Rugova: LDK-ja s’do të jetë pjesë e kësaj qeverie të papërgjegjshme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, ka bërë me dije se sot (e martë) kjo parti do ta dorëzojë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme lidhur me deportimin e mësimdhënësve turq nga Kosova.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se nuk mjaftojnë dy dorëheqje, por të gjithë ata që kanë marrë pjesë në një akt të turpshëm duhet të japin llogari.
“Lidhur me skandalin për deportimin e mësimdhënësve turq nga Kosova, LDK-ja i ka mbledhur 40 nënshkrime për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku do të kërkojmë përgjegjësi nga presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri. Këta, si duket, nuk janë të vetëdijshëm se janë tri figurat kryesore në hierarkinë shtetërore. Do t’i thërrasim në përgjegjësi këta liderë të papërgjegjshëm si dhe duhet të formohet një komision hetimor sepse nuk mjaftojnë dy dorëheqje, por të gjithë ata që kanë marrë pjesë në një akt të turpshëm duhet të japin llogari”, ka deklaruar Rugova.
Ai ka kritikuar koalicionin aktual, duke thënë se Kosova prej se është çliruar nuk ka pasur qeveri më të dobët dhe më të papërgjegjshme. Rugova ka vlerësuar se nën drejtimin e këtij koalicioni qeverisës Kosova ka ngecur në të gjitha aspektet.
“Kosova është duke kaluar një periudhë jo të lehtë, sidomos prej ardhjes së këtij koalicioni në pushtet, i cili ka një shumicë minimale, ka një përbërje heterogjene, si dhe ballafaqohet me luftën mes partnerëve të vet koalicionit qeverisës. Në këta gjashtë muaj të qeverisjes së tij, Kosova është karakterizuar nga skandale të mëdha dhe vendime të çuditshme. Kosova është karakterizuar edhe më përplasje në arenën ndërkombëtare, me ç’rast ka bërë hapa prapa në ndërtimin e një imazhi të mirë”, është shprehur Rugova.
Ai ka hedhur poshtë mundësinë që LDK-ja të bëhet pjesë e Qeverisë Haradinaj pas largimit të Listës Serbe. Sipas Rugovës, LDK-ja më tepër se kurrë është e përgatitur për t’i filluar bisedimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.
“LDK-ja nuk do të jetë pjesë e kësaj qeverie të papërgjegjshme. LDK-ja më tepër se kurrë është e përgatitur t’i fillojë bisedimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja. Vetëm atëherë do të kemi qeveri dhe institucione legjitime nga vullneti i popullit të Kosovës”, ka theksuar Rugova.
“Epoka e re”: Z. Rugova, si i komentoni zhvillimet e fundit në skenën politike?
Rugova: Kosova është duke kaluar një periudhë jo të lehtë, sidomos prej ardhjes së këtij koalicioni në pushtet, i cili ka një shumicë minimale, ka një përbërje heterogjene, si dhe ballafaqohet me luftën mes partnerëve të vet koalicionit qeverisës. Në këta gjashtë muaj të qeverisjes së tij, Kosova është karakterizuar nga skandale të mëdha dhe vendime të çuditshme. Kosova është karakterizuar edhe me përplasje në arenën ndërkombëtare, me ç’rast ka bërë hapa prapa në ndërtimin e një imazhi të mirë. Së fundi kemi rastin e deportimit të gjashtë mësimdhënësve turq nga Kosova në mënyrë të turpshme. Dhe për këtë tre drejtuesit e shtetit, presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri, dalin e thonë se nuk kanë pasur informata. E gjithë kjo ka një emërues të përbashkët, se Kosova prej se është çliruar nuk ka pasur qeveri më të dobët dhe më të papërgjegjshme.
“Epoka e re”: Çfarë do të bëjë LDK-ja lidhur me këtë rast, apo ka mjaftuar shkarkimi i ministrit të Brendshëm dhe shefit të AKI-së?
Rugova: Mund t’i shkarkojmë Thaçin, Veselin, Haradinajn, ministrat dhe përgjegjësit e sektorëve të sigurisë, por kurrë nuk mund ta heqim turpin e madh që i është bërë Kosovës dhe popullit të saj. Nuk mund të hiqet turpi që ka bërë ky pushtet i papërgjegjshëm në raport me mësimdhënësit turq në Kosovë. Mos të harrojmë se këta përgjegjës institucionalë të Kosovës kanë qenë vetë azil në Zvicër në vitet e ’90-ta dhe paramendojeni sikur Zvicra t’i kthente në Kosovë tek regjimi i Millosheviqit. Meqë drejtuesit e shtetit nuk kanë pasur informata për këtë skandal, atëherë kjo tregon se ata janë të paaftë për ta udhëhequr shtetin. Integriteti, autoriteti dhe sovraniteti i shtetit janë shkelur me rastin e deportimit të mësimdhënësve turq. Për ta udhëhequr shtetin nuk mjafton të kesh muskuj, por duhesh të kesh dije, vizion, përgjegjësi si dhe ta duash vendin e ta respektosh Kushtetutën. Lidhur me skandalin për deportimin e mësimdhënësve turq nga Kosova, LDK-ja i ka mbledhur 40 nënshkrime për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku do të kërkojmë përgjegjësi nga presidenti, kryeparlamentari dhe kryeministri. Presidenti në një konferencë për medie u soll si një lider partie dhe jo si president i vendit që do të duhej ta reflektonte unitetin e popullit. Kurse kryeparlamentari dhe kryeministri u sollën sikur të ishin maturantë apo tinejxherë të papërgjegjshëm. Këta, si duket, nuk janë të vetëdijshëm se janë tri figurat kryesore në hierarkinë shtetërore. Kërkesa për këtë seancë do të dorëzohet qysh sot (e martë) dhe seanca duhet të mbahet brenda 48 orëve. Do t’i thërrasim në përgjegjësi këta liderë të papërgjegjshëm si dhe duhet të formohet një komision hetimor sepse nuk mjaftojnë dy dorëheqje, por të gjithë ata që kanë marrë pjesë në një akt të turpshëm duhet të japin llogari. LDK-ja nuk do të bëjë kompromis ndaj veprimeve të papërgjegjshme të kësaj qeverie.
“Epoka e re”: Do të kërkoni shkarkimin e krerëve të shtetit?
Rugova: Tashmë kjo qeveri ka rënë sepse e ka humbur shumicën. Kjo qeveri moralisht ka rënë për tokë dhe, po të kishte vetëm pak përgjegjësi morale, do të jepnin dorëheqje të gjithë. Qeveria aktuale e ka humbur kredibilitetin moral. LDK-ja tani si subjekti më i fuqishëm në vend dhe si grupi më i madh parlamentar do ta rrëzojë këtë qeveri dhe këtë koalicion të papërgjegjshëm. Duke ia liruar vendin një procesi të ri zgjedhor, i cili do të rezultonte me një qeveri të përgjegjshme. Lidershipi aktual i Kosovës është më i papërgjegjshmi në historinë më të re të Kosovës.
“Epoka e re”: Kur do ta inicioni mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj, dhe a e keni mbështetjen e partive të tjera në opozitë?
Rugova: LDK-ja është lokomotiva e opozitarizmit në Kuvend dhe si partia më e madhe në vend do t’i përdorim të gjithë mekanizmat kushtetues dhe ligjorë në mënyrë që këtë qeveri të papërgjegjshme ta largojmë nga pushteti. Deri më tani është dëshmuar se LDK-ja është partia më serioze në shtetndërtimin e Kosovës. Do të bëjmë çmos që ta ndërpresim fundosjen e vendit prej kësaj qeverie. Nën drejtimin e këtij koalicioni qeverisës Kosova ka ngecur në të gjitha aspektet. Duke i respektuar kompetencat kushtetuese dhe ligjore do ta dërgojmë në shtëpi këtë qeveri. Do t’i ndërmarrim masat e nevojshme që këtë qeveri të papërgjegjshme ta dërgojmë në harresën e historisë së Kosovës sepse e ka dëmtuar vendin, proceset si dhe ka rrënuar imazhin e shtetit.
“Epoka e re”: Megjithatë, pas largimit të Listës Serbe në opinion është përfolur mundësia se LDK-ja mund të bëhet pjesë e kësaj qeverie. Ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë?
Rugova: Ky është spekulim. LDK-ja nuk do të jetë pjesë e kësaj qeverie të papërgjegjshme. LDK-ja më tepër se kurrë është e përgatitur t’i fillojë bisedimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja. Vetëm atëherë do të kemi qeveri dhe institucione legjitime nga vullneti i popullit të Kosovës.
“Epoka e re”: I konvenon LDK-së shkuarja në zgjedhje në mungesë të liderit të saj, Isa Mustafa?
Rugova: Kryetari Mustafa e ka një problem shëndetësor dhe kemi informata se ai për çdo ditë është duke bërë më mirë dhe duke u shëruar. Presim që këto ditë ai të kthehet në Kosovë. LDK-ja është më e përgatitur se kurrë që të shkojë në zgjedhje dhe jemi të bindur se jemi alternativa e vetme për ta udhëhequr shtetin e Kosovës.
Shqipe HETEMI