Rugova: Pranimi i revistës së Seminarit për Gjuhën në EBSCO, rezultat i një pune të madhe
Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, është shprehur e lumtur që revista e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është pranuar në njërën nga platformat më prestigjioze të revistave shkencore EBSCO.
Ajo ka bërë me dije se pranimi i kësaj reviste në këtë platformë është rezultat i angazhimit të madh personal dhe vlerës që ka revista e seminarit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Rugova ka vlerësuar se suksesi i kësaj reviste do të ndikojë në ngritjen e UP-së në ranglistat botërore.
“Natyrisht se ky sukses do të ndikojë në ngritjen e UP-së në ranglistat botërore, por kjo na obligon që ne si Fakultet i Filologjisë të bëjmë më shumë për ngritjen e mëtejme të cilësisë së revistës meqë tashmë jemi në konkurrencë të vazhdueshme me shumë redaksi dhe revista të njohura anembanë botës dhe për ta mbajtur këtë nivel. Nuk bën të ndalemi”, ka thënë Rugova.
Në këtë mënyrë ajo ka thënë se albanologjia do të depërtojë në botë pa asnjë shpenzim shtesë.
“Ajo që po më gëzon pa masë është se albanologjia do të depërtojë në botë pa asnjë shpenzim shtesë, ndonëse mjaft të pranishme e kemi pasur në studimet gjuhësore, letrare dhe kulturore gjithandej. Besoj shumë se punimet dhe kontributi shkencor i revistës së Seminarit të pranohen edhe nga vetë shtëpia jonë”, është shprehur Rugova.
Duke treguar për punën që ka bërë deri në arritjen e këtij qëllimi, ajo ka vlerësuar se cilësia e kësaj reviste ka qenë vendimtare për pranimin e revistës në këtë platformë.
“Patjetër se tradita dhe përvoja e vendosur në themele të forta të cilësisë e mbarëvajtjes së Seminarit si një ngjarje e madhe shkencore dhe kulturore ka ndikuar shumë që edhe platformat si EBSCO ta pranojnë këtë revistë si produkt të vetin dhe, ndoshta, edhe fati ynë i mirë që jemi ndër revistat e para të gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës shqiptare (në mos e para, po nuk dua të hipotetizoj) që po depërtojmë në arenën botërore në këtë formë”, ka thënë Rugova.
Ajo ka folur edhe për Fakultetin e Filologjisë, duke shtuar se ky fakultet po pranohet partner i barabartë në botë me institucione shumë të rëndësishme në botën akademike. “Bashkëpunimin me rajonin dhe më gjerë e kemi trefishuar dhe pritet që së shpejti të konkurrojmë me programe të studimit të përbashkëta, që do të ofrohen edhe në gjuhën angleze dhe do të mbulohen bashkërisht nga Filologjiku dhe nga universitetet e rajonit që janë treguar të gatshme të bashkëpunojnë në këtë rrafsh (Shkupi, Tirana me dy fakultete: FGjH dhe FHF etj.)”, ka thënë Rugova.
“Epoka e re”: Pak më shumë se një vit pas marrjes së numrit ISSN, Revista e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është pranuar në njërën nga platformat më prestigjioze të revistave shkencore EBSCO. Çdo të thotë kjo për ju që keni pasur një rol të veçantë në këtë drejtim, pasi kjo u tha edhe nga drejtori i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Rrahman Paçarizi?
Rugova: Pas hyrjes në fuqi të rregullores së re për avancimin e stafit akademik në UP (mars 2018) dhe pas mospërfshirjes së punimeve të botuara në Seminar (meqë konsiderohej libër i konferencave me redaksi ndërkombëtare, ani pse deri në vitin 2016 ishte pranuar nga Senati i UP-së në cilësinë e revistës për albanologji dhe deri në vitin 2016 i tërë stafi i Filologjisë (jo vetëm albanologët) ishin avancuar me punimet e botuara në këtë Seminar, pa përjashtim, si menaxhment diskutuam për mundësinë e indeksimit të revistës së Seminarit në platformat e propozuara nga departamentet dhe nga fakultetet. Numrin e katalogimit ndërkombëtar ISSN tashmë e kishim siguruar nëpërmjet bashkëdrejtorisë së Tiranës dhe ndryshe prej shumë revistave të tjera shkencore kosovare, një problem të tillë e kishim tejkaluar. Pas e-mailave të njëpasnjëshëm, së pari rashë në kontakt me platformën CEEOL (Central and Eastern European Online Library) me seli në Frankfurt am Mein, Gjermani, e cila e mbulon një pjesë të mirë të revistave shkencore dhe kulturore të publikuara në rajonin e Evropës Juglindore. Aty jo vetëm që arrita marrëveshje për regjistrimin e revistës së Seminarit, por e indeksova edhe Filologjinë, revistën e Fakultetit të Filologjisë, e cila tash e tutje do të plasohet në këtë platformë rregullisht. Disa ditë më pas, pasi që e kisha marrë një e-mail kontaktues nga një zyrtare në Bibliotekën Universitare të Kosovës, i shkrova menjëherë personit përgjegjës të EBSCO-s për Evropë dhe, pas shkëmbimit të disa e-mailave shpjegues dhe detajeve të tjera teknike lidhur me mundësinë e regjistrimit të revistës së Seminarit në EBSCO, diku në fillim të gushtit mora njoftimin që revista e Seminarit e kishte kaluar recensionin ndërkombëtar të cilësisë dhe pritej të kalonte edhe nëpër një filtër: atë të përfshirjes në njërën nga katalogët e tyre online për shkenca humane. Lajmin për përfshirjen e revistës së Seminarit në platformën EBSCO e morëm të hënën (më 22 tetor) nëpërmjet telefonit dhe e-mail-it, bashkë me e-mail-in e morëm edhe kontratën, e cila do të nënshkruhet nesër dhe do të dërgohet e skanuar.
“Epoka e re”: Cilat ishin cilësitë që e bënë këtë revistë të jetë pjesë e EBSCO-s?
Rugova: Tradita e Seminarit e cilësuar nga studiuesit e huaj dhe ata vendorë si forumi më gjithëpërfshirës dhe më cilësor i albanologjisë në botë vazhdon edhe më tutje. Rezultatet e punës hulumtuese gjatë sesioneve shkencore, gjatë referimeve dhe ligjëratave të organizuara enkas për çdo vjet, kanë bërë që kjo revistë mos ta humbë peshën fare, përkundrazi, me një indeksim të tillë si ky i sotmi, ne synojmë ta rrisim vlerën e publikimit në këtë revistë, duke iu përshtatur kushteve të reja të botimit në botën akademike. Por, për të ardhur deri te kjo vlerë që e plasojmë sot dhe mburremi me të, nuk duhet harruar punën e palodhshme të themeluesve, të studiuesve, të studentëve, të profesorëve, të dekanëve dhe të drejtorive të kaluara të Seminarit. Secili ekip e ka lënë gjurmën dhe vulën e vet identifikuese në forma të ndryshme.
“Epoka e re”: A keni pasur përkrahje nga institucionet qeveritare që ta mbështesin Revistën e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në ecjet e saj, qoftë edhe në EBSCO?
Rugova: Herë më shumë e herë më pak, edicionet e Seminarit e, bashkë me të, edhe botimet që kanë dalë nga ky Seminar, janë mbështetur kryesisht nga UP-ja, nga MASHT-i dhe nga MKRS-ja. Anëtarësimi në platformat me qasje të hapur (Open Access) nuk kërkojnë ndonjë shpenzim shtesë. Vetëm indeksimi i ardhshëm në platformat e tjera që po i synojmë ka mundësi të na kushtojë më shumë sepse kemi plan ta angazhojmë një person të veçantë që do të merret me mirëmbajtjen e uebfaqes së revistës së Seminarit në kuadër të domenit të Filologjisë.
“Epoka e re”: Po për Fakultetin e Filologjisë do të jetë një e arritur pasi mund të jetë revista e parë shkencore nga Kosova që është pranuar në EBSCO.
Rugova: Natyrisht që ky sukses do të ndikojë në ngritjen e UP-së në ranglistat botërore, por kjo na obligon që ne si Filologjik të bëjmë më shumë për ngritjen e mëtejme të cilësisë së revistës meqë tashmë jemi në konkurrencë të vazhdueshme me shumë redaksi dhe revista të njohura anembanë botës dhe për ta mbajtur këtë nivel. Nuk bën të ndalemi. Ajo që po më gëzon pa masë është që albanologjia do të depërtojë në botë pa asnjë shpenzim shtesë, ndonëse mjaft të pranishme e kemi pasur në studimet gjuhësore, letrare dhe kulturore gjithandej. Besoj shumë se punimet dhe kontributi shkencor i revistës së Seminarit të pranohen edhe nga vetë shtëpia jonë.
“Epoka e re”: Ju keni përmendur edhe bashkëpunimin që keni pasur në këtë drejtim edhe me Fakultetin Histori-Filologji në Tiranë, nga shkencat filologjike që është pranuar në këtë platformë?
Rugova: Pa ndihmën e ish-bashkëdrejtores, prof. Jubani, ne nuk do ta kishim ISSN-në e revistës, për faktin se Kosova nuk është ende e pranuar në UNESCO. Fati ynë që kemi pasur bashkorganizim të mirë të punëve dhe ia dolëm ta marrim nëpërmjet departamenteve albanologjike të atjeshme.
“Epoka e re”: A do të thotë se deri te pranimi në EBSCO i revistës ka qenë shtytje edhe angazhimi i traditës së Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ku deri më tani janë mbajtur 37 seminare?
Rugova: Patjetër që tradita dhe përvoja e vendosur në themele të forta të cilësisë e mbarëvajtjes së Seminarit si një ngjarje e madhe shkencore dhe kulturore ka ndikuar shumë që edhe platformat si EBSCO ta pranojnë këtë revistë si produkt të vetin dhe, ndoshta, edhe fati ynë i mirë që jemi ndër revistat e para të gjuhës, të letërsisë dhe të kulturës shqiptare (në mos e para, po nuk dua të hipotetizoj) që po depërtojmë në arenën botërore në këtë formë. Natyrisht, kjo e dyta kërkon shumë angazhim teknik dhe tash që e mësuam rrugën, po i synojmë edhe platformat e tjera të popullarizuara tashmë. Prania e Seminarit dhe e vet albanologjisë në botë është e hershme dhe është e vazhdueshme, e pandërprerë, por tash e ka marrë një formë pak më ndryshe, një mënyrë më të lehtë të komunikimit ndërakademik e shkencor në rrafshin global.
“Epoka e re”: Znj. Rugova, ju jeni edhe dekane e Fakultetit të Filologjisë. Sa keni arritur të përgatiteni për këtë vit të ri akademik dhe cili është bashkëpunimi me universitetet e rajonit?
Rugova: Viti akademik tashmë ka filluar. Kemi mungesë të hapësirave për mësim sepse po e ndajmë ndërtesën me FShMN-në dhe kemi nevojë për më shumë salla të mësimit dhe salla të zhvillimit të aktiviteteve studentore që lidhen me mësimin dhe zhvillimin profesional të studentëve (laboratorë të specializuar dhe salla të leximit). Disa sosh i kemi fituar nëpërmjet projekteve, por vështirësia del te sistemimi i tyre nëpër salla të mësimit. Sivjet kemi investuar shumë për rregullimin e kulmit meqë ishte në gjendje shumë të rëndë. E kemi përmirësuar dukshëm rrjetin e internetit dhe shpresojmë shumë që gjatë vitit kalendarik 2019 ta gëlqerosim objektin në tërësi brenda. Sipas shënimeve që i kam marrë nga bashkëpunëtorët e mi, gjatë vitit të kaluar akademik rreth 100 studentë kanë qenë me bursa Erasmus jashtë vendit, dhjetëra profesorë vizitorë nga universitetet partnere kanë ligjëruar në programe të ndryshme dhe i kemi organizuar shumë konferenca të rëndësishme nëpër departamente të ndryshme. Janë publikuar disa monografi të personelit tonë dhe tashmë brenda dy vjetësh na janë bashkëngjitur edhe 12 anëtarë të rinj të personelit mësimdhënës dhe dy të administratës. Më duhet të theksoj se mungesa e personelit administrativ është ende e pranishme, por po plotësohet dita-ditës. Ligjëruesit e ftuar kanë qenë të shumtë, gjithashtu. Ndonëse në objekt të vjetër e me shumë telashe infrastrukturore, atmosfera e punës është shumë pozitive. Tashmë e kemi aktivizuar Institutin e Gjuhës dhe të Kulturës Italiane, do ta kemi tash e tutje një bashkëpunim me Institutin e Kulturës Italiane në Tiranë dhe shpresoj që së shpejti do ta kemi edhe një mësimdhënës të italishtes në nivel të Fakultetit, pastaj nga 5 nëntori do të fillojë zyrtarisht edhe kursi i parë i kroatishtes në kuadër të bashkëpunimit ndëruniversitar me Zagrebin (edhe i shqipes në Zagreb në Fakultetin e atjeshëm Filozofik), tashmë janë diku rreth 25 të interesuar për këtë kurs dhe profesoresha nga Instituti i gjuhës kroate na vjen të hënën. Kemi filluar ta ofrojmë gjuhën shqipe për studentët e huaj që janë në UP dhe për studentët minoritarë të UP-së, nga partneritetet me universitete evropiane (Berlini, Kopenhaga, Torunji, Poznanji, Frajburgu, Fehta, Nysa, Napoli, Venecie, Praga etj.) kemi përfituar shumë bursa Erasmus+ dhe më e rëndësishmja, numri i bursave është dyfishuar nga viti i kaluar. Më duhet ta theksoj faktin se shumë nga këto bursa janë kanalizuar pikërisht në zhvillimin akademik të doktorantëve tanë nëpërmjet qëndrimit semestral ose vjetor të këtyre kandidatëve në universitetet partnere ose nëpërmjet bashkëpunimit në formë të bashkëmentorimit të tyre. Me projekte të tilla, Filologjiku po pranohet partner i barabartë në botë me institucione shumë të rëndësishme në botën akademike. Bashkëpunimin me rajonin dhe më gjerë e kemi trefishuar dhe pritet që së shpejti të konkurrojmë me programe të studimit të përbashkëta, që do të ofrohen edhe në gjuhën angleze dhe do të mbulohen bashkërisht nga Filologjiku dhe nga universitetet e rajonit që janë treguar të gatshme të bashkëpunojnë në këtë rrafsh (Shkupi, Tirana me dy fakultete: FGjH dhe FHF etj.). Programet e tilla të ofruara në një gjuhë botërore për çështje të rajonit do ta rrisnin numrin e studentëve të huaj që studiojnë në Prishtinë dhe një partneritet i tillë do t’i ndihmonte shumë procesit të ndërkombëtarizimit të UP-së në përgjithësi.