Ruajtja e sigurisë në Kosovë, kryesore për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor

21 dhjetor 2023 | 08:04

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi të mërkurën se ruajtja e një ambienti të sigurtë në Kosovë është “kyç për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shkruan Reporteri.net.

Në një urim të fundvitit ushtarëve të aleancës, Sekretari Stoltenberg tha se “bota në të cilën jetojmë është më e rrezikshme” dhe se për t’iu përgjigjur kësaj situate NATO-ja kanë ndërmarrë hapa që të përforcojë parandalimin dhe mbrojtjen e vendeve anëtare të saj duke rritur buxhetin e mbrojtjes dhe duke vënë një numër të shtuar të forcave të armatosura në gjendje gatishmërie.

“Një luftë e vërtetë po ndodh në Evropë. Një luftë e re në Lindje të Mesme, tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten. Terrorizmi brutal po vazhdon dhe ndryshimet klimatike po nxisin konflikte”, tha Stoltenberg.

Duke folur për vizitat e tij në vende të ndryshme të Evropës, Sekretari Stoltenberg iu referua edhe asaj në Kosovë, ku takoi ushtarët e forcës paqeruajtëse të KFOR-it.

“Muajin e kaluar vizitova trupat e KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës. Ndihma (e tyre) për ruajtjen e një ambienti të sigurtë për të gjithë në Kosovë është kyç për stabilitetin e rajonit të gjerë të Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Stoltenberg deklaroi se pa ushtarët e NATO-s “nuk do të kishte NATO, nuk do të kishte siguri dhe nuk do të kishte liri”.

“Po jetojmë në një botë më të rrezikshme. Është një luftë e plotë në Evropë dhe një luftë e re në Lindjen e Mesme. Tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten. Vazhdon të ketë terrorizëm brutal dhe ndryshimi klimatik po i nxit konfliktet. Nuk mund të ketë siguri pa mbrojtje të forta. Dhe, nuk ka mbrojtje të forta pa ushtri të afta”, tha Stoltenberg.

Këtë vit, NATO-ja dërgoi qindra forca shtesë në misionin e saj paqeruajtës në Kosovë – KFOR – pas trazirave që shkaktoi vendosja e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku u plagosën dhjetëra ushtarë të KFOR-it gjatë protestave të serbëve lokalë që i kishin bojkotuar zgjedhjet lokale të prillit – si dhe pas incidentit në Banjskë në shtator, ku grupe të armatosura serbësh e sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.

Misioni ushtarak i aleancës sot numëron mbi 4.600 trupa në Kosovë.

”Në këtë periudhë të vitit, falënderimet dhe respekti im më i thellë shkon për forcat tona të NATO-s. Pa ju nuk do të kishte NATO, nuk do të kishte siguri dhe nuk do të kishte liri. Shërbimi i tyre na mban pa rreziqe, të sigurt dhe të lirë”, tha ai.

Ngjarja e 24 shtatorit në Banjskë është cilësuar si më e rënda që nga koha kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe ka nxitur shqetësim ndërkombëtar për qëndrueshmërinë në vend.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Popullit i Vojvodinës, Aleksandar Olenik, vlerësoi se për…