Rukiqi: Dora e shtetit ka dështuar të ofrojë përkrahjen për sektorin privat
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka kërkuar nga institucionet shtetërore veprim të shpejtë për menaxhimin e situatës me Covid-19.
“Presim nga qeveria, parlamenti dhe institucionet tjera veprime të bazuara në të dhëna dhe analiza të thella. Presim të ketë veprime edhe të parlamentit për menaxhimin e situatës. Qeveria dhe parlamenti kanë bërë minimalisht për t’u dalë në ballë sfidave të krijuara nga pandemia. Rrezikojmë të mbyllim mijëra biznese dhe vende pune”, është shprehur Rukiqi në një konferencë të jashtëzakonshme për medie.
Rukiqi ka thënë se asnjë biznes nuk e ka kapacitetin e vet që ta përballojë këtë gjendje për një kohë më të gjatë.
“Pakoja emergjente që nuk arriti të adresojë asnjë emergjencë duhet të implementohet pa vonesë. Për bizneset dhe punëtorët është pak e rëndësishme se kush duhet të marrë vendim. Sektori privat e pret përkrahjen e dorës së shtetit. Shteti ka dështuar ta ofrojë këtë përkrahje. Ky vit do të jetë i vështirë dhe nuk do të jetë i rritjes për asnjë biznes. Ky është vit i mbijetesës. Për herë të parë nga paslufta duhet bërë ndryshim, rritje të efikasiteti, zvogëlim të shpenzimeve. Nuk mund të mbijetohet me të hyrat që i presim nga vizitat e diasporës”, është shprehur Rukiqi.
Rukiqi ka bëtë thirrje që të respektohet masat ani-Covid-19 si e vetmja mënyrë për ta luftuar këtë virus.