
Rrusta kritikon partitë opozitare: Pse nuk po thonë që LV-ja është parti autoritare?
Aktivistja e Partisë Socialdemokratë (PSD), Teutë Rrusta, ka kritikuar partitë opozitare që refuzimin e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion po e reduktojnë vetëm në fyerjet që Albin Kurti ua ka bërë gjatë fushatës zgjedhje.
Ajo ka bërë me dije se partisë në pushtet duhet t’i përmendet fakti se ajo është parti autoritare.
Sipas saj, kjo duhet të jetë arsyeja kryesore pse opozita nuk duhet të bëj koalicion me LV-në.
“Pse nuk po përmendet më si argument për mosshkuarje në koalicion me LV-në fakti kryesor, që ajo është forcë autoritare? Apo tani që nuk i ka numrat i ka ndërruar edhe natyra? Epo jo. Gabim. Autoritar je edhe me 1% ose edhe me 0. Ofendimet janë pasojë pikërisht e asaj ideologjie autoritare. Diktati nuk njeh tjetrin, e kundërta e koalicioneve që e ka kusht barabarësinë dhe njohjen. Përgjigjet e të lënduara nga sedra janë të dobëta dhe kanë parasysh veç interesin vetanak. Zhvendosja vetëm te argumenti i ofendimeve, po ia lë nën hije cilësinë e saj kryesore dhe rrezikun që bart”, ka shkruar Rrusta në “Facebook”.