Rukiqi: Haradinaj, aleat i bizneseve
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar të enjten Odën Ekonomike të Kosovës, ku është takuar me kryetarin e ri të kësaj ode, Berat Rukiqi.
Pas takimit, Haradinaj në një konferencë për medie, ka thënë se vizita e tij lidhet me marrjen e përgjegjësisë se re nga Rukiqi.
“Është përgjegjësi me peshë në mundësinë e rritjes se zhvillimit të vendit. U fol për liberalizimin e vizave që do të ndikojë në qarkullimin e mallrave. Dëshiroj të flas për zona ekonomike, pasi ka skeptikë, por duhet ta dimë që kush merr iniciativë ka sukses. Disa nga këto zona i konsiderojmë me rëndësi siç është Zona Ekonomike Amerikane. Ne jemi të hapur”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa, kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi, ka falënderuar Haradinajn për punën e bërë dhe për rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave. Ai ka thënë se Haradinaj ka qenë aleat i biznesit.
“Është koha të merremi me ekonomi, pas të gjitha atyre proceseve ekonomike që ka kaluar Kosova”, është shprehur Rukiqi.
/Epoka e re/ A. Mavraj/