Rugova: Me ndihmën e tifozëve mund të kualifikohemi
Prishtinë, 26 korrik – Basketbollistët e Kosovës janë duke stërvitur intensivisht për ndeshjet parakualifikuese për “Eurobasket 2021”. Ekipit i janë bashkuar edhe Dardan Kapiti, Meriton Ismaili dhe Atik Koshi, që ishin me Kosovën U20 në Evropianin në Portugali, Divizioni B. Qendra e Kosovës, Fisnik Rugova, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve deri më tani. “Kemi filluar më 15 korrik dhe deri më tani kanë shkuar shumë mirë. Kemi zhvilluar dy ndeshje miqësore me Sllovakinë, ku në sfidën e parë kemi mundur të fitojmë, derisa në atë të dytë ndikoi lodhja. Tashmë kemi edhe dy miqësore me Shqipërinë që na ndihmojnë të eliminojnë gabimet para ndeshjeve zyrtare”, ka thënë Rugova për faqen zyrtare të FBK-së.
“Dardanët” janë në grup me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe, ku fituesi i grupit kualifikohet tutje. “Britania është cilësor favoritja e grupit, por mendoj se Luksemburgu ka një ekip shumë të mirë. Nuk bën të nënçmohet. Secila ka gjasat e saj. Ne do të luajmë për fitore në çdo ndeshje. Kemi përparësinë se ndeshja e dyta dhe e tretë zhvillohen në shtëpinë tonë. Sfida e parë është shumë e rëndësishme dhe do të mundohemi të fitojmë, e pastaj e presim Britaninë në betejën e madhe”, ka thënë Rugova.
Ai foli edhe për rëndësinë që kanë publiku për takimet në shtëpi. “Kemi luajtur edhe më herët në Mitrovicë dhe atmosfera ka qenë e jashtëzakonshme. Besoj se kështu do të jetë edhe kësaj radhe. Shpresoj shumë në ndihmën e tyre dhe të kualifikohemi tutje”, ka shtuar Rugova.