Rrugëtimi im drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit tim
Safete Hadergjonaj
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, më nderoj me mirënjohje si deputete nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Në rrugëtimin tim drejt Lirisë dhe Pavarësisë së vendit tim kam përjetuar momente të vështira të dhimbshme për t’u përballuar, kam përjetuar edhe momente gëzimi dhe krenarie, por momenti i nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës ishte momenti më i veçantë në jetën time.
Ishte një ndjenë vështirë e përshkueshme, ndjenjë gëzimi e përzier me dhimbje e mall për shumë e shumë miq, shokë e të afërm, luftëtarë të lirisë, të cilët punuan shumë për këtë ditë dhe nuk ishin më në mesin tonë.
Sot 10-vjetorin e Pavarësisë e festojmë me të arritura të shumta në të gjitha fushat e jetës. 10 vjetori i Pavarësisë është motiv për të mos u ndalur por për të ecur përpara në fuqizimin e shtetit tonë, pa i harruar dhe duke i kujtuar gjithmonë heronjtë, dëshmorët tanë, aktorët e kësaj ngjarje, të cilët bënë që të na njeh, të na nderon dhe na vlerëson bota.
Në këtë datë të shënuar, të 10 Viteve Shtet, dua të falënderoj familjen time që i kisha gjithmonë mbështetje në rrugën e vështirë e me plotë sakrifica, mirënjohja u takon atyre me të cilët rrugëtuam bashkë pa llogaritur sfidat.
Mirënjohje e respekt për të gjithë ata qytetarë të Republikës së Kosovës që vlerësuan kontributin tim për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, kontributin e dhënë për formimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, duke më dhënë mundësinë ti përfaqësoj ata dinjitetshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës për pesë mandate me radhë, mirënjohje e respekt për të gjithë ata votues që më mundësuan të jem nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Ne që ishim pjesë e sakrificave për liri e pavarësi, dhe i gjithë populli i Kosovës do ti kujtojmë për jetë e mot, ata që me aktivitetin e tyre me veprimtarinë e punën e tyre, shkruan faqet e ndritshme të historisë së kombit tonë.
Kujtimi, dhembja, malli, respekti për jetën dhe veprimtarinë e tyre do të mbeten të përhershme.
Për jetë e mot shteti im i lirë e pavarur,
Republika e Kosovës!