Rufki Suma tregon si i bindi ushtarët t’i dorëzojnë armët britanikëve
Në ditën e parë të çlirimit, ushtarët britanik të NATO-s hasën në ata të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Krejt kjo ngjarje ndodhi në qytetin e Hanit të Elezit. Britanikët kërkuan që ushtarët e UÇK-së, t’i dorëzonin armët, ndërsa këta të fundit fillimisht hezituan ta bënin një gjë të tillë. Bisedimet me eprorët britanik, i udhëhoqi ish-komandanti i UÇK-së, Rufki Suma, i cili 25 vjet pas kësaj ngjarje, për Tëvë1 ka zbuluar se si erdhi deri tek zgjidhja më paqësore.
Më 12 qershor, Njësiti special britanik “Gurkat” u fut në Kosovë përmes kufirit me Maqedoninë e Veriut.
E vetëm disa metra me tutje, u takuan me komandantin e Brigadës “164”, Rufki Sumën.
Ky i fundit ishte i vetëm e i armatosur.
“Më 12 qershor, fillimisht i kemi parë helikopterët e NATO-s, Apache, pastaj edhe helikopterët e tjerë transportues që bartnin automjete të ndryshme. Nga fshati kam ardhur i vetëm, i armatosur. Në qytet i kam takuar ushtarët e NATO-s, njësitet speciale angleze. Jemi përshëndetur me ta, por nuk me thanë gjë për shkak se isha vetëm”, tha ish-komandanti i UÇK-së, Refki Suma.
Nga këtu, Suma vazhdoi për t’i takuar ushtarët e tjerë të UÇK-së, që tashmë kishin zbritur në qytetin e Hanit të Elezit.
Këta në grup, u drejtuan drejt forcave paqeruajtëse.
Por, atë që nuk e dinin në ato momente, ishte ekzistimi një marrëveshje e cila nuk lejonte forcë tjetër të armatosur brenda qytetit, përveç atyre të NATO-s
“Pikërisht afër komunës, jemi takuar me eprorët e NATO-s dhe na pyetën se kush jemi, i treguam që jemi nga shtabi. Na thanë a e dini që nuk keni të drejtë të jeni të armatosur, ne i treguam që nuk kemi informata që nuk duhet të qëndrohet me armatim. Ata insistonin që ne ta linim armatimin dhe pastaj të vazhdonin negociatat”, tha Suma.
E ushtarët e lirisë, fillimisht hezituan t’i lëshonin armët me të cilat luftuan për çlirimin e vendit.
Se çka u bisedoi me eprorët britanik, për Tëvë1 e ka zbuluar vet Rufki Suma.
“Krejt biseda u zhvillua në formë miqësore, partneriteti, ata donin ta zbatonin urdhrin ose marrëveshjen që ishte nënshkruar mes UCK dhe NATO-s, pasi e vërteta ishte që ishte nënshkruar një marrëveshje. Pastaj arritëm marrëveshje që ne të tërhiqemi. E vendosëm armatimin në bazën e UÇK-së, u rikthyem ne qytet dhe filloi bashkëpunimi me ushtarët”, tregoi ish-komandanti i UÇK-së.
10 ditë pas kësaj ngjarje, u nënshkrua përfundimisht edhe marrëveshja për demilitarizimin e UÇK-së, e cila nga këtu filloi rrugën e kthimit në ushtri të rregullt Kosovës.