, e përqafoi plakun tonë të urtë me mall dhe recitoi edhe një vjershë para tij, duke i gëzuar pa masë me zërin e tij të bukur të gjithë të pranishmit, vargjet e përafërta të së cilës, po i citojmë si më poshtë :
Dje tërë ditën shokë mbeçë
Duke mbledhur lule Malit
Dhe i solla këtu plot me qef
T’ia falë sot Ismail Qemalit
Thuhet se shpëtimtari ynë i kombit, para se të nisej për në Vlorë, ai ka bërë një vizitë të shkurtër edhe në shtëpinë e një fshatari patriot nga Novosela. Emri i tij është kujtuar me respekt deri aty nga vitet 1950-të, por më vonë edhe kjo ngjarje mbeti gjithmonë në hije e cila në vetvete mbartë një vlerë tjetër historike, duke na treguar për mbështetjen dhe përkrahjen e madhe që i dhanë myzeqarët Ismail Qemalit, gjatë udhëtimit të tij legjendar, kur kaloi nëpër Myzeqe për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Pasi u ndanë përzemërsisht me pjesëtarët e kësaj familje bujare, që me sa është folur, ka qenë nga fisi me mbiemrin “Moçka”, tabori i pavarsistëve tanë me në krye plakun e ndritur të Kaninës, Jani Mingën dhe trimat e tjerë të Labërisë, vazhduan rrugën e tyre drejt Vlorës, duke mbërritur në këtë qytet, aty rreth orëve të vona të mbrëmjes së datës 25 nëntor 1912-të.
Qyteti heroik i Vlorës dhe populli i saj trim e patriot e pritën birin e tyre të lavdishëm dhe qindra e qindra kapedan të tjerë çlirimtar, nga i gjithë kombi ynë, me mall e dashuri të paparë, që po u sillnin lirinë pas pesë shekujsh robërie e vuajtjesh nën Perandorinë Osmane. Me mikpritjen dhe bujarinë e tyre të rrallë, ata hapën dyert e shtëpive për të gjithë vëllezërit tanë, që kishin ardhur nga çdo anë e trojeve shqiptare, për të marr pjesë në këtë kuvend të madh mbarëkombëtare, për shpalljen e Mëvetësisë së Shqipërisë. Këtë natë të shënuar historike, Ismail Qemali u strehua në shtëpinë e patriotit vlonjat Hasan Sharra dhe në ditën e shenjtë të datës 28 të vjeshtës së tretë 1912-të, që përkonte me nëntorët e tjerë të kuq, ai shpalli Pavarësinë tonë dhe ngriti lart flamurin Kuq e Zi, duke i deklaruar të gjithë botës, se përfundimisht edhe Shqipëria jonë u bë shtet me vete dhe e pavarur nga askush, ashtu si gjithë kombet e tjerë.
Atdhetarët tanë pavarësisht myzeqar Llazar Bozo, Llazi Spiro që drejtonte dy çeta të armatosura, Irakli Pylli, Lam Shtëmbari, Ymer Driza, Thoma Ristani e shumë të tjerë me në krye mësonjësin tonë të ndritur Jani Minga, që drejtonte gjithë veprimtarinë për zhvillimin e Kuvendit të Pavarsisë e vazhduan aktivitetin e tyre patriotik edhe brenda në qytetin e Vlorës, jo vetëm duke mbrojtur fizikisht burrat e mëdhenj të Kombit, por edhe për mbajtjen e rregullit e të qetësisë gjatë punimeve të këtij mitingu. Myzeqar të ndryshëm tregonin se Jani Minga që rrinte vazhdimisht pranë Ismail Qemalit në ato momente, i kishte kthyer shtëpinë dhe dyqanin e djaloshit 22 vjeçar Thoma Ristani brenda në Skelë, këtë bazë patriotësh, ku strehohej edhe vet, në një qendër të rëndësishme, nga ku drejtoi me shokët e tij dhe korierët(kasnecët) të gjitha veprimet për kryerjen me sukses të Shpalljes së Pavarsisë në Vlorë më 28 nëntor 1912-të.
Mbështetur edhe në tregimet e shumë patriotëve tanë, që kishin marë pjesë në këtë ngjarje, si dhe në kujtimet e vajzës së patriotit myzeqar që qepi flamurin Kuq e Zi, Dhoksi Tushe (Ristani) rezulton, se më datën 26 nëntor 1912-të patrioti Thoma Aleks Ristani dhe Petro Dhimitri (Fotografi), së bashku me Jani Mingën, kanë shkuar tek dyqani i një tregtari me mbiemrin Diamanti dhe atje kanë blerë një copë të madhe pëlhure të kuqe. Nga kjo pëlhurë, rrobaqepësi (tereziu) ynë i famshëm Thoma Ristani, qepi një flamur të madh me përmasat 3 X 2 (tre metro të gjatë e dy metro të gjerë), dhe pastaj fotografi korçar Petro Dhimitri, që kishte ardhur nga Stambolli me aparatin e tij fotografik, damkosi(stampoi) përmbi të edhe shqiponjën tonë dy krenare me bojë të zezë.
Ky ishte Flamuri Kuq e Zi, që ngriti Ismail Qemali në Vlorë më 28 nëntor 1912-të kur shpalli Pavarësinë e Shqipërisë dhe jo ai, që gjoja na kishte “qëndisur e stolisur” brenda një nate Marigo Pozio, siç thoshin kunetërit e saj mashtrues Kristo Floqi dhe Koço Kote (ish-kryeministër i Zogut, dënuar për veprimtari kriminale), që nuk kishin qenë fare atë ditë në mitingun e Vlorës, të cilët pas vitit 1928-të mbushën edhe arkivin e shtetit me shkrime fallco, që sot konsiderohen si të vërteta. Djaloshi myzeqar Thoma Ristani qepi edhe 6-7 flamur të tjerë të vegjël dhe ja u shpërndau nxënësve të mësonjësit Jani Minga, të cilët kishin ardhur atë ditë në miting, për të përshëndetur burrat e ndritur të popullit tonë dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë..
Po kështu edhe avokati Petro Poga, ish Ministrit i Drejtësisë i qeverinë së Ismail Qemalit dhe një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, që ishte pjesëmarrës në këtë kuvend, i cili duke parë mashtrimet që bënë disa persona pas vitit 1928-të e në vazhdim, për të përvetësuar autorësinë e qepjes së flamurit që u ngrit në Vlorë më 28 nëntor 1912-të, ai bëri një shkrim, duke i dënuar ashpër veprime të tilla, të cilin e botoi në gazetën “Drita” më 03 dhjetor 1936-të.
Në këtë artikull të tij, si jurist dhe personi më kompetent, që e kishte ndjekur nga afër të gjithë aktivitetin e shpalljes së Pavarësisë, ai sqaron edhe një herë, se autor i përgatitjes së këtij flamuri është vetëm Thoma Ristani, ku ndër të tjera tregon se:
“… për ngritjen e flamurit…janë shkruar shumë UTOPIRA… Flamuri i Parë që është ngritur në Vlonë, ka qenë një Pëlhurë e Kuqe, tre metro e gjatë dhe dy metro e gjerë, mbi të cilën u shtyp shqiponja dy krenore me ngjyrë të zezë, me atë bashkë u gatitën dhe 4-5 të tjerë më të vegjël. Pëlhura u ble te një tregtar i quajtur DIAMANTI dhe u qep tek një rrobaqepës i quajtur THOMA, se nuk priste koha, për të gatitur Flamur Luks…dhe të tjerat janë ËNDËRRA …”.
Fakti që flamurin e ngritur nga Ismail Qemali më 28 nëntor 1912-të, u qep nga Thoma Ristani e ka konfirmuar edhe Jani Minga në shkrimet e tij prej tre volumesh, të ruajtura në arkivin e Vlorës, deri aty nga viti 1975-së, të cilat jo vetëm që nuk e panë kurrë dritën e botimit, por as nuk i dihet në se ekzistojnë më, apo jo. Një ndër personat, që kishte mundur ti lexonte këto shënime të censuruara dhe që fliste shpesh rreth tyre, ishte edhe mësuesi Thoma Prifti nga Pojani i Fierit, i cili qe një intelektual i apasionuar pas dijes dhe mjaft i kulturuar. Në një bisedë të zhvilluar me të nga fundi i muajit dhjetor 1975-së ( në prag të festës së vitit të ri), ai ndër të tjera më tregoi:
“…Këtë vit gjatë muajit gusht-shtator isha për pushime në plazhin e Vlorës me dy shokët e mi mësues nga Pojani…(për njerin mu duk sikur më tha se e kishte mbiemrin Mandro-shënimi im)…një ditë së bashku me ta shkuam në arkivin e Vlorës për të lexuar materjale historike rreth Myzeqesë dhe Pojanit …punonjësi i arkivit ishte një burrë mjaft i edukuar, tepër i përgatitur dhe me kulturë të gjerë… Ai pasi na pyeti se nga ishim, na tha se meqënse jeni nga Pojani, unë do t’ju rekomandoja të lexoni volumet e dorëshkrimeve të Jani Mingës, pasi e keni edhe nga ana e juaj, sepse janë mjaft interesante e me shumë informacion, që nuk njihen nga lexuesit tanë, pasi nuk ka shkruar askush rreth tyre dhe nuk lejohen për tu botuar…U gëzuam shumë kur mësuam se mësonjësi ynë i ndritur shënpjetarak kishte lënë edhe tre volume me shënime, të cilat ishin me vlera të mëdha historike për Shqipërinë dhe kombin tonë…në volumin e dytë, Jani Minga kishte shkruar edhe për flamurin që ngriti Ismail Qemali më 28 nëntor 1912-të, të cilin e kishte qepur shoku i tij, rrobaqepsi patriot Thoma Ristani (Nikasi)…u befasuam nga ky informacion i gjerë i dorëshkrimeve të tij, të cilat flisnin shumë mbi kontributin e myzeqarëve, për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë…e falënderuam mjaft punonjësin e arkivit të Vlorës për pritjen e tij të ngrohtë që na bëri dhe para se të ndaheshim me atë, ai na porositi shoqërisht të bisedonim me njerëzit e afërm të Thoma Ristanit në Fier, për tu interesuar mbi veprimtarinë e tij patriotike, që të bëhej i njohur edhe me botimin e ndonjë shkrimi nëpër gazetat tona …”.
Ismail Qemali dhe Isa Boletini
Vepër e piktorit të talentuar Luan Jakupi Pejë Kosovë.
Atë ditë më 19 nëntor 1912, kur Ismail Qemali mbriti në portin e Durrësit, Isa Boletini u nis që nga krahina e Dibrës dhe po vinte në drejtim të Vlorës, për të marr pjesë në Kuvendin e madh të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërsa plaku i urtë vlonjat më 25 nëntor 1912-të u gdhi në Libofshë dhe vazhdoi rrugën e tij pa u vonuar drejt Fierit, kryetrimi Isa Boletini me 100 kalorës e luftëtar trima, pas një jave udhëtimi të vështirë e plot mundime arriti në qytetin e Lushnjes. Populli patriot i këtij i këtij qyteti, i priti plot me respekt e nderime të veçanta vëllezërit e tij nga Kosova, dhe për nder të tyre, ai shtroi edhe një drekë madhështore e cila kaloi në një atmosferë tejet të gëzueshme e solemne. Fill pas përfundimit të drekës thuhet se rreth 20-30 djem myzeqar, kalorës të armatosur, i prinë përpara karvanit të Isa Buletinit dhe u nisën për në fshatin Imshtë të Bubullimës, ku në pamundësi për të kaluar lumin e Semanit plot me ujë e dallgë, u strehuan atë natë nëpër shtëpitë e popullit bujar dhe tepër mikpritës të këtij katundi.
Të dy burrat e ndritur të kombit tonë gjatë udhëtimit të tyre historik nëpër Myzeqe, për të shkuar drejt Vlorës, pushuan në brigjet e lumit plak të Semanit, njeri në perëndim dhe tjetri në lindje të kodrave të Ardenicës, në majë të së cilës ndodhet edhe Manastiri me famë i Shën Mërisë, që me bibliotekën e vet prej 33 mijë librash, të djegur qëllimisht, apo aksidentalisht në vitin 1933, fliste shumë, jo vetëm për historinë e lavdishme mijëravjeçare, të kësaj krahine, por edhe të kombin tonë.
Rruga e Isa Boletinit dhe trimave të tij dardan, që e shoqëronin atë, për të mbërritur në Vlorë mori më shumë kohë. Kështu, më datën 27 nëntor 1912-të ai, sapo arriti në Fier, që nga postëtelegrafa e këtij qyteti, bisedoi edhe me Ismail Beun në Vlorë dhe i kërkoi atij ta shpallte sa më parë Pavarësinë e Shqipërisë, qysh të nesërmen më datën 28 nëntor 1912-të edhe në emrin e tyre. Në këtë qytet të Myzeqesë kryetrimi ynë nga Mitrovica kaloi dy netë, duke rënë mysafir në sarajet e dëgjuara të Vrionëve, të cilat pritën me bujari të gjithë burrat e mëdhenj të vatanit tonë, që nga Avdyl Frashëri e me radhe. Patriot të ndryshëm fierak dhe kosovar rrëfenin gjithashtu se, në këto shtëpi luksoze atdhetarëdh plot me histori, ai ka mbajtur edhe një fjalim shumë të rëndësishëm, duke falënderuar drejtuesit e Bashkisë, Kryetarin e saj Tonçi Kilica dhe Popullin Myzeqar, për strehimin e të gjithë vëllezërve tanë të ardhur nga Dardania(Kosova), që i kishte përzënë ushtria serbë me dhunë e terror prej trojeve e tyre.
Kjo është rruga e vërtetë e heronjve tanë të Mëvetësisë, mundi, sakrificat, peripecitë dhe vuajtjet e tyre kur kaluan nëpër e Myzeqe, por edhe ndihmesa e madhe e patriotëve myzeqar, që dhanë për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe flamuri i parë që u ngrit në Vlorë, të cilat historianët tanë dhe shteti ynë, i atëhershëm dhe i sotëm nuk i vlerësuan kurrë siç duhet, duke i injoruar, fshehur, shtrembëruar dhe lënë qëllimisht në errësirë. Pikërisht ky qëndrim i papranueshëm, solli edhe pasoja të këqia, duke u hapur kështu rrugë abuzuesve të ndryshëm, që u munduan ti përvetësonin, vidhnin dhe zhduknin këto vlera të popullit tonë, siç ishin karrieristët e falsifikatorët Kristo Floqi, Koço Kote, Marigo Pozio, Kol Rrodhe e të tjerë, që u demaskuan ashpër edhe nga pavarësisti e patrioti ynë i madh, avokati Petro Poga.
Për bërjen e këtij shkrimi, mbi udhëtimin e gjatë dhe historik të Ismail Qemalit nëpër Myzeqe, u morën parasysh edhe tregimet e kujtimet e shumë patriotëve myzeqar, të cilët nuk u përfillën fare për kontributin e tyre të vyer që dhanë në ato momente tepër të rëndësishme e të vështira, që i mblodha në këtë krahinë për disa vjet me radhë. Nisur gjithmonë nga qëllimi i mirë, ne mendojmë se, botimi i këtij artikulli do të jetë një kontribut tjetër i shtuar, por edhe një dritare më tepër, për ta njohur akoma më shumë historinë tonë të ndritur, pasi ai përmban një informacion mjaft të gjerë rreth Shpalljes së Pavarësisë, duke hedhur dritë edhe për një sërë ngjarjesh e ndodhura të panjohura më parë, si për ne, ashtu edhe për lexuesit tanë.
Nga:
Themi J. Tushe
New York-Kingston-Connecticut
April 10, 2025.