
Rudiger flet për sfidat gjatë Ramazanit: Nuk ha e nuk pi asgjë, stërvitja s’është e lehtë
Pasi jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, është koha për të folur për futbollistët që agjërojnë.
Dhe, ata janë jo të paktë. Njëri prej tyre është edhe qendërmbrojtësi i Real Madridit, Antonio Rudiger.
Në një intervistë dhënë mediumit spanjoll “Marca”, përfaqësuesi gjerman foli rreth agjërimit, rreth sfidave dhe vështirësive për t’i gërshetuar mungesën e ushqimit dhe të pijes me futbollin.
“Agjërimi nuk është problem për mua, jam mësuar me të. Nuk ha dhe nuk pi asgjë, i zbatoj me përpikëri rregullat. Nuk është e lehtë të stërvitesh, por në këtë mënyrë teston mendjen dhe në fund e bën për vete. Kjo është një nga armët kryesore që kam, mentaliteti. Dhe në fund, respektimi i muajit të Ramazanit nuk është problem për mua”.
“Kam biseduar me një nutricionist, që është gjëja më e rëndësishme. Unë e di se çfarë duhet të ha dhe sa duhet të pi. Nëse flas me trajnerin e fitnesit Pintus, ai do të më bëjë të vrapoj dhe do të më duhet ta dëgjoj, kështu që është më mirë të flas me një nutricionist”, ka thënë Rudiger.
Rudiger gjithashtu tregoi se falet pesë herë në ditë dhe kënaqet duke bërë punë të tilla kur jep intervista.
“Po, më pëlqen kjo. Më pëlqen, e aq më tepër gjatë muajit të Ramazanit. U argëtova dhe nuk mendoja të haja e as të pija”, ka përfunduar lojtari i Real Madridit.