Ruajtja e “aleatëve dhe aleancave”
Shkruan: Behxhet Begu
Cilat janë asetet tona për të ofruar kundërpeshën që të konsiderohemi aleatë?! A kemi luftëanije, a mund ta dërgojmë një kontigjent avionësh a helikopterësh në ndihmë aleatëve? Ne nuk kemi as infrastrukturë e asnjë lloj kapaciteti për ta llogaritur veten si aleat. Gjëja e vetme që neve na bën të rëndësishëm është besimi që kemi pasur e i cili ka filluar të humbet. Bile, sipas Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, mirëbesimi me Bashkësinë Ndërkombëtare është në minimum!
Raportet me aleatët sot dominojnë studiot televizive, pasi reagimet e Perëndimit, për veprimet e Qeverisë së Kosovës relativizohen skajshmërisht. Kam respekt për shumicën e panelistëve dhe kolegëve gazetar, mirëpo ne quhemi dhe mund t’i quajmë aleatë ShBA-në dhe BE-në, vetëm nga mirësia dhe kultura që ata kanë për diskursin publik.
Ata janë sponzorë dhe financues shumësektorial dhe të shumfishtë të ndërtimit të Shtetit të Kosovës, pra janë pak më shumë se aleatë.
Prandaj, nuk duhet të jemi mosmirënjohës e të bëhemi bukëpërmbystë! Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës iu shkatërrohet e ardhmja nëse humbin besimin e atyre që garantojnë ekzistencën e shtetit tonë!