Ruçi, homologut danez: Shqipëria meriton hapjen e negociatave me BE-në

25 tetor 2019 | 11:46

Kryeparlamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka kërkuar nga homologu i tij danez, Henrik Dam Kristensen, që parlamentarët dhe qeveritarët e këtij vendi të vijnë në Shqipëri dhe të verifikojnë nga afër arritjet për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Takimi Ruçi- Kristensen është zhvilluar në kuadër të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, e cila është zhvilluar në Strasbourg, më 24-25 tetor.

Në një njoftimin e Kuvendit është thënë se Ruçi e ka informuar homologun danez mbi arritjet e Shqipërisë në avancimin e reformave integruese, të cilat janë investime për të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit

“Për t’u bindur se Shqipëria e meriton çeljen menjëherë të negociatave, parlamentarët dhe qeveritarët e vendeve me qëndrime skeptike nuk duhet të nisen nga paragjykime dhe qëndrime obstruksioniste, por duhet të vijnë të verifikojnë arritjet dhe të prekin nga afër realitetin shqiptar”, është shprehur Ruçi në takim.

Danimarka ishte një prej shteteve që së bashku me Holandën dhe Francën, ka kundërshtuar hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Thomas Mulleri paralajmëroi se mund të largohet që në muajin…