Ruçi: Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha fushat
Kryeparlamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi, është takuar me ambasadorin e Kosovës në Tiranë, Sylë Ukshini, me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri.
Ruçi e ka falënderuar Ukshinin për kontributin e tij në zgjerimin e bashkëpunimit vëllazëror midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe i uroi suksese në vazhdimin e karrierës së tij diplomatike.
“Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha aspektet, në konsolidimin e demokracisë, fuqizimin e pozitës së saj në rajon dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare si edhe anëtarësimin në nismat dhe organizatat rajonale e ndërkombëtare. Bashkëpunimi ynë me institucionet e reja të Kosovës do të vazhdojë të rritet e zgjerohet në të gjitha aspektet. Në trajtimin e sfidave që kanë përpara, këto institucione duhet të mbajnë parasysh rekomandimet e ShBA-së dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Ruçi.