Rukiqi: Moskrijimi i institucioneve ndikon në tërheqjen e investimeve të huaja
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi ka folur për pasojat që sjell vonesa e krijimit të institucioneve.
Rukiqi, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se dëmet e vonesës së krijimit të institucioneve apo shkuarja në zgjedhje të reja e dëmton ekonominë e vendit në aspekte të ndryshme.
“Ka qenë edhe një fushatë e gjatë parazgjedhore dhe shto edhe pjesën kur Qeveria ka qenë në dorëheqje dhe nëse merren në total është pothuajse një gjysmë viti dhe nëse shihet në kontekstin e rëndësisë që ka koha për ekonominë dhe bizneset është shumë e gjatë”.
Kryetari i OEK, ka thënë se këto vonesa kanë ndikim edhe në tërheqjen e investimeve të huaja. Ai ka thënë se rritja ekonomike e Kosovës vjen kryesisht nga remitencat e diasporës por shton se kjo nuk mjafton.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se është shqetësuese që një numër i madh i kompanive kanë vende boshe e që nuk po mundin të gjejnë punëtorë të kualifikuar në kohën kur papunësia është shumë e lartë.
Rukiqi ka thënë se prioriteti i parë i çfarëdo qeverie që do të vijë do të jetë buxheti por sipas tij kjo tashmë është e vonuar shumë. Ai ka thënë se ndarja e shpejtë e buxhetit mund të mos plotësojë prioritetet e qytetarëve.
Kryetari i OEK-ut ka thënë se siguria juridike që shteti duhet të garantojë për biznese është shumë jetike për tërheqjen e investimeve të huaja.
“Kemi pasur situata kur nuk ka mundur të garantohet zbatimi i kontratave. Kemi pasur situata kur nuk janë zbatuar vendimet gjyqësore e shumë raste të tjera”, tha ndër të tjera Berat Rukiqi.