Ruaju!
Shkruan: Kimete Berisha
Shqiptarët janë xhelozë.
Xhelozia si ndjenjë sekondare është primitive dhe kur është patologjike hyn te sëmundjet mentale.
…Kur të duket se dikush po ta merr atë që është e jotja: e njeriu s’mund të jetë i joti.
Ti mund të çmendesh nga mërzia, por njeriu pronë nuk bëhet.
Edhe kur të thotë: I joti jam- ti dije se ta bën qejfin, veç pse tingëllon bukur.
Çdo gjë që tingëllon bukur është rrenë.
Xhelozia e shqiptarëve nuk është racionale (nuk bazohet në asnjë fakt), është patologjike:
kolektivisht xhelozojnë pa asnjë arsye, e marrin me mend se janë të tradhtuar dhe u kry kjo punë – e di unë, sytë po i tregojnë se më tradhton!
Nuk është e habitshme që sot lexon dhjetëra komente të meshkujve (edhe të femrave) që ‘motivi i xhelozisë’ u duket normal dhe i mjaftueshëm për të vrarë.
Sinqerisht e kanë.
Xhelozia është armiku më i madh i shqiptarëve: jo që e duan partnerin – e duan veten, aq shumë e duan veten – për dashuri ndaj vetes – vrasin.
Xhelozia e shqiptarëve ka karakteristika të veçanta folklorike: e lidhin me nderin familjar e kombëtar.
Një vajzë në anën e dynjasë nëse martohet me ‘armikun’, ky këtu në Kosovë e rrehë vajzën e vet- pa ndodh asgjë, se kështu e ka mësu tradita…
Është paranojë kolektive, shqiptarët dyshojnë dhe vuajnë nga frika e mashtrimit.
Sidomos kanë frikë nga mashtrimi i grave.
Ky vend i rriti djemtë e vet me frikë nga mashtrimi.
– Hapi sytë mirë, mos i beso askujt.
– Shoku ta merr gruan.
– Shoqja ta merr burrin.
– Gruaja e ka shti dreqin n’shishe.
Frikën nga gruaja e ka mbjell gruaja.
– Nana e mëson djalin e saj të mos i besoj kurrë gruas.
– E mëson edhe vajzën të dyshojë në burrin, por nëse e zbulon në pabesi – ta falë.
‘Nëse dikush të mashtron – Ti ke faj dhe Ty ta humb burrërinë’.
Gruaja shqiptare sot është në krizë: në mes të nevojës për t’u ndjerë e sigurtë (e martuar), dhe nevojës për të qenë e lirë njëkohësisht.
Por, Liria për gratë është Vetmia.
Mënyra e jetës në Kosovë duket perendimore, por shoqëria është primitive.
Gratë kanë nevojë të tmerrshme të duken VIP,
e Burrat e kanë humbur rrugën mes dy civilizimeve.
Njërën këmbë në mesjetë e tjetrën nuk guxojnë ta lëshojnë në Tokë….
Se kalin e Isa Boletinit nuk guxon kush ta kalërojë…
Mentaliteti i robit – pas derës fshihet një armik.
– Ruaju,
derisa nuk rishkruhet edukata.
Derisa një nanë nuk e mëson një djalë të mos bëhet roje e moralit të tij, sepse:
ti nuk bëhesh i pamoralshëm nëse dikush të tradhton.
Derisa një mësues e mëson nxënësin se nëse dikush të mashtron nuk është faji yt!
Çka ke faj ti që dikush punon prapa shpinës tënde!
Çdo ditë ora e parë e mësimit duhet të jetë:
– Dashuria nuk zgjat përgjithmonë.
– Njeriu nuk mund të jetë pronë e jotja. As ti nuk mund të jesh pronë e askujt.
– Jeta mbi Tokë ia nisi mbi lakminë (molla e ndaluar), dhe u krijua mbi vrasjen e vëllezërve mes vete, për xhelozi dhe pushtet.
Xhelozia dhe hakmarrja janë motivet krysore të vrasjeve.
Nuk ndalen me Ligj – por rrallohen me edukatë.
Nëse dikush të mashtron, sipas traditës shqiptare, ti ke qenë budalla, sepse njeriun dikushi dhe të zotin askush nuk mund ta mashtrojë.
P.S. Sindromi i Othellos është xhelozia paranojake, që karakterizohet nga besimi absolutisht falls për pabesinë e partnerit.
Ata që janë të obsesionuar nga iluzionet e tradhtisë, ata e arsyetojnë vrasjen e partnerit.
Te Shekspiri, Othello e vrau Desdemonën, sepse ishte i bindur se ajo e ka tradhtuar.
Desdemona ishte i vetmi personazh i pafajshëm te Othello.
‘Pafajësi e korruptuar’.
– Njeriu më i rrezikuar sot është njeriu i pafajshëm.