Rubiales pas dorëheqjes: Do mbroj nderin tim, jam i pafajshëm
Luis Rubiales ka dhënë dorëheqje si president i Federatës Spanjolle të Futbollit (RFEF) pas skandalit për puthjen e Hermoso. Ndërsa ka reaguar në rrjetet sociale pas këtij vendimi, Rubiales theksoi se është “i pafajshëm”.
“Do të mbroj nderin tim. Do të mbroj pafajësinë time. Kam besim te e ardhmja. Kam besim te e vërteta”, ka shkruar Rubiales. “Unë kam besim në të vërtetën dhe do të bëj gjithçka që kam në dorë për të fituar. Vajzat e mia, familja ime dhe njerëzit që më duan kanë vuajtur pasojat e persekutimit të tepruar, si dhe të shumë gënjeshtrave, por është gjithashtu e vërtetë që në rrugë, çdo ditë e më shumë, e vërteta mbizotëron. Nga këtu u dërgoj të gjithë punëtorëve, asamblistëve, federatave dhe njerëzve të futbollit në përgjithësi, një përqafim të madh duke i uruar fat të mirë. Faleminderit të gjithëve që më kanë mbështetur në këto momente”, ka shtuar Rubiales.