Rudari, Bulliqi dhe Fetahu nisin garën për kryetar komune

03 mars 2020 | 11:08

Sot (e martë) fillon fushata zgjedhore në Komunën e Podujevës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune, e cila do të zgjasë deri më 13 mars. Në garë janë vetëm tre kandidatë: Nexhmi Rudari (LDK), Shpejtim Bulliqi (LV) dhe Naim Fetahu (PDK). Ndërkaq të hënën është hedhur shorti për renditjen e kandidatëve për kryetar të Komunës së Podujevës.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do ta ketë numrin 11, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) numrin 10 si dhe Lëvizja Vetëvendosje numrin 12.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se institucioni që drejton ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë. “Ftoj të gjitha subjektet politike të cilat janë pjesëmarrëse në këto zgjedhje, kandidatët e tyre, vëzhguesit dhe të gjithë ata që janë pjesë e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës, ta respektojnë Kushtetutën e Kosovës, t’i respektojnë ligjet në fuqi dhe rregulloret e KQZ-së”, ka deklaruar Dakaj.

Të tre kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës kanë folur për gazetën “Epoka e re” për këtë garë, duke dhënë edhe arsyet pse ata duhet të votohen nga qytetarët e Podujevës.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, është shprehur i bindur në fitoren e tij më 15 mars. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se edhe në këtë mandat do të vazhdojë qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë komunë.

Rudari ka thënë se pret që këto zgjedhje t’i fitojë qysh në raundin e parë. “Ne synojmë dhe do të përgatitemi që ta fitojmë këtë garë pa balotazh dhe ta vazhdojmë qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Podujevës. Pra, presim që këto zgjedhje t’i fitojmë qysh në raundin e parë”, ka thënë Rudari.

Ai ka vlerësuar se elektorati i LDK-së në këtë komunë është stabil. Sipas Rudarit, kushdo që mendon se ky elektorat ka lëvizur, gabon. Duke iu përgjigjur pretendimeve të kandidatit të LV-së për kryetar të kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, i cili ka thënë se kjo komunë nuk është më bastion i LDK-së, Rudari ka thënë se forca e votuesve të LDK-së do të shihet më 15 mars. “Pretendimet e tij janë mendime të tij. Ajo që mund të them unë është se Bulliqi do ta provojë forcën e LDK-së tash në garën që do ta kemi më 15 mars. Do të shohë Bulliqi se elektorati i LDK-së në këtë komunë do t’i qëndrojë besnik Lidhjes Demokratike të Kosovës, kurse ai do të pretendojë të marrë vota nga subjekti që e ka propozuar”, është shprehur Rudari.

Kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune ka thënë se dy kundërkandidatët e tij, Shpejtim Bulliqin nga LV-ja dhe Naim Fetahun nga PDK-ja, nuk i sheh konkurrentë në këtë garë. Rudari ka vlerësuar se atyre u mungon përvoja në qeverisje lokale. “Mendoj se ky do të jetë lehtësim për mua sepse unë kam qenë bashkëpunëtor i ngushtë me z. Veliu gjatë kësaj kohe qoftë si drejtor i Arsimit, qoftë për një vit e gjysmë si nënkryetar i komunës. Mendoj se do të jetë një lehtësim për mua ngaqë kam qenë i kyçur në të gjitha proceset dhe fazat e projekteve komunale. Meqenëse kam njohuri për të gjitha punët që janë kryer dhe ato që duhet të kryhen në Podujevë, kjo do të jetë një rrethanë lehtësuese për mua”, ka thënë Rudari.

Edhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka shprehur optimizëm për fitore në zgjedhjet e 15 marsit. Ai ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se zgjedhjet e fundit kombëtare kanë treguar se kjo komunë nuk është më bastion i asnjë partie politike.

Bulliqi është shprehur i bindur se në këtë garë do ta marrë besimin për ta qeverisur Komunën e Podujevës. “Mendoj se koha e bastioneve ka kaluar në Kosovë. Tanimë asnjë komunë nuk mund të llogaritet se është bastion i këtij apo atij subjekti politik. Ju e dini se në zgjedhjet e fundit nacionale në komunën tonë dallimi në mes të LDK-së dhe LV-së ka qenë  mbi 1 000 vota. Prandaj, në këtë aspekt mendoj se më nuk mund ta quajmë Podujevën si bastion të një partie, nëse diferenca mes këtyre dy subjekteve politike është mbi 1 000 vota. Sigurisht se gjatë fushatës do të angazhohemi fuqishëm që në radhë të parë ta marrim besimin e qytetarëve dhe këtë besim të qytetarëve pastaj ta shndërrojmë në punë dhe angazhime që janë në interes të qytetarëve të Podujevës”, ka thënë ai.

Bulliqi ka bërë me dije se gjatë fushatës zgjedhore i mbetet vetëm ta prezantojë programin para qytetarëve të kësaj komune. “Unë kam besim të plotë që besimi i qytetarëve të Podujevës nuk do të mungojë për programin tonë dhe për mbështetjen e Lëvizjes Vendvendosje dhe për mua si kandidat për kryetar të kësaj komune. Tashmë nuk kemi dilema në këtë aspekt. Na mbetet që gjatë kësaj kohe të afrohemi sa më tepër te qytetari, t’i japim sqarimet konkrete se cili është vizioni ynë për qeverisjen lokale. Ndërsa përkrahja e qytetarëve nuk do të mungojë në këtë aspekt”, është shprehur Bulliqi. Ai ka treguar se në programin të tij përfshinë të gjitha fushat që janë me interes për Komunën e Podujevës. Kandidati i LV-së për kryetar të kësaj komune ka thënë se synon depolitizimin e shërbyesve publikë.

Ndërkaq kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu, ka thënë se kësaj radhe si asnjëherë më parë po vërehet një disponim i mirë i qytetarëve të Podujevës që ta bëjnë ndryshimin e madh në këtë komunë. Ai ka thënë se Podujeva ka nevojë për fitoren e PDK-së. “Ne jemi të vendosur për t’i fituar këto zgjedhje dhe do t’ia dalim. Këto ditë kam marrë shumë mesazhe përkrahje nga qytetarët që më herët kanë votuar për LDK-në dhe LV-në. Dhe a dini se çfarë më thonë në takimet e përditshme, se këta vetëm i ndryshojnë partitë për interesa të tyre, por nuk mendojnë për qytetarët. Fitorja e PDK-së është ajo për të cilën ka nevojë Podujeva dhe qytetarët e saj dhe për këtë do të angazhohemi që ta realizojmë”, ka thënë Fetahu.

Duke treguar arsyet se pse do të fitojë në zgjedhjet e 15 marsit, ai ka thënë se kjo komunë ka ngecur në të gjitha fushat. “Lajmi i vetëm i cili ka dalë në sipërfaqe nacionale nga kjo komunë në këto vite ka qenë vendosja e semaforëve. Asgjë tjetër. Zero. Podujeva sot është një nga komunat me më së paku zhvillim. Të rinjtë e Podujevës, të cilët janë shumica e popullsisë, është dashur  që të anëtarësohen në LDK që të gjejnë një vend pune. Bujqit, të cilët kanë qenë krenaria e kësaj komune, sot janë lënë anash. Madje shumë fshatra nuk kanë as ujë të pijshëm e as rrugë të denja për të kaluar”, është shprehur Fetahu.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Podujevës ka thënë se dy kundërkandidatët e tij janë të konsumuar dhe pa ide. “E gjitha që unë i kam dhënë Podujevës dhe Kosovës, kanë qenë vitet e mia më të mira në luftën për liri dhe rindërtimin e vendit në pozita të ndryshme ekzekutive që kam pasur në nivel qendror. Prandaj, po e përsëris, qytetarët e Podujevës i dinë këto gjëra dhe do t’i shfrytëzojnë këto zgjedhje për t’i larguar kapësit e qytetit nga pushteti”, është shprehur Fetahu.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës mbahen më 15 mars, pas dorëheqjes së Agim Veliut nga pozita e kryetarit, i cili është emëruar ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organi Kombëtar i Akreditimit (NAT) i Serbisë ka humbur anëtarësimin…