Rrustemi i LV-së: Në zgjedhjet e ardhshme do ta tejkalojmë edhe rezultatin e 14 shkurtit
Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, në një konferencë për medie bashkë me shefen e grupit parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Vetëvendosje është e gatshme edhe për zgjedhjet të parakohshme nëse krijohen rrethanat për mbajtjen e tyre.
Ai ka thënë se në zgjedhje mund të shkohet vetëm nëse opozita inicion një mocion mosbesimi, përndryshe Rrustemi ka thënë se Vetëvendosje do të vazhdojë mandatin e saj deri në fund.
“Natyrisht që LV-ja është e gatshme kurdo që krijohen rrethanat për zgjedhjet e parakohshme, sepse këto e kanë një dimension të rrethanave se kur ato krijohen. Kushtetuta i parasheh këto situata. Unë nuk shoh indikacione për një gjë të tillë, por nëse ka ndonjë nismë nga opozita për mocion mosbesimi për qeverinë dhe ka sukses, padyshim që Vetëvendosja do të ishte edhe e gatshme edhe e përgatitur për të marrë pjesë në zgjedhje. Por, ne vazhdojmë me përkushtim përmbushjen e programit e qeverisës me mandat të plotë, por nëse eventualisht zgjedhjet e parakohshme paraqiten padyshim që ne me përkushtim do t’iu dedikohemi zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë ai, duke shtuar se në zgjedhjet e ardhshme, LV-ja do të dalë me rezultat më të mirë sesa më 14 shkurt 2021 kur kishte fituar 51 për qind të votave.
“Edhe nga vlerësimi i opinionit, por edhe nga puna që po bëjmë është po ashtu e dukshme që rezultati i zgjedhjeve të ardhshme do të tejkalojë edhe rezultatin e 14 shkurtit të 2021-ës marrë parasysh faktin që mërgata do të ketë lehtësi të votimit si kurrë më parë nëpërmjet votimit nëpër ambasada e konsullata”, ka thënë Rrustemi.