![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/02/GRANIT-RUGOVA.jpg)
Rugova: Kualifikimi në fazën tjetër është synim i Kosovës
Basketbollistët e Kosovës të martën mbrëma kanë filluar përgatitjet për ndeshjet shumë të rëndësishme që do t’i zhvillojnë këtë muaj. Atmosfera në ekipin e Kosovës është shumë e mirë dhe basketbollistët janë të motivuar për ta dhënë maksimumin dhe për të synuar kualifikim në rrethin e ardhshëm.
Drejtori i Përfaqësuesve të Kosovës, Granit Rugova, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve.
“Atmosfera në ekipin e Kosovës është shumë e mirë. Basketbollistët janë të motivuar dhe sigurisht se do ta japin maksimumin në dy takimet që do t’i kemi gjatë muajit shkurt. Unë besoj fuqishëm në basketbollistët e Kosovës se do t’u qasen ndeshjeve me seriozitetin më të madh e të kualifikohemi në rrethin e ardhshëm, që do të ishte historike për basketbollin e Kosovës”, ka thënë Rugova për faqen zyrtare të FBK-së.
“Angazhimi nuk ka munguar asnjëherë dhe sigurisht se nuk do të mungojë as këtë herë. Ndeshja e parë do të jetë ndaj Luksemburgut, e që besoj në fitore, ndërsa më pas do të kemi sfidën vendimtare me Sllovakinë. Kësaj radhe do të jemi mangët pa publikun, që gjithmonë ka dhënë mbështetje, por besoj se të gjithë do të përkrahin Kosovën për t’u kualifikuar në rrethin e ardhshëm”, ka deklaruar Rugova.
Kosova A më 18 shkurt do të ballafaqohet me Luksemburgun, kurse më 20 shkurt me Sllovakinë. Përballjet zhvillohen nga ora 19:00. Të dyja ndeshjet do të zhvillohen në Prishtinë ashtu siç të gjitha takimet e Grupit B parakualifikues për Botërorin 2023.
Në këtë grup Islanda është lidere me tri fitore dhe një humbje, nga dy fitore kanë Kosova dhe Sllovakia, kurse Luksemburgu ndodhet në vendin e fundit me një fitore dhe tri humbje. Nëse “dardanët” shënojnë dy fitore në dy takimet e zhvilluara, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm.
Të gjitha ndeshjet e Dritares së Tretë të Grupit B do të zhvillohen në Prishtinë. Ky ishte vendimi i mëhershëm nga Bordi i FIBA Evropës, duke i besuar edhe një ngjarje të rëndësishme Federatës së Basketbollit të Kosovës.