Rugani dhe Matuidi mposhtin koronavirusin
Një lajm i mirë ka gëzuar ditën e sotme klubin e Juventusit si dhe gjithë tifozët bardhezi. Dy futbollistët e prekur nga pandemia Covid-19, Blaise Matuidi dhe Daniele Rugani, e kanë fituar betejën e tyre me virusin vdekjeprurës. Rugani do të ishte edhe i pari lojtar në Serie A që infektohej me koronavirus, por pas një lufte të gjatë me të arrin të fitojë edhe ndeshjen më të madhe të jetës së tij.
Juventusi sheh kështu dritë në fund të tunelit, duke qenë se do e ketë grupin e futbollistëve të shëndetshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi Italian, që ndan me të gjithë këtë njoftim mjaft të bukur për ta. Ndërkohë Italia do të vijojë të mbetet në izolim edhe muajin e ardhshëm, ndërsa shpresohet se në fund të majit mund të nisin sërish stërvitjet e klubeve. Në këtë mënyrë bardhezinjtë do të kishin grupin e plotë dhe do të hynin me një tjetër fytyrë në fushën e stërvitjes.