Rukiqi: Mos shtyrja e pagesës së tatimeve dëmton mijëra biznese
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, vlerëson se vendimi i Administratës Tatimore të Kosovës për shtyrjen e tatimeve ka shumë paqartësi.
Rukiqi ka kërkuar nga Administrata Tatimore e Kosovës që ta qartësojë këtë vendim pasi sipas tij problematikë e sektorit privat mbetet pagesa e punëtorëve, për shkak që nuk kanë realizuar të hyra kohës së fundit.
Ai ka thënë për RTV Dukagjinin se në rast se nuk shtyhet pagesa për tatime, do të dëmtohen mijëra biznese.
“Në vlerësimin që e kemi bërë edhe në teren, nuk ka kompani në Kosovë që nuk ka vështirësi financiare. Mund të duket në shikim të parë që bizneset e mëdha nuk kanë vështirësi financiare mirëpo edhe ato kanë problem me likuiditetin duke mos realizuar pagesa nga klientët e vet, kontraktorët e vet. Prandaj mbi këtë bazë ne kërkojmë që shtyrja e pagesës të vlen për të gjithë deri me datën 30 qershor. Ndërsa deklarimi të bëhet ashtu siç është planifikuar deri më datën 30 prill”.
“… janë mijëra biznese që mund të ndikohen nga ky vendim pasi janë një pjesë që veçse kanë mbet me probleme financiare, por edhe të tjerat do të preken pasi nuk mund të ekzekutohen edhe pagesat për tatime edhe për pagat e punëtorëve”, ka thënë ai.
Rukiqi ka deklarur se shkresa është dërguar sot dhe se një përgjigje nga institucionet përgjegjëse po e presin për nesër. Ai ritheksoi se kërkesë tjetër e bizneseve mbetet realizimi i pagesave nga pakoja emergjente e propozuar nga Qeveria e Kosovës, si lehtësim karshi situatës me coronavirus.