Ruiz: Nuk kam firmosur ende për revanshin me Joshuan
Boksieri meksikan Andy Ruiz Jr, kampion bote në peshën e rëndë ka deklaruar se ende nuk ka hedhur asnjë firmë në kontratë për ta zhvilluar revanshin me Anthony Joshuan. Stafi i këtij të fundit ka zyrtarizuar 7 dhjetorin si datën e duelit të dytë mes dy boksierëve, sfidë që do të zhvillohet në Arabinë Saudite.
Në një deklaratë për mediat amerikane, Ruiz tha se ende shpreson që kjo përballje e dytë ndaj rivalit britanik të zhvillohet në Amerikë.
“Unë ende nuk kam firmosur asnjë kontratë. Ne jemi duke negociuar për çdo gjë: Datën, vendin, përqindjet e fitimit etj. Ata duan të duelojnë në Arabinë Saudite, por ne jemi ende duke negociuar”, ka thënë Ruiz Jr.
“Unë dua të dueloj sërish në Nju Jork, ashtu si herën e parë, kur fitova. Ne revanshin do ta zhvillojmë. Do t’i jap Joshua një shans për të më mundur. Gjithsesi, nëse ata duan sërish të marrin titujt kampionë, duhet ta bëjnë këtë gjë në Amerikë”, ka deklaruar Andy Ruiz Jr, me 33 tore dhe 1 humbje në karrierën e tij profesionale.