“Rugova ia siguroi lirimin me kusht Haradinajt, krerët aktualë të shtetit duhet ta bëjnë të njëjtën gjë për krerët e UÇK-së në Hagë”

30 prill 2021 | 23:25

Analisti politik, Fitim Salihu, ka thënë se ashtu sikurse veproi ish-presidenti Ibrahim Rugova me garantimin e lirimit me kusht ndaj kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë kohës sa ky i fundit po gjykohej për krime lufte në Hagë, njësoj duhet të bëjnë edhe krerët shtetërorë aktualë për ish-ushtarët e UÇK’së, të cilëve u rëndojnë akuzat për krime gjatë kohës së luftës dhe pas saj.

Salihu këtë propozim e ka bërë nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, teksa tha se udhëheqësit shtetëror nuk thanë ende asnjë fjalë për ish-Thaçin dhe të tjerët që po gjykohen nga Dhomat e Specializuara.

“Ibrahim Rugova ka garantuar për lirimin me kusht të Ramush Haradinajt. Nexhat Daci ka garantuar për lirimin me kusht të Fatmir Limajt. Burrështetasi dallohet prej politikanit të zakonshëm e të mllefosur nga aftësia për të dalë mbi inatet ditore në momente kur preket historia kapilare e kombit”, thuhet në postimin e tij.

“Krerët aktualë të shtetit asnjë fjalë nuk e thanë për krerët e UÇK-së që sot po gjykohen. Po gjykohen për luftën e tyre për lirinë e Kosovës. Asnjë garancë nga institucionet tona për lirimin e tyre me kusht. Gjykata Speciale tha se ju nuk keni shtet që garanton për lirimin e tyre me kusht. Në Prishtinë, si përgjigje, shteti heshti. Heshtja është aprovim. Smira e mllefi mbipeshuan historinë, lirinë”, shton tutje njohësi i rrethanave politike.

Përgjatë ditës së sotme, Dhomat e Specializuara kanë njoftuar për refuzimin e kërkesës së mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së për mbrojtje në liri.

“Të premten më 30 prill 2021, paneli i Gjykatës së Apelit nxori katër vendime me të cilat hodhi poshtë apelet e parashtruara nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kundër katër vendimeve përkatëse të Gjykatësit të Procedurës Paraprake me të cilat ai refuzoi kërkesat e tyre fillestare për lirim të përkohshëm”, thuhet në njoftimin e tyre. /Express/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrojtësi i Juventusit, Matthijs de Ligt tha që “Zonja e…