Rrustemi: Kemi sovranitet në veri si asnjëherë më parë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se “barrikadat në veri nuk do të tolerohen për kohë të gjatë”.
Ai ka thënë se në veri, institucionet kanë sovranitet si asnjëherë më parë.
“Ne kemi sovranitet si asnjëherë më parë përmes autoriteteve siç është Policia e Kosovës, që kontrollon rrypin kufitar, kontrollon Ujmanin, patrullon në secilën pjesë veriore. Në anën tjetër, janë larguar zyrtarët nga institucionet lokale në atë pjesë. Në momentin e parë kur u përballen me një vendim për vendosjen e ligjshmërisë, ata liruan detyrën”, ka thënë ai.
Ai në RTV21 ka thënë se “nuk ka asnjë dyshim se Policia e Kosovës ka kapacitete dhe përgatitje profesionale për t’i hequr këto barrikada, por KFOR-i ka kërkuar kohë”.
“Nuk ka asnjë dyshim se Policia e Kosovës ka kapacitete dhe përgatitje profesionale për t’i hequr këto barrikada, por KFOR-i ka kërkuar kohë dhe ne natyrisht që kemi dhënë kohën e duhur për t’i hequr. Ne përsërisim që duhet të hiqen sa më parë këto barrikada, sikurse e përsërisim që nuk do të lejohen edhe shumë gjatë. Unë besoj që KFOR-i e ka të qartë edhe situatën në terren, edhe domosdoshmërinë për të siguruar lëvizjen e lirë në drejtim të pikave kufitare, por nga autoritetet e Kosovës nuk do të lejohen gjatë”, ka thënë Rrustemi.