Kryetari i OEK-ut: Kompanitë vendore rrisin punësimin rreth 13.3 për qind

06 maj 2019 | 13:44

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se bizneset vendore kanë tendencë që ta rrisin punësimin për 13.3 për qind, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2018.

Këto komente ai i bëri me rastin e prezantimit të rezultateve të klimës të biznesit në Kosovë për tremujorin e parë të këtij viti.

Rukiqi ka theksuar se kjo tendencë për rritje të punësimit vjen si rezultat edhe i punëve sezonale. “465 biznese e vlerësojnë gjendjen e tyre të mirë dhe të kënaqshme. Nëse shikohet trendi, themi se është një trend pozitiv. Nëse i shohim rritjet për punësim, 44 për qind e kompanive presin që të rrisin punësimin rreth 13.3 për qind më të lartë sesa në tremujorin e fundit të vitit 2018. Edhe indikatori i konfidencës ka shënuar një trend pozitiv dhe është një pjesë e mirë që mund të merret jo vetëm nga Oda Ekonomike por edhe nga institucionet e tjera”, ka thënë ai.

Rukiqi ka folur edhe për studimin që i është bërë eksportit, me ç’rast ka pohuar se përkundër potencialit që kompanitë vendore kanë për eksport, ato nuk po mund të eksportojnë mjaftueshëm për shkak të barrierave të shumta me të cilat përballen çdo ditë Sipas tij, mungesa e certifikimit ndërkombëtar del të jetë pengesa kryesore e këtyre kompanive.

Rukiqi ka folur edhe për energjinë e ripërtërirë, ku bëri me dije se të mërkurën do të organizohet një takim me klubet e bizneseve me të cilat do të diskutohet për politikat mbi energjinë.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Therandës, Bali Muharremaj, ka bërë me…