RTK udhërohet të mos ftojë në emisione persona me aktakuza aktive

26 shkurt 2022 | 14:52

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka urdhëruar që kryeredaktorët, redaktorët përgjegjës dhe redaktorët e programeve të mos i ftojnë në intervista figurat që kanë aktakuza aktive.

Demokracia.com ka siguruar një e-mail të brendshëm të RTK-së, ku Ahmetxhekaj parashtron këtë kërkesë dhe thotë se udhëzimi ka efekt të menjëhershëm.

Me zbatimin e kësaj kërkese, punëtorët e RTK-së, medium që tani po kontrollohet nga njerëz të afërt me presidenten Osmani dhe pushteti i ri, do të kufizohen që të ftuar të jenë edhe deputetët e ministrat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo pasi dhjetëra prej tyre kanë aktakuza aktive dhe probleme me ligjin. Madje, disa po përballen edhe me procese gjyqësore, raporton Demokracia.com.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe deputetët Drita Millaku, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi ende s’kanë dalë para gjykatës lidhur me akuzat që kishin hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Të gjithë këta e kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Por, aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka edhe shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka aktakuzë lidhur me vendimin që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike, si hidrocentrali i Lumbardhit, ai në Burim, i Radavcit dhe hidrocentrali “Dikance”, të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike dhe më pas të privatizohen nga “Limak-Calik”, raporton Demokracia.com.

Në të njëjtën ditë, ata kishin nënshkruar marrëveshje për importe, për transferim, për furnizim, për implementim, për borxhe duke përmbyllur procesin e privatizimit të KKDFE-së, “përkundër se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen, për arsye se një veprim të tillë e ndalon baza ligjore, Ligji për rregullatorin e energjisë elektrike nr.05/L-084, neni 35, paragrafi 4, të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK. E me këto veprime, të njëjtit, kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht vetëm për qira mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet t’i paguhet KEK-ut e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat mbesin në pronësi të kompanisë privatizuese.

Edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca ka aktakuzë për “përdorim të armës dhe pengim të personit zyrtar”. Për të njëjtën vepër penale akuzohen edhe kolegët e tij në LVV, Arbërie Nagavci e Valon Ramadani.

Veç kësaj, Demokracia.com ka mësuar se punëtorët e RTK-së janë udhëzuar që në ballinën e portalit të RTK-së t’u japin më së shumti hapësirë lajmeve për presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ndërsa në raste më të rralla edhe atyre për kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Veçanërisht kjo vërehet lehtësisht kohëve të fundit, pasi që ballinën e saj, RTK-ja po e mbush kryesisht me takime të parëndësishme dhe protokollare të liderëve vendorë dhe jo me ngjarjet kryesore me të cilat përballet vendi e bota.

Ndryshe, bazuar në nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës, pikën 5, çdo i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia ka urdhëruar nisjen e sistemit flakëhedhës TOS-1 për në…