Ruçi: Kuvendi i Shqipërisë vazhdon funksionimin
Konferenca e kryetarëve ka miratuar kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe grafikun e shqyrtimit te akteve normative me fuqinë e ligjit ne komisionet e përhershme parlamentare.
Në drejtimin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, sot është zhvilluar konferenca e kryetarëve, e cila është zhvilluar online, nëpërmjet programit “Cisco Webex”.
Në fillim të mbledhjes kryetari Ruçi, e ka vlerësuar vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë.
“Ju falënderoj të gjithëve ju si edhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për kontributin në këtë proces. Kuvendi i ka dhënë dhe po i jep procesit të integrimit evropian legjitimitetin e duhur”, ka thënë Ruçi.
Pasi i ka njohur anëtarët e konferencës me rendin e ditës, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka nënvizuar: “Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të funksionojë dhe në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme. Veprimtaritë parlamentare do të zhvillohen online. Po kështu edhe mbledhjet e komisioneve të përhershme. Kjo do të kërkojë prezencën fizike në Kryesinë e Kuvendit të kryetarëve të komisioneve. Gjatë shqyrtimit të akteve normative dhe projektligjeve të tjera kërkesat për pjesëmarrjen e ministrave mbeten të pandryshuara, pra të njëjta me situatat normale. Në varësi të ecurisë së mbledhjeve të komisioneve si edhe të evoluimit të situatës së pandemisë COVID-19, do të vendosim edhe për zhvillimin e seancës së ardhshme plenare”, ka thënë ai
Në këtë mbledhje është miratuar edhe grafiku i të komisioneve të përhershme parlamentare, për shqyrtimin e akteve normative me fuqinë e ligjit.
Me këtë rast, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka porositur se për vendimet e konferencës së kryetarëve të informohen të gjithë deputetët.