Ruçi nis lobimin për hapjen e negociatave
Hapja e negociatave është objektiv për Shqipërinë gjatë këtij viti.
Derisa Rumania mban presidencën e radhës së Bashkimit Evropian (BE) nga 1 janari 2019 deri më 30 qershor, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi u është drejtuar me një letër presidentit të Dhomës së Deputetëve, Nicolae-Liviu Dragnea dhe presidentit të Senatit të Rumanisë, Calin Popescu-Tariceanu.
Në letër kryetari i Kuvendit Ruçi uron presidentin e Dhomës dhe presidentin e Senatit rumun për marrjen nga Rumania të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.
“Shqipëria shpreh besimin e palëkundur se Rumania do të drejtojë me lidership të suksesshëm Presidencën e saj të parë të Këshillit të Bashkimit Evropian. Presidenca e Rumanisë do të arrijë plotësisht prioritetet e saj, për një Evropë konvergjente e kohezive, që zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme; për një Evropë më të sigurt, mikpritëse të emigrantëve dhe luftëtare kundër terrorizmit; për një Evropë më të zgjeruar dhe më të fuqishme si aktor global; për një Evropë që ndërton shoqëri bazuar në vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, solidaritetit, kundër racizmit, intolerancës dhe populizimit. Shqipëria është angazhuar maksimalisht për përmbushjen e të gjitha kushteve për çeljen e negociatave të pranimit dhe unë shprehim besim tim të fuqishëm se Presidenca e Rumanisë, ashtu si deri tani, do të jetë në mbështetje të çeljes së negociatave në qershor 2019”, është thënë në letrën e kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi drejtuar kryelegjislatorëve rumunë.
Me këtë rast, kryetari i Kuvendit Ruçi ka ftuar presidentin e Dhomës së Deputetëve, Dragnea dhe presidentin e Senatit, Popescu-Tariceanu ta vizitojnë Shqipërinë gjatë muajve të parë të vitit 2019 dhe të vlerësojnë nga afër plotësimin e kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit.