Rrusta e PSD-së shpërndan pikturën ‘tronditëse’ ku Kurti e Vuçiqi ‘puthen’ vëllazërisht
Aktivistja e Partisë Socialdemokrate, Teutë Rrusta në profilin e saj në “Facebook” ka shpërndarë një pikturë të një artisteje me emrin “Orange Girl” ku shihen duke u puthur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.
Rrusta në mbiëhskimin e pikture ka shkruar mbishkrimin me një fjalë: “tronditëse”.
Artistja që e ka realizuar pikturën ka shkruar se historia njeh puthjet e vëllazërisë dhe tradhtisë dhe ka pyetur se a do të jetë kjo puthje një ndër to.
“Nga puthja pritet solemnitet dhe përnaltësim. Puthja është shprehje, por asnjëherë neutrale. Ajo merr kuptim varësisht kontekstit, ku dhe pse jepet.Historia shënon në arkiven e saj puthje nga momente dhimbjeje e lamtumirëse. Por historia njeh edhe puthjet e vëllazërisë apo edhe tradhtisë. A do të jetë edhe kjo njëra ndër to?Dimensionet e pikturës: 3mx1.60m, pëlhurë”, shkruan në profilin e artistes “Orange Girl”.
“Puthja vëllazërore socialiste” ka qenë një forme e veçantë e përshëndetjes. Një pikturë e ngjashme ishte realizuar në Murin e Berlinit e ku figura kryesore ishin lideri sovjetik, Leonid Berzhnev dhe lideri i Gjermanisë Lindore, Erich Honecker.