Rukiqi jep vërejtje për prolongimin e legjislacionit ekonomik

06 qershor 2019 | 13:30

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka mbajtur konferencë për medie në lidhje me raportin e Komisionit Evropian (KE) për Kosovën dhe rreth përcaktimit të pagës minimale.

Ai ka thënë se sektori privat ka harruar se kur është miratuar ligji për reformën ekonomike. Sipas Rukiqit, e gjithë vëmendja është përqendruar te agjenda politike. Ai ka theksuar se edhe të implementimi i të gjeturave të raportit të KE-së vëmendje i është kushtuar anës politike.

Rukiqi ka pohuar se Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA) ka ngecur së zbatuari, duke përmendur edhe arsyet që kanë ndikuar në këtë ngecje.  “Implementimi i MSA-së ka ngecur për shumë arsye, qoftë edhe për nga ana e motivit duke mos pasur edhe një qëndrim të qartë sa përket integrimit dhe për shkak se vendi dominohet nga politika. Kjo pastaj ndikon në rënien e investimeve të huaja direkte. Sektori privat po ka ndikim negativisht nga rritja e pagave në sektorin privat, sepse nuk ka kuadro për tregun e punës. Sektori privat ka harruar kur është miratuar një ligji për reformën ekonomike. Shembull ligji për TVSh-në nuk dihet as ku gjendet as kur miratohet”, është shprehur ai.

Kurse sa i përket pagës minimale, ai ka deklaruar se përcaktimi i saj nga Kuvendi është jashtë çdo logjike. “Një rezolutë është jashtë çdo logjike, paga minimale përcaktohet nga punëdhënësi, punëmarrësi dhe qeveria. Ne kemi dhënë një rekomandim që nuk është miratuar në Qeveri. Paga minimale nuk i zgjidhë problemet”, ka thënë Rukiqi.

Ndërkaq, Valon Vataj nga kompania “Kawa”, ka thënë se kanë instaluar standarde të reja sa i përket kushteve të punëtorëve. “Si kompani kemi arritur të instalojmë një standard të ri sa i përket pagës dhe kushteve të punëtorëve. Paga minimale në kompaninë tonë është 500 euro. Ne si kompani do të instalojmë kushte të mira të punës”, u shpreh ai.

Kurse, Olivera Ceni, nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka prezantuar të gjeturat e hulumtimit që kanë bërë me bizneset vendore sa i përket vështirësive gjatë eksportit.

Ajo ka thënë se vetëm 10 për qind e kompanive nuk eksportojnë, kurse 82 për qind e tyre kanë deklaruar se produktet e tyre plotësojnë standardet e kërkuar nga BE-ja.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës…