Rrustem Berisha falënderon ‘Herifat’ e Koshares
Ish-komandanti i brigadës 138 ‘Agim Ramadani’ dhe ish- ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka falënderuar mjekët e kësaj brigade që kanë shpëtuar shumë jetë të luftëtarëve të lirisë.
Berisha ka treguar se si quheshin mjekët e asaj brigade dhe se kush ua kishte lënë emrin e koduar “Herifat”.
Postimi i plotë i gjeneral Rrustem Berishës:
“Herifat” ka qenë emri i koduar i personelit mjekësor në Betejën e Koshares. Këtë emër ua ka lënë Agron Jusufi-Jupi, mjeku i parë i Brigadës.
Shërbimi shëndetësor i Brigadës 138 “Agim Ramadani” ka qenë i organizuar nga vija e parë e frontit, në istikamet e zjarrit, deri në spitalin e Bajram Currit.
Me trimërinë dhe shërbimin e tyre vetëmohues, “Herifat” kanë shpëtuar jetën e shumë ushtarëve. Shumë nga të plagosurit e Betejës së Koshares janë gjallë falë “Herifave”.
“Herifat” kanë ndikuar edhe në moralin e bashkëluftëtarëve. Luftëtarët në front janë ndjerë më të sigurt me “Herifat” pranë; e kanë ditur që nëse plagosen, “Herifat” do t’ua ofrojnë menjëherë shërbimin mjekësor, nga vija të zjarrit, e deri në spitalin e Bajram Currit për intervenime kirurgjike.
Në mesin e “Herifave” ka edhe të plagosur në betejë.
Mirënjohje dhe falënderim i veçantë “Herifave”, heronjve të heshtur të Koshares!