Ruçi uron Konjufcën

26 dhjetor 2019 | 19:11

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka uruar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me rastin e zgjedhjes në këtë detyrë të lartë.

Në mesazhin e tij, Ruçi shprehet besimplotë se nën drejtimin e tij të urtë Kuvendi i Kosovës do t’i përballojë e zgjidhë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, përparimit dhe integrimit të Republikës së Kosovës si dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të saj.

“I dashur Glauk, me rastin e zgjedhjes tuaj Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ju uroj nga zemra suksese në këtë detyrë të lartë dhe fisnike. Kam besim të plotë se nën drejtimin Tuaj të urtë, Kuvendi i Kosovës do t’i përballojë e zgjidhë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, përparimit dhe integrimit të Republikës së Kosovës si dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve të saj. Përvoja juaj e gjatë si deputet, kompetenca dhe përkushtimi me të cilin keni shërbyer si zëvendëskryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, angazhimi i gjatë në media si dhe në mbrojtjen dhe zhvillimin e të drejtave të njeriut janë garanci se Ju do t’i përmbushni me sukses të gjitha objektivat për rritjen e kontributit të Kuvendit si dega legjislative e qeverisjes në konsolidimin e institucioneve demokratike, mirëqeverisjen, integrimet euroatlantike, shtimin e njohjeve ndërkombëtare dhe zhvillimin, stabilitetin, fqinjësinë dhe paqen në rajon”, është thënë në urimin e Ruçit, i cili ka konfirmuar gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës.

“Gjej rastin ta rikonfirmoj vullnetin dhe gatishmërinë e Kuvendit të Shqipërisë, edhe timin personal, se ashtu si deri më sot, bashkëpunimi midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës do të rritet e zgjerohet si një nga aspektet më të rëndësishme të bashkëpunimit tonë dypalësh. Për të diskutuar nga afër çështje konkrete të bashkëpunimit tonë të ardhshëm kam kënaqësinë t’ju ftoj për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, në një kohë sa më të afërt”, shkruhet në letrën e urimit të kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kohën kur populli pret kthjelltësi më të madhe, një…