Rukiqi kërkon masa shtesë në tri vitet e ardhshme

20 dhjetor 2020 | 11:09

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se paratë e Fondit të Kursimeve Pensionale duhet të shpenzohen brenda vendit.

Ai ka thënë se qytetarët e kanë mirëpritur këtë vendim, pasi që pandemia Covid-19 ka shkaktuar shumë humbje te bizneset.

“Qytetarët e kanë mirëpritur 10-përqindëshin e Trustit. Por vetë shkalla e aplikimit dhe numri i aplikimeve na japin disa indikacione. Qytetarët janë në krizë se në kushte tjera nuk do të ishin aq të etur për t’i tërhequr mjetet. Gjithashtu ne e shohim që ka shumë nevoja bazike që qytetarët pritet t’i tërheqin nga 100 euro deri në 500 euro. Kjo tregon që mirëqenia në vend është e cenuar, jo vetëm nga kjo krizë por në përgjithësi nga këto zhvillimet e fundit që nuk kanë prodhuar zhvillim pozitiv në vend. Prandaj, duhet të ndërrohet qasja në raport me qeverisjen dhe të krijohet një qeverisje që garanton zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët e vendit”, ka thënë Rukiqi për “Ekonomia Online”.

Rukiqi ka theksuar se presin një hyrje rreth 200 milionë euro në ekonomi, duke shtuar se në tri vitet e ardhshme duhet të ketë veprime shtesë, të cila mund të lehtësojë jetën e bizneseve.

“Edhe masat në raport me qeverinë dhe puna e bizneseve në këtë kohën e mbetur të vitit duhet të mundësojë që ato mjete të shpenzohen në Kosovë. Ne presim një hyrje rreth 200 milionë euro në ekonomi. Rimëkëmbja nuk lidhet vetëm me vitin 2021. Duhet edhe veprime shtesë edhe në tri vitet e ardhshme, në mënyrë që të ketë një ndikim që të lehtësohet jeta e bizneseve dhe të ruhen vendet e punës”, ka përfunduar Rukiqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka njoftuar se nesër mbi…