RTK: Në veri për 7 muaj u shpenzua rrymë në vlerë prej 8 milionë euro, u paguan 600 mijë
Energjia e shpenzuar në 7 mujorin e parë të këtij viti në komunat veriore, kap vlerën e mbi 8 milionë eurove. Por nga kjo shumë, ZRRE thotë se qytetarët serbë kanë paguar vetëm rreth 600 mijë euro.
Energjinë elektrike që po e shpenzojnë, një pjesë e qytetarëve serbë në veri të vendit, vazhdojnë të mos e paguajnë.“Mu më ka ardhë fatura e rrymës për banesë, e kam edhe borxhin e vjetër edhe borxhin e ri. A i keni paguar? Jo nuk kam shkuar ta paguaj se kam pasur dhimbje në këmbë”, tha një qytetar.Ndërsa ka të tjerë që thonë se ende nuk u është faturuar energjia elektrike e shpenzuar.“Te ne nuk kanë ardhë fatura, as orë të rrymës nuk kemi”, deklaroi qytetari.Nga zyra e Rregullatorit për Energji kanë bërë të ditur për RTK-në se energjia e shpenzuar në 7 mujorin e parë të këtij viti në komunat veriore, kap vlerën e mbi 8 milionë eurove.Por nga kjo shumë, qytetarët kanë paguar rreth 600 mijë euro.”Sipas legjislacionit në fuqi, Elektrosever obligohet të raportoj në ZRRE të dhënat e energjisë elektrike.Sa i përket pyetjes tuaj se a janë duke u shpërndarë faturat, ju informojmë se faturat janë duke u shpërndarë sipas legjislacionit në fuqi. Sipas të dhënave, për shtatë muaj e këtij viti, janë faturuar 113,941,547 kWh, shprehur në euro 8,298,224€, ndërsa pagesa nga energjia e faturuar është 631,804€”, thanë nga ZRRE.Në fund të shkurtit 2024, qytetarët në katër komunat veriore morën faturën e parë paushall. Në atë përllogaritje u përfshi një pagesë minimale fikse në shumën prej 21.60, ndërsa pas muajit prill, atyre u është llogaritur konsumi.