Rukiqi i LDK-së: Qeveria Kurti është e paaftë dhe krenare
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Berat Rukiqi, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, dështimet në shumë fusha është duke i përkthyer si suksese rekorde.
Ai ka thënë se për këtë arsye, LDK-ja ka vendosur ta quajnë qeverinë Kurti të paaftë dhe krenare.
Rukiqi në një konferencë për medie ka thënë se Kurti është duke vazhduar t’i paraqes si rekorde edhe dështimet siç është inflacioni. Sipas tij në bazë vjetore inflacioni ka qenë me rritje 4.9 për qind.
“Dështimet për të cilat po flasim e kanë burimin e kësaj qeverie. Me rëndësi është që të njëjta po vinë me faturë të shtrenjtë e që po paguhen nga qytetarët e vendit”.
“E thash që kryeministri vazhdon t’i paraqes si rekorde dështimet si inflacioni në bazë vjetore me rritje 4.9 për qind. Inflacioni ishte i pashmangshëm si shkak i ndryshimeve globale, por në vend do ishte më ndryshe nëse qeveria do kishte vullnet adresimin e saj bazuar tek qytetarët”, ka thënë Rukiqi.
Më tutje, Rukiqi ka thënë se 100 euro në vitin 2024, e kanë vlerën e 81. 65 euro.
Si dështim të radhës, ai e ka renditur deficitin tregtar me rritje prej 56.5 për qind.